E drejtë e mohuar e qytetarëve të Kosovës

Zgjedhja e deritashme e presidentit në Kosovë nga ana e deputetëve në Parlament, nuk është në favor të demokracisë pluraliste, sepse iu mohohet qytetarëve që ata ta zgjedhin me votën e tyre drejtpërdrejt, andaj është koha e fundit që në skenën politike të Kosovës të diskutohet një ide e tillë, duke respektuar vullnetin e popullit si në vendet me traditë demokratike

Nail Draga

Pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më 28 dhjetor 2025, temë e ditës në skenën politike është zgjedhja e presidentit/tes, sepse afati për të vendosur për kandidatin përkatës është data 4 mars 2026. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Por, në saje të rrethanave ekzistuese në skenën politike në Kosovë dhe animozitetit nga ana e opozitës ndaj shumicës parlamentare, ka gjasa reale të dështojë zgjedhja e presidentit brenda afatit të paraparë sipas Kushtetutës. Dhe nëse një dështim i tillë ndodh, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që nuk është në favor të qytetarëve dhe demokracisë parlamentare.

Heshtje për idenë që presidenti të zgjidhet nga populli
Kujtojmë se vitin e shkuar, pas një takimi që pati zhvilluar me partitë politike, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani pati deklaruar se zgjidhja më e drejtë është zgjedhja e kreut të shtetit drejtpërdrejt nga populli. Ishte ky një propozim i qëlluar për t‘i eleminuar dilemat e përkrahjes nga ana e deputetëve në Kuvend për presidentin e ardhshëm. Por, nga ai takim e deri më tash opinioni nuk ka pasur ndonjë informatë se çka është punuar në këtë drejtim. Ndërsa heshtja e partive politike për një nismë të tillë dëshmon se ato ende nuk janë të përgatitura të vendosin për një çështje e cila është në favor të demokracisë pluraliste.

Të vendosin qytetarët e jo deputetët
Pasi për zgjedhjen e deputetëve vendosin qytetarët, nuk ka asnjë pengesë objektive që edhe presidenti të zgjidhet nga populli. Një vendim i tillë do të ishte në favor të demokracisë, andaj kjo çështje është dashur të trajtohet më herët nga aktorët e skenës politike në Kosovë. Pa marrë parasysh se ekzistojnë pengesa, qoftë nga Kushtetuta dhe mbështetja e komunitetit serb, kjo çështje ka merituar të debatohet pa komplekse, sepse imazhi pozitiv i Kosovës me ligjin zgjedhor do të duhej të plotësohej me zgjedhjen e presidentit nga qytetarët në vend të deputetëve, sikurse është bërë praktikë deri më tani.
Ndryshimi i votimit të presidentit duhet kuptuar si proces në avancim të demokracisë, sikurse veprohet në vendet me traditë demokratike. Presidenti i votuar nga populli nuk do të kishte obligim ndaj partive politike, sepse ai është produkt i votës popullore, nga del se do të ishte mbi partitë politike, në favor të integritetit e sovranitetit të Kosovës. Është çështje tjetër se kandidimi i presidentit do të mbështetet nga parti të ndryshme politike, qofshin nga pozita apo opozita, dukuri e cila është e njohur në demokracinë pluraliste.

Populli, peng i partive politike
Moszgjedhja e presidentit nga populli, deri më tash, pengohet nga partitë të cilat duan të përfitojnë nga pazaret politike, si individë apo klanet e tyre.
Në këtë aspekt duhet të marrim shembuj pozitivë nga fqinjët, ku presidentin e zgjedhin nga populli, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërsa përjashtim në këtë drejtim paraqet Shqipëria, e cila vuan ende sot nga marrëveshja Berisha-Rama (2008), si për ligjin zgjedhor dhe zgjedhjen e presidentit. Andaj ka ardhur koha që edhe në Kosovë qytetarëve t’u mundësohet të zgjedhin vetë presidentin e jo të jenë peng të deputetëve të partive politike në Kuvend.
Nuk ka dilemë se ata që i frikohen popullit do ta pësojnë prej tij, sepse vullneti dhe preferenca e votuesve është çështje e tyre personale e jo mundësi e mohuar, si deri më tash nga ana e partive politike.

Presidenti në dy mandate
Në saje të përvojës pozitive të vendeve me traditë demokratike, presidenti i zgjedhur do të kishte mundësi të rizgjidhet edhe për një mandat, pra në dy mandate. Një veprim i tillë do të ishte në favor të demokracisë dhe të qytetarëve të Kosovës.
Në rastin konkret, presidentja aktuale e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, do të ishte e udhës që të mbështetej edhe për një mandat të dytë nga shumica aktuale parlamentare, por edhe nga deputetë të tjerë në Kuvend.

Presidentja Osmani e meriton mandatin e dytë
Duke marrë parasysh se në saje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në sallë duhen të jenë 80 deputetë, nuk do të thotë se ata janë të obligueshëm për ta votuar, por mjaftojnë që të jenë në sallë, sepse për votim mjaftojnë 61 vota për ta zgjedhur presidenten, ku numri i votave të tilla të deputetëve janë nga shumica parlamentare.
Ndërsa duke parë angazhimin, qëndrimin dhe guximin e shprehur deri më tash në mbrojtje të sovranitetit e integritetit të Kosovës, ajo meriton të rizgjidhet presidente, sepse për momentin është kandidati më i përshtatshëm dhe e kryen këtë funksion më mirë se askush tjetër.

Të fundit

më të lexuarat