Dua të filloj duke falënderuar mikpritësit tanë të sotëm për lehtësimin e këtij takimi të presidentëve në rajon në një kohë kaq të paprecedentë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por për mbarë botën.
Por sidoqoftë, kohët si këto tregojnë nevojën absolute për bashkëpunim midis nesh, si fqinjë, në baza të barabarta dhe nevojën për reflektim dhe ndershmëri mbi mënyrën se si ne kolektivisht ecim përpara.
Ky eveniment shënon 10-vjetorin e procesit Brdo-Brioni.
Sot duhet t’i kujtojmë vetes pse e filluam këtë dhe ta përdorim si motiv për të hequr barrierat dhe pengesat dypalëshe të cilat na kanë ngadalësuar gjatë rrugës.
Ne duhet të reflektojmë për atë që është arritur, dhe në të vërtetë atë që nuk është arritur, dhe ç’është më e rëndësishmja, se si mund ta kompensojmë këtë mosarritje.
Ky moment i rëndësishëm është një përkujtues i nevojës urgjente për një bashkëpunim më të madh rajonal me qëllim përfundimtar integrimin në Bashkimin Evropian.
Me një perspektivë të qartë të BE-së për të gjithë, dhe angazhime të definuara mirë për bashkëpunim më të ngushtë, ne e vendosim veten në një pozitë shumë më të mirë për të mishëruar dhe implementuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian: respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për avancimin e vlerave të BE-së dhe bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe politik në frymën e vërtetë të Procesit Brdo-Brioni.
Për më shumë se një vit rajoni ynë dhe e gjithë bota janë përballur me pandeminë vdekjeprurëse COVID-19. Ne kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të rëndësishme në komunitetet tona, të tilla si fëmijët që kalojnë me shpejtësi në mësimin në distancë, shumë punonjës që punojnë nga shtëpia dhe firma të shumta që miratojnë modele dixhitale të biznesit për të ruajtur veprimtarinë dhe për të ruajtur rrjedhën e të ardhurave.
Unë besoj thelbësisht se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian. Kështu që, unë e them këtë këtu sot, dhe do t’ua them kolegëve në tërë Evropën – BE-ja duhet të hapë dyert për të gjitha vendet në rajonin tonë që përmbushin kriteret e nevojshme dhe me të vërtetë angazhohen dhe kontribuojnë në demokratizim, stabilitet, drejtësi dhe sundim të ligjit
Pandemia ka paraqitur sfida serioze për politikë-bërësit në të gjitha vendet tona, por gjithashtu ka ofruar një mundësi për marrjen e mësimeve të vlefshme.
Ekziston një pritje e qartë nga qytetarët që ekonomitë tona përkatëse duhet të arrijnë një shpërndarje më efikase dhe më të drejtë të burimeve me qëllim të rritjes së produktivitetit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Kjo kërkon ndryshim të përqendruar në inovacion dhe sipërmarrje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne gjithashtu kemi kuptuar që vetëm përmes veprimit të koordinuar, solidaritetit dhe multilateralizmit të institucionalizuar mund të kemi një shans për të ruajtur demokracitë tona dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Dhe përderisa ne vazhdojmë të luftojmë me sfidat e paraqitura nga pandemia dhe të përqendrohemi në rimëkëmbjen ekonomike, ne kemi nevojë për veprim të guximshëm dhe udhëheqje që plotësojnë nevojat e qytetarëve tanë dhe të shoqërisë sonë kolektive, në shekullin e 21-të.
Ne kemi një momentum për ndryshim të mirëfilltë dhe këtë duhet ta përdorim me mençuri.
Kur të gjithë të shkojmë në shtëpi pas samiteve globale dhe takimeve si ky i sotmi, unë besoj se pritja nga qytetarët tanë është që të kthehemi me qëllime dhe ambicie të arritshme, jo vetëm përshëndetje për hir të kamerave.
Ne duhet të punojmë shumë për të përqafuar dhe zbatuar modelet e bashkëpunimit rajonal të bazuara në rregullat e BE-së, të cilat promovojnë marrëdhënie të zgjeruara tregtare dhe adresimin e mangësive në lidhje me sundimin e ligjit dhe papunësinë, dhe të punojmë për të intensifikuar shkëmbimet kulturore, arsimore dhe sportive, për të zhvilluar infrastrukturë më të mirë, si dhe, të shohim se si ne përdorim teknologjinë dhe dixhitalizimin për të rritur mirëqenien e përgjithshme.
Dhe, përderisa e bëjmë këtë, ne duhet të qëndrojmë të përqendruar në ndjekjen e udhërrëfyesit të vendosur nga Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe së bashku të biem dakord për t’i kthyer sfidat mjedisore dhe klimatike në mundësi në të gjitha fushat e politikave. Me shkallën dhe ritmin e ndryshimit të kërkuar, ne do të kemi nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian për të siguruar shpërndarje të barabartë midis vendeve tona.
Pyetja për rajonin tonë nuk duhet të jetë “Nëse Bashkimi Evropian?”
Pyetja duhet të jetë “Kur?”
Sa më shpejt të përfundojë procesi i zgjerimit, aq më shpejt do të jetë i përfunduar vetë projekti i Bashkimit Evropian. Përfshirja e Republikës së Kosovës dhe atyre vendeve të Ballkanin Perëndimor që kryejnë reformat e nevojshme është thelbësore për suksesin e BE-së.
Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet BE-ja, ato janë të shumëfishta. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për rezistencën e disa shteteve anëtare ndaj idesë së anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por duhet t’u bëhet e qartë të gjithëve që vënë në dyshim anëtarësimin e rajonit se rezistenca e tyre do të kontribuojë vetëm në një gjë – dhe kjo është se do të nxisë paqëndrueshmërinë dhe do të krijojë mundësi për aktorët malinj të ushtrojnë ndikim në rajonin tonë, gjë që nga ana tjetër mund të destabilizojë tërë kontinentin.
Anasjelltas, anëtarësia jonë është garantuese për stabilitetin, paqen e qëndrueshme dhe mirëqenien e shtuar përbrenda kufijve të Evropës.
Por ndërsa secila nga vendet tona vazhdon të bëjë pjesën e vet të punës, Bashkimi Evropian duhet ta kryej detyrimin e vet.
Dhe në rastin e Republikës së Kosovës, BE-ja ende nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vonuar për t’u dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave. Ndërsa e ka përmbushur këtë premtim për shumë vende, përfshirë edhe ato në Lindjen e Largët dhe Amerikën Latine, këtë nuk e ka bërë për ne.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mbeten të izoluar dhe peng i shqyrtimeve (konsideratave) të brendshme politike të disa shteteve anëtare. Republika jonë është vendi më pro-BE në rajon, dhe institucionet tona kanë përmbushur dyfishin e kritereve në lidhje me liberalizimin e vizave krahasuar me të gjitha vendet e tjera në rajon, dhe është shtëpia e vetme e 1.8 milion qytetarëve.
Është thelbësore që ‘Perspektiva jonë Evropiane’ të mos mbetet vetëm një frazë e zbrazët. Ne i kemi përmbushur detyrat tona, kështu që ato tani duhet të japin rezultate.
Populli im dhe vendi im besojnë në këtë projekt. Ne besojmë në vlerat evropiane dhe ne riafirmuam angazhimin tonë për këto vlera në zgjedhjet e fundit.
Unë besoj thelbësisht se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian. Kështu që, unë e them këtë këtu sot, dhe do t’ua them kolegëve në tërë Evropën – BE-ja duhet të hapë dyert për të gjitha vendet në rajonin tonë që përmbushin kriteret e nevojshme dhe me të vërtetë angazhohen dhe kontribuojnë në demokratizim, stabilitet, drejtësi dhe sundim të ligjit.
Të dashur kolegë, marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk duhet të mbeten vetëm një frazë e zbrazët. Një fqinj i mirë as nuk ndërhyn dhe as nuk destabilizon një tjetër. Një fqinj i mirë respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të tjetrit. Një fqinj i mirë nuk bëhet një instrument i akterëve keqdashës rus apo të tjerë për të ndikuar në rajonin tonë.
Ne duhet të punojmë për t’iu kundërvënë ndërhyrjeve të tilla.
BE-ja nuk duhet të jetë vetëm një alternativë. Duhet të jetë opsioni i vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse, siç thotë shprehja: nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë.
Sa i përket udhëtimit tonë evropian, Kosova beson fuqimisht se NATO ka qenë një komponent thelbësor i paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Jam shumë e kënaqur që gjithnjë e më shumë vende nga rajoni jonë i janë bashkuar kësaj aleance që siguron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ne, në Kosovë, jemi të përkushtuar të bëjmë të njëjtën gjë, sepse anëtarësimi në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimi në NATO mbeten një përparësi strategjike.
