
Unifikimi i arsimit kombëtar, në mbarë gjeografinë etnike shqiptare, është një ideal dhe objektiv i natyrshëm. Ky ideal, me rrenjë në format e para të arsimit shqip, i përpunuar dhe projektuar nga korifejtë e Rilindjes Kombëtare, ishte udhërrëfyes për shumë breza mësuesish, veprimtarësh dhe intelektualësh atdhetarë shqiptarë. Realizimi i këtij ideali madhor sot në “epokën e shqiptarëve” dhe të integrimeve shumëplanëshe rajonale, euro-atlantike e globale, për shumëçka varet nga vullneti, përkushtimi dhe puna e vetë shqiptarëve.
Shkolla e parë dhe më e natyrshme e njeriut, si në kuptimin filologjik, ashtu edhe në atë ontologjik, është familja, ndërsa fillet e para të shkollës si institucion arsimor lidhen me zbulimin e shkrimit, përkatësisht me mësimin dhe përdorimin e tij. Parimisht, fillet e arsimit dhe shkollës shqipe duhet kërkuar te alfabeti (shkrimi) i parë i gjuhës shqipe, i cili, sipas Faik Konicës, zuri fill në Principatën e Arbërit (shek. XII), por që kjo mbetet për t’u provuar shkencërisht.
- Monumentet e para të arsimit shqip – Shkollat e para shqipe dëshmohen qysh në shek. XVII. Ato ishin shkollat katolike në gjuhën shqipe si në Kurbin, Pllanë, Blinisht, Janjevë, Stubëll etj., por shkolla të ngjashme kishte edhe më parë. Siç dihet, Lekë Matrënga qysh në vitin 1592 u mor me mësimin e katekizmit në gjuhën shqipe bashkëvendësve të vet në Horë afër Palermos, për çka nga gjuha italine në atë shqipe ai përktheu edhe katekizmin “E mbësuame e krishtërë”. Shkollat katolike me mësim në gjuhën shqipe, zakonisht ishin shkolla elementare (të famullisë), me kohëzgjatje të ndryshme, me numër të vogël nxënësish, të cilat u themeluan dhe vepruan në kushte tejet të vështira dhe mbijetuan me përpjekje dhe sakrifica të mëdha. Përveç mësimit fetar, nxënësit mësonin edhe lexim, shkrim, elemente të historisë, gjeografisë etj. Këto shkolla luajtën rol të rëndësishëm për mbejetesën e fesë katolike, për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare dhe kulturës etnike arbërore, për vijimin e lidhjes tradicionale të kulturës arbërore me kulturën dhe qytetërimin euro-perëndimor gjatë periudhës së sundimit osman. Me punën mësimore në këto shkolla lidhen edhe mësuesit e parë shqiptarë, tekstet e para shkollore në gjuhën shqipe, terminologjia shkollore në këtë gjuhë, si; xanës, me xanë, mësues, libër, etj. Këto përpjekje të klerit katolik shqiptar u kurorëzuan me Kuvendin e Arbnit (1703), ku u shtrua nevoja që të ruhet identiteti etnik dhe fetar i shqiptarëve, që misionarët dhe krerët kishtarë të dinë gjuhën shqipe, që të vijojë dhe të intensifikohet veprimtaria e shkollave katolike shqipe, të kultivohet gjuha dhe traditat e mira vendore, të përkthehen dhe të botohen libra në gjuhën shqipe etj. Përgjithësisht, shkollat e para katolike shqipe ishin monumentet e para të arsimit dhe shkollës shqipe, ndërsa mësuesit e tyre (Andrea Bogdani, Pal Hasi, Pjetër Budi, Gegë e Pjetër Mazreku etj.) ishin mësuesit e parë të këtyre shkollave dhe shejtdëshmorë të tyre.
Përpjekje dhe kontribute me vlerë për gjuhën dhe shkollën shqipe dhanë edhe veprimtarë dhe intelektualë të besimit ortodoks, sidomos Teodor Kavaliti me shokë, me përkthime e vepra origjinale, me Akademinë e Voskopojës etj., si dhe klerikë e intelektualë të besimit mysliman, në radhë të bejtexhinjtë, të cilët kontribuan shumë për pasurimin e kulturës dhe gjuhës shqipe, nëpërmjet përkthimeve e veprave origjinale letrare dhe institucioneve të tyre fetare e arsimore. Kështu, Baba Meleqi, gjuhës shqipe i këndon me shpirt atdhedashurie, ashtu siç i kënduan asaj edhe Naimi, Mjeda apo Fishta. Ndër të tjera, ai ligjëron: Këtë gjuhë të bekuar / Kush ia dha kështu Shqipërisë, / Kjo është lule e uruar / Qindisur prej Perëndisë.
Shkollat e para kombëtare shqipe. Naum Veqilharxhi, sikurse edhe rilindësit e tjerë, “ëvetë” (shkronjat) dhe “ëvetaret” (abetaret) e tij ia dedikoi “Gjithë Shqipërisë,…gjithë Toskërisë, Elbasan e gjithë Gegërisë, e gjithë atyreve që mbajnë nga rrënja e Shqipërisë të hequr e të përndarë.” Gjatë kohës të zgjimit kombëtar do të zhvillohen ngjarje të mëdha, si Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), Shoqëria e Stambollit (1879), klubet, shoqatat, shtypi kombëtar etj., si dhe shkollat kombëtare shqipe, duke filluar me Mësonjëtoren e Korçës (1887), për të cilën Ndre Mjeda, ndër të tjera, do të shkruajë:…nji pakicë ferishte / Qi fjalën e nanës belboshin, / E n’agim t’jetës u mësoshin, / N’ zyre t’njerzisë, në dashtnim.
Përpjekjet e rilindësve shqiptarë për shkollë kombëtare do të kulmojë me Normalen e Elbasanit (1909), shkolla e parë e mesme pedagogjike shqipe në trojet shqiptare, të cilën Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i saj, e cilësoi si “tempulli i diturisë kombëtare”. Shkollat kombëtare shqipe ishin shkolla naimiane, të përbashkëta, me programe, tekste, ambient dhe shpirt kombëtar. “Kur flasim për shkolla shqipe (thotë Gurakuqi), duhet të marrim vesh jo vetëm ato ku të mësohet shqipja, po më tepër ato ku mësimi të jetë gjithshqiptar, si në formë ashtu edhe në shpirt, ku të jepet nji mësim që të rrjedhë nga zakonet tona e t’i përgjigjen nevojave të kombit tonë, si të landëshme, si të palandëshme .”
Numri i shkollave shqipe fetare dhe kombëtare në raport me shkollat e tjera në gjeografinë shqiptare ishte shumë i vogël. Të dhënat statistikore nga fundi i shek. XIX dëshmojnë se “në Vilajetin e Manastirit, të Kosovës, të Shkodrës dhe të Janinës, në të cilët shumica ose pjesa më e popullsisë ishte shqiptare, kishte 1187 shkolla turke, nga të cilat 1.125 shkolla fillore, 57 shkolla të mesme të ulta (ruzhdie), 5 shkolla të mesme të plota (idadie); më shumë se 1.000 shkolla greke dhe mbi 30 shkolla bullgare, serbe e vllahe. Aty-këtu kanë egzistuar shkolla edhe në gjuhën italiane dhe ndonjë shkollë në gjuhën frënge apo angleze.”
Rilindësit shqiptarë ishin ideatorë dhe autorë të projektit të parë të sistemit të arsimit kombëtar, me të gjitha shkallët e shkollimit, të cilin në formë të një programi kombëtar e paraqiti Sami Frashëri në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899).
Në Kongresin e Manastirit (1908), rilindësit miratuan edhe alfabetin kombëtar, alfabetin unik të shqipes. Alfabeti i shqipes me shkronja latine, dalë nga ky kongres ishte dhe është një nga faktorët themelorë të arsimit kombëtar në mbarë hapësirën shqiptare. Një vit më vonë. Parashqevi Qiriazi hartoi dhe botoi abetaren e parë për mësimin e alfabetit shqip të Manastirit. - Sistemi i arsimit në Shqipërinë e pavarur dhe arsimi i shqiptarëve jashtë kufinjëve të saj – Shqipëria e shpalli pavarësinë më 1912, me synim që sovranitetin e saj ta shtrij në të katër vilajetet shqiptare, por kjo nuk ndodhi. Me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të Rusisë, Kosova dhe shumë vise të tjera shqiptare u pushtuan nga sllavët e jugut, ndërsa Çamëria nga grekët, të cilët me çdo mjet dhe formë luftuan egërsisht kundër gjuhës, shkollës dhe arsimit shqip. Në Shqipërinë e cunguar (londineze) u krijuan kushtet themelore politike dhe ekonomike për sendërtimin e një sistemi arsimor të mirëfilltë kombëtar. Themeluese dhe drejtuese e këtij sistemi ishte Ministria e Arsimit, drejtuar nga Luigj Gurakuqi (ministër i parë i arsimit shqiptar). Këtë ministri Aleksandër Xhuvani e cilëson “tempulli i naltë i kulturës së popullit”, kur u përdor “së pari fjala arsim, për të kallxue kuptimin e mësimit, të rritjes mendore e morale të brezit të ri e gjithazi kulturës së popullit”.
Edhe shqiptarët e zonave të pushtuara, sa herë që u krijuan rrethana të favorshme politike, i shfrytëzuan ato edhe për hapjen e shkollave shqipe dhe arsim kombëtar. Kështu, në vitet 1915-1918, në Kosovë dhe në treva të tjera nën administrimin ushtarak austro-hungarez u hapën 50 shkolla, me rreth 100 mësues dhe 4.000 nxënës. Shkollat shqipe punuan me program e tekste mësimore unike dhe ishin nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit, me seli në Shkodër. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në trevat shqiptare të pushtuara nga italianët, në mbarë “Shqipnin ethnike” u ngrit, për herë të parë, një sistem i arsimit mbarëshqiptar, me program e tekste unike, i drejtuar nga Ministria e Arsimit, me seli në Tiranë (kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve), me ministër Ernest Koliqin.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipërinë etnike sërish e ndanë me dhunë në dy pjesë kryesore: nga njëra anë Republika Popullore e Shqipërisë, nga ana tjetër Kosova me viset e tjera shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia. Sistemi i arsimit në Shqipërinë socialiste synonte edukimin komunist të brezit të ri, ndërsa nëpërmjet arsimit jugosllav synohej edukimi i brezit të ri në frymën e patriotizmit socialist jugosllav. Përkundër politizimit dhe ideologjizimit të skajshëm të arsimit, shqiptarët e ndarë në dy pjesë arriten rezultate të konsiderueshme në këtë fushë, duke përfshirë edhe masivizimin e tij. U themeluan edhe universitetet e para të shqiptarëve: Universiteti i Tiranës (1957) dhe Universiteti i Prishtinës (1970). Në Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë, 1972) u vendos unifikimi, standardizimi i gjuhës shqipe. Gjuha e unifikuar dhe standard shqipe u shndërrua në një faktor tjetër unifikues të arsimot kombëtar.
(Vijon)
(Vijon nga numri i kaluar)
- Dy shtete shqiptare dhe arsimi kombëtar – Në fund të shek. XX, përkatësisht, në vitet 1991-1999, mori jetë një sistem tjerër i arsimit shqiptar, ai i Kosovës, i njohur si “sistem paralel i arsimit”. Pasoi shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008), pavarësia e krahut tjetër të Shqipërisë etnike. Bashkimi kombëtar ishte dhe është ideal i çdo shqiptari, i cili e ndjen veten shqiptar. Nuk ka asnjë arsye që përpjekjet e sakrificat e shumë brezave të mësuesve dhe të veprimtarëve të tjerë për shkollë e bashkim kombëtar të “harrohet” apo të anatemohen e të cilësohen si të tejkaluara, anakronike, jashtë kohe, nacionaliste në kuptimin negativ etj.
Shpesh thuhet se shkekulli XXI është “shekulli i shqiptarëve”, por kjo nuk nëkupton se janë krijuar kushtet për bashkimin politik të tyre. Ndonëse një bashkim i tillë bie ndesh me politikat e institucioneve të Bashkësisë Ndërkombëtare, kjo nuk mund ta ndalojë punën dhe përpjekjet e popullit tonë për bashkim dhe integrim më të fuqishëm shpirtëror, arsimor e kulturor. Krijimi i Hapësirës Shqiptare të Arsimit nuk bie ndesh me krijimin dhe zhvillimin Hapësirës Evropiane të Arsimit. Për më tepër, ato janë komplementare, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Kosova synojnë vlerat perëndimore- Bashkimin Evropian.
Ekzistemi i Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete shqiptare të pavarura dhe me përmirësimin i satusit politik të shqiptarëve në Maqenoni të Veriut e Mal të Zi, u krijun kushte dhe mundësi për komunikimin dhe bashkëpunim midis tyre në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe arsimin e kulturën. Rezultatet e këtij bashkëpunimi në këto fusha janë evidente dhe për t’u vlerësuar. Megjithatë, ka mundësi dhe hapësira më të mëdha për avancimin e këtij bashkëpunimi me synim integrimin më të madh arsimor dhe kulturor të kombit shqiptar. Disa nga çështjet ku ka vend dhe duhet punuar më shumë dhe më me përkushtim janë:
Kombi shqiptar. Kombi shqiptar është një dhe unik është postulat, i cili nuk diskutohet. Jo komb shqiptar e komb kosovar, por vetëm komb shqiptar. Kosovarët, çamët, shkodranët etj. janë pjesë integrale e kombit shqiptar. Jo “ne” (kosovarët) dhe “ata” (shqiptarët) ose anasjelltas. Ndonjë injorant “argumenton” se “entiteti kosovar” na e paska zanafillën në Dardaninë antike, sepse ashtu “e lypë koha” (Histori se jo mahi!). Nuk ka nevojë që, për një arsye apo për tjetër, të përdoren eufemizma, si p.sh. “trevat shqipfolëse”, por duhet thënë me gojën plot “trevat shqiptare”. Shqipfolës është çdokush që di apo ka mësuar të flas shqip, ndërsa shqiptarët janë një komb me tradita, histori, kulturë e gjeografi të përmbashkët, e mbi të gjitha, me një gjuhë unike indo-evropiane. Përpjekjet e tilla për përçarje e krijim të “kombeve” të reja në shek. XXI, janë të papranueshme dhe bien ndesh me prirjet integruese, jo vetëm kombëtare, por edhe evro-atlantike dhe globale.
Gjuha shqipe. Një komb një gjuhë. Gjuha standarde shqipe është gjuha e të gjithë shqiptarëve, e cila nënkupton edhe standardizimin e terminologjise profesionale-shkencore, duke përfshirë edhe atë shkollore. Gjuhëtarët dhe profesionistët e arsimit shqiptar janë ata që duhet të punojnë më shumë për unifikimin e kësaj terminologjie në shkallë kombëtare. Veç kësaj, të gjithë duhet punuar shumë më tepër për mbojtjen e gjuhës shqipe, të kësaj pasurie të madhe kombëtare, nga dëmtimi e shkatërrimi i pamëshirshëm i saj, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në institucionet e tjera publike e zyrtare. Vetëm vërshimi i fjalëve të huaja në këtë gjuhë, pa asnjë kriter dhe gabimet e tmerrshme drejtshkrimore janë një kambanë alarmi për të gjithë ata që munden ta ndalojnë shëmtimin e kësaj vlere etnike e kombëtare 6.000 vjeçare. Në këto rrethana, është e doemosdoshme që institucionet relevante të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, TË MIRATOJNË LIGJIN PËR RUAJTJEN E GJUHËS SHQIPE.
Sistemi arsimor. Arsimi në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor ishin dhe janë objekt reformash, me synim arritjen e standardeve të përparuara evropiane në këtë fushë. Sipas konceptit evropian, arsimi cilësor është themelor, përkatësisht çelës për integrimin e suksesshëm evropian e global, e për rrjedhojë edhe për integrimin kombëtar, në rastin konkret të shqiptarëve, ende të ndarë në disa shtete. Kjo krijon terren të favorshëm dhe hap rrugë për përafrim dhe integrim të mëtejshëm, sidomos të sistemeve arsimore në Shqipëri dhe atij në Kosovë. Në këtë kontekst, ka vend për përmirësime e integrime në të gjitha fushat.
Legjislacioni shkollor. Legjislacioni shkollor është fushë konkrete e arsimit, ku mund dhe duhet të ketë bashkëpunim më të frytshëm midis institucioneve relevante të Shqipërisë dhe të Kosovës, në të mirë të cilësisë dhe përafrimit të sistemeve të arsimit në këto dy vende. Kjo mbështetet në traditën kombëtare arsimore dhe në përpjekjet e përbashkëta për krijimin e kuadrit ligjor të arsimit sipas modelit dhe standardeve evropiane, me synim që arsimi në këto vende të integrohet natyrshëm në Hapësirën Evropiane të Arsimit.
Kurrikulat shkollore. Kurrikulat shkollore në institucionet arsimore shqiptare përbëjnë një hapësirë të gjerë ku mund të bashkëpunojnë ekspertë nga Tirana, Prishtina, Shkupi etj., me synim përafrimin dhe unifikimin e përmbajtjeve, kompetencave e metodologjisë mësimore, sistemin e notave e të notuarit e nxënësit etj., pa cënuar veçoritë e institucioneve arsimore në vendet respektive. Për më tepër, kurrikulat shkollore, sidomos ato universitare, duhet të jenë të krahasueshme me kurrikulat universitare të universiteteve në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Tekstet shkollore. Ndonëse raste të teksteve mësimore shqipe të përbashkëta ka pasur edhe më parë, shqetësues është fakti që nuk është punuar më shumë në këtë drejtim. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë u përurua abetarja e unifikuar shqipe. Kjo praktikë e teksteve mësimore të përbashkëta duhet intensifikuar, duke synuar cilësinë e tyre, natyrisht pa cënuar praktikën e teksteve mësimore alternative. Ka mundësi që shumë tekste shkollore të botuesve më të shquar evropianë, të përkthehen në gjuhën shqipe dhe të përdoren në hapësirën mbarëshqiptare. Është praktikë e konsoliduar që i njëjti tekst universitar të përdoret në Nju Jork, Londër, Singapor etj.
Mobiliteti i mësimdhënësve, studentëve, nxënësve dhe bashkëpunimi midis institucioneve të arsimit. Bashkëpunimi midis institucioneve të arsimit në Shqipëri, Kosovë etj., është praktikë e njohur, por ky bashkëpunim dhe mobilitet i stafit mësimor, studentëve dhe nxënësve në mbarë gjeografinë shqiptare e më gjerë, duhet të shndërrohet në një proces të rëndomtë, shumë i dobishëm për të gjithë. Një tendencë e tillë është themelore edhe për ingerimin evropian. Realizimin praktik të mobilitetit dhe bashkëpunimit midis institucioneve arsimore e lehtëson shumë digjitalizimi i arsimit, që mundëson realizimin e mësimit pa pjesëmarrjen fizike të fakorëve subjektivë të tij (studentit, mësimdhënësit) në institucionet përkatëse.
Institucionet, asociociacionet dhe aktivitetet gjithëshqiptare në arsim. Të shumta janë institucionet, asociacionet dhe format e tjera në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe arsimin, me karakter rajonal, kontinental, global etj. Forma të tilla gjithëpërfshirëse (konferenca, kongrese, projekte, komisione etj.) organizojnë edhe shqiptarët. Megjithatë, ka ardhur koha që të themelohen edhe institucione, asociacione e forma të tjera arsimore mbarëkombëtare, si: Akademia Shqiptare e Shkencave të Edukimit, Instituti Kombëtar i Zhvillimit të Arsimit, Qendra Kombëtare e Aftësimit Profesional të Mësuesve, Asociacioni i Mësimdhënësve Shqiptarë etj, dhe forma të tjera institucionale bashkëpunimi, me peshë mbarëkombëtare.
Urojmë dhe shpresojmë që të gjitha këto dhe të tjera si këto të intensifikojnë veprimtarinë e tyre drejt integrimit dhe unifikimit të arsimit kombëtar shqiptar.
(Fund)
