Disa të vërteta për Hashim Thaçin dhe shokët e tij në Hagë

Nuk e di pse, por as ne si vëllezër e motra nuk kemi bërë mjaft në mbrojtjen e tyre. Shumë institucione, organizata private dhe qendra fetare nuk e kanë bërë detyrën e tyre. Ata sot veprojnë lirisht për faktin se UÇK-ja e solli lirinë. Nuk kemi dëgjuar që ndonjë klerik mysliman apo katolik të ketë bërë ndonjë lutje fetare për lirimin e tyre, edhe pse libri i shenjtë thotë: “Vizitoje të burgosurin”. Përveç imzot Rrok Gjonlleshajt, klerikët tjerë nuk kanë bërë asnjë hap për t’i ndihmuar ata

Gjekë Gjonlekaj / New York

Disa vjet më parë, Hashim Thaçi më kishte dhënë dhuratë, bile me nënshkrim, librin me titull “New State, Modern Statesman”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Shtet i ri, burrë shteti modern”.
Libri ishte botuar në Londër nga autorët Roger Boys dhe Suzy Jagger. Parathënien e këtij libri e kishte shkruar senatori i mirënjohur amerikan Robert Dole dhe komentet kyesore në faqen e kopertinës së fundit ishin shkruar nga sekretarja e Shtetit Medlin Ollbrajt (Madeleine Albright). Bobe Dole shkruan gjerësisht në hyrjen e kësaj monografie. Ai thotë: “Kosova kishte pasur një rrugëtim të vështirë dhe një burrë të rëndësishem për zvillimet demokratike në këtë bastion të demokracisë në Ballkan, që është Hashim Thaçi. Si një djalë i ri, që ishte më pak se 30 vjeç, ai drejtoi delegacionin shqiptar të Kosovës në Konferencën në Rambuje të Francës. Ai erdhi në tryezën e bisedimeve si i panjohur, por pas përfundimit të konferences dy javë më vonë, ai u pranua si zë i arsyes gjatë kohës së disa përçarjeve të brendshme. Aftësia e tij e rreptë për t’i bindur shokët e luftës për të arritur një kompromis, nuk ishte punë e lehtë, sidomos për ata në fushëbetejë që ishin dëshmitarë të mizorive të shkaktuara nga forcat serbe, Rrugëtimi i Thaçit ishte rrugëtimi i Kosovës, ngase na kujtonte përpjekjet amerikane për pavarësi. Ne i pamë vlerat tona që u pasqyruan në përkushtimin e Kosovës për vetëvendosje dhe të drejtat e njeriut. Kosova është shëmbull i suksesit. Kosova kishte edhe ‘baballarë të tjerë’ gjatë dekadave të fundit. Ata u përpoqën të organizojnë qëndresë paqësore. Por Millosheviqi nuk besonte në dialogun me shqiptarët e Kosovës. U desh një udhëheqje e gjeneratës së re, e drejtuar nga Hashim Thaçi, për t’i thirrur aleatët e Kosovës për veprim. Thaçi i humbi zgjedhjet e para elektorale, por i pranoi rezultatet e zgjedhjeve, pavarësisht se kishte qenë udhëheqës politik i UÇK-së, duke dhënë sinjale për një epokë të re dhe sjellje demokratike midis shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 2008, i posazgjedhur kryeministër, Thaçi shpalli Deklaratën e Pavarësisë, duke themeluar shtetin më të ri në Evropë dhe duke siguruar lirinë demokratike për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Këto ishin disa nga komentet e senatorit Bob Dole për Hashim Thaçin dhe librin e tij të lartëpërmendur.
Në pranverën e vitit 1998 isha emëruar nga Amnesty International zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për mua ishte një lajm i mirë, sepse një organizatë botërore, siç është kjo, e njihte si organizatë çlirimtare e jo terroriste. Në cilësinë e zëdhënësit kisha pranuar dokumente shumë të rëndësishme, sepse ato ishin në shqip dhe anglisht, pjesë të Konventës së Gjenevës së vitit 1949 për robërit e luftës dhe trajtimin e tyre nëse ata zihen robër. Këtë dokument ua kisha bërë të ditur Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt gjatë vizitës së tyre të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në verën e vitit 1999. Ata thanë se në mënyrë absolute nuk kishin kryer asnjë vepër që bie ndesh me Konventën e Gjenevës, të vitit 1949. Ne kemi bërë vetëm ato veprime që na kishte kërkuar NATO.
Gjatë luftës në Kosovë isha shumë kurioz për shkrimet në shtypin amerikan dhe komentet e luftës së UÇK-së. Gazeta “The New York Times” kishte botuar disa qindra shkrime, por asnjëherë nuk kisha lexuar përshkrime të mbrapshta, bile disa revista siç ishte për shembull “Newsweek” shkruante mrekullisht mirë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë Konferencës së Rambujesë u kisha dërguar me faks artikuj të shypit amerikan. Hashim Thaçi m’i kishte kërkuar shkrimet e tilla. Disa herë edhe i kisha përkthyer në gjuhën shqipe. Gjatë asaj konference kisha shkuar dy herë në Rambuje, bile kisha marrë pjesë në konferencën e parë të shtypit, të cilën e drejtonte ambasadori Kristofer (Christopher) Hill.
Nuk e di pse, por as ne si vëllezër e motra nuk kemi bërë mjaft në mbrojtjen e tyre. Shumë institucione, organizata private dhe qendra fetare nuk e kanë bërë detyrën e tyre. Ata sot veprojnë lirisht për faktin se UÇK-ja e solli lirinë. Nuk kemi dëgjuar që ndonjë klerik mysliman apo katolik të ketë bërë ndonjë lutje fetare për lirimin e tyre, edhe pse libri i shenjtë thotë: “Vizitoje të burgosurin”. Përveç imzot Rrok Gjonlleshajt, klerikët tjerë nuk kanë bërë asnjë hap për t’i ndihmuar ata.
Profesor Jakupi Krasniqi është akuzuar gjoja për veprime antikatolike, që në mënyrë absolute nuk është e vërtetë. Ai kurrë në jetën e tij nuk ka bërë vepra të tilla, sepse është i edukuar, i arsimuar dhe i vuajtur për qëndrimet e tij patriotike. Jakup Krasniqi ka drejtuar dy-tri ceremoni fetare për Nënën Tereze në Katedralen e Prishtinës. Kështu kishte vepruar edhe Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Menjëherë pas luftës, në verën e vitit 1999, një grup shqiptarësh nga Nju Jorku i ishim drejtuar kryeministrit të perkohshëm Hashim Thaçit që të bënte thirrje për fillimin e punimeve të katedrales në Prishtinë. Ai e kishte bërë publke kërkesën tonë dhe i ishte drejtuar imzot Mark Sopit për këtë çështje. Të gjithë e pranojnë se Hashim Thaçi kishte mbajtur një fjalim të shkëlqyeshëm në përurimin e katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, në kohën kur ishte President i Kosovës.
Nuk kemi dëgjuar që Akademia e Shkencave dhe e Arteve ose universitetet e Kosovës ose shkollat e larta dhe akademitë e ndryshme të kenë bërë ndonjë reagim serioz për këtë çështje. Hashim Thaçi ishte dhe është një politikan dhe diplomat me renome ndërkombëtare. Ai jetoi e punoi tërë jetën për të mirën e Kosovës. Ky kolos i politikës shqiptare, kudo që shkonte nëpër botë pritej me nderime të jashtëzakonshme. Ai ishte pritur me nderime të mëdha nga presidentët Bill Klinton (Bill Clinton), Xhorxh Bush (George W. Bush) dhe Xho Bajden (Joe Biden). Të gjitha këto pritje ishin bërë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Madje Joe Biden e kishte quajtur Xhorxh Uashingtoni (George Washington) i Kosovës.
Ai ishte pritur me nderime të mëdha në Vatikan nga Papa Françesku. Të mos flasim për udhëheqësit tjerë të botës. Papa Françesku i kishte thënë një kleriku shqiptar nga Kosova që ju duhet të jeni të lumtur që keni një burrë shteti siç është Hashim Thaçi.
Gazeta “The New York Times” kishte botuar në verën e vitit 2016 një artikull të gjatë për jetën dhe veprën e tij. Bile një komision i Kongresit amerikan kishte propozuar që Hashim Thaçit t’i jepej Çmimi Nobel për Paqe.
Është detyra jonë njerëzore dhe kombëtare të bëjmë çka është e mundur për lirimin e këtyre katër burrave legjendarë të Kosovës. Unë personalisht gjatë këtyre ditëve do të ndezi disa qirinj në kishën time për lirimin dhe kthimin shëndosh e mirë në Kosovën dhe familjen e tyre të dashur.
GOD BLESS YOU MEN!

Të fundit

më të lexuarat