
Formimi i njeriut në aspektin arsimor de fakto ka të bëjë më intelektin që ai posedon nga shkollimi superior në veçanti, në punë e në jetë në përgjithësi. Ne, në përditshmërinë tonë hasim në individë që, pavarësisht se kanë ndjekur një shkollë të lartë dhe kanë marrë një diplomë në fushën që e kanë studiuar, ata nuk tregojnë një përgatitje e cila korrespondon me shkallën e shkollimit ku ata janë kualifikuar.
Individëve të tillë, të cilët fatkeqësisht nuk janë të paktë, nuk është e vëshirë t’ua zbulosh “çalimet”. Ato ua vëren fare lehte edhe nga një komunikim ndërpersonal, ose edhe duke biseduar për fushën që ata kanë studiuar, ku menjëherë mund të nxjerrësh në pah mangësitë e tyre të formimit. Mangësi të tilla, mund t’i hasësh pothuaje në të gjitha fushat, e më e keqja është se individë të tillë ka mjaft edhe nëpër dikastere udhëheqëse.
Dita-ditës jemi dëshmitarë të situatave të ndryshme ku njerëz që përfaqësojnë institucione dhe mbulojnë detyra përgjegjëse në shoqëri, nuk shfaqin komunikim publik të admirueshëm. Dhe duke qenë të tillë, menjëherë lënë hapësirë për dyshime se si ata janë arsimuar dhe kualifikuar në fushën relevante. Mirëpo, për fat të keq, kjo nuk është e vetmja dukuri negative me të cilën ndeshemi.
Përveç atyre të cilët janë të punësuar në një x ndërmarrje apo dikaster dhe që kanë mangësi të theksuara njohurish për postin që mbulojnë, kemi edhe të tillë të cilët mund të jenë të kyçur në një post apo detyrë të rëndësishme, por që të mos kenë mbaruar as shkollën e lartë-universitetin.
Pikërisht, kjo dukuri nga njëra anë do të duhej të na brengoste, por nga ana tjetër edhe të na vetëdijësonte që të bëhemi më të përgjegjshëm që të reflektojmë dhe të mendojmë nëse ne vërtetë i përmbushim kriteret për të kryer një detyrë të rëndësishme që na jepet, të mendojmë nëse kemi aftësi dhe përgatitje të duhur, dhe jo të mendojmë vetëm se si do të marrim një rrogë në fund të muajit për të siguruar mirëqenien tonë dhe të familjes, sepse nëse veprojnë kështu pa na vrarë ndërgjegjia, pasojat do të jenë të shumëfishta. Dhe me këtë lloj trendi të punës, më shumë do të sjellim dëme në shoqëri, se sa dobi.
Në përgjithësi hasim njerëz të cilët aspirojnë të kenë një kualifikim (diplomë) në një degë të caktuar të universitetit, por pa u lodhur shumë që të frekuentojnë auditoret, pa lexuar ndonjë libër, dhe pa marrë mundin që të shpenzojnë kohë për të vajtur në ndonjë librari apo bibliotekë të qytetit. Me një fjalë, marrin tituj shkencorë dhe akademikë, me fare pak mund, e rrjedhimisht, me shumë më pak njohuri.
Në këtë kuadër, ata që janë të prirur për një shkollim të tillë, duhet të ndryshojnë botëkuptimin e tyre, që t’i shikojnë gjërat me një sy ndryshe, dhe të frenojnë një praktikë të tillë, pasi që jam i bindur se edhe ata vetë e dinë se, me punën e tyre, më shumë prodhojnë dëme tek gjeneratat pasardhëse, se ç’sjellin përfitim.
Pra, le të ngrisim vetëdijen tonë dhe të bëhemi njerëz të dobishëm në shoqëri, të sakrifikojmë dhe të përkushtohemi për të pasur intelektin tonë, dhe që me aftësitë tona të admirohemi nga të tjerët, e të japim kontributin më të mirë të mundshëm nga lëmia jonë, sepse, në një shoqëri ku mund të dominojnë “analfabetët me diploma”, nuk mund të ketë perspektivë dhe të ardhme të ndritur.
