
Në skenën politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, u krijua një atmosferë polarizuese në mes fituesit të zgjedhjeve (Lëvizjes Vetëvendosje) dhe partive opozitare. Fillimisht u vonua në konstituimin e Kuvendit për të zgjedhur kryeparlamentarin e më pas edhe në zgjedhjen e Qeverisë. Në saje të rrethanave ekzistuese, pavarësisht se nuk i kishte votat e mjaftueshme, LVV tentoi të formojë qeverinë dy herë (26 tetor dhe 19 nëntor 2025), por në mungesë të numrave të nevojshëm – dështoi, duke qenë rasti i parë në Kosovë që partia fituese të mos arrijë të formojë qeverinë. Në një situatë të tillë, opozitës i është ofruar mundësia për të formuar qeverinë, por partitë opozitare refuzuan, sepse edhe atyre u mungonin numrat e nevojshëm.
Në tërë këtë situatë, del qartë se kundër LVV-së ishin të gjitha subjektet politike të opozitës, sepse nuk kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por e kanë kushtëzuar bashkëpunimin, që nuk ishte në favor të kompromisit politik në të mirë të Kosovës. Dhe nga situata e krijuar, e vetmja mundësi e mbetur ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e katërta në këtë vit
Pikërisht, duke marrë parasysh se ishin konsumuar të gjitha mundësitë ligjore, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimit me përfaqësuesit e partive politike, vendosi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor 2025. Do të jenë këto zgjedhjet e katërta gjatë këtij viti (dy palë zgjedhje parlamentare dhe dy runde të zgjedhjeve lokale), që është ngarkesë e madhe për qytetarët për të dëshmuar vullnetin e tyre politik, për subjektet e tyre të preferuara.
Sipas analistëve dhe njohësve të rrethanave në skenën politike në Kosovë, LVV përsëri do të jetë subjekti i parë, por mbetet enigmatike numri i votave dhe numri i deputetëve që do të fitojë ky subjekt politik për të krijuar shumicën parlamentare. Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, LVV arriti të kishte 48 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të arritur numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve për të qenë shumicë parlamentare. Nga ana tjetër, prej dhjetë deputetëve nga komunitetet joshumicë joserbe, vetëm tetë prej tyre e kanë mbështetur LVV-në, nga del se për të arritur shumicën parlamentare duhet mbështetje nga një tjetër subjekt politik. Opinioni është i njohur se LVV i ka paraqitur ofertë për bashkëpunim Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por ajo e ka refuzuar! Prandaj nuk mund të akuzohet LVV se nuk ka pasur kapacitet për formimin e koalicioneve, sepse për bashkëpunim duhen dy palë, ndërsa në rastin konkret LDK nuk ka treguar gatishmëri për arritjen e koalicionit qeverisës, andaj përgjegjësia i takon asaj.
Imponohet bashkëpunimi
Përvoja politike dëshmon se pavarësisht qëndrimeve, në politikë të imponohet bashkëpunimi edhe me ata me të cilët nuk pajtohemi, sepse raportet në skenën politike e kushtëzojnë një veprim të tillë. Andaj, gjatë kësaj fushate besoj se të gjitha partitë politike do të përmbahen nga retorika politike, sepse nuk përjashtohet bashkëpunimi pas zgjedhjeve, që do të jetë i obligueshëm në arritjen e koalicioneve për formimin e shumicës parlamentare e me të edhe të institucioneve qeveritare.
Në zgjedhje marrin pjesë 24 subjekte garuese
Sipas informacioneve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të Republikës së Kosovës, në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025 janë certifikuar 24 subjekte garuese, prej të cilave tre janë koalicione, 18 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Nga partitë parlamentare, vetëm LVV e ka formalizuar koalicionin me tri parti politike: GUXO, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Ndërsa katër prej partive kryesore – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë vendosur të hyjnë pa koalicione zyrtare në garën zgjedhore.
Në zgjedhje po ashtu do të marrin pjesë një numër i konsideruar i partive minoritare (serbe, boshnjake, turke, rome, ashkali e egjiptiane), të cilat përbëjnë numrin me të madh të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Në këto zgjedhje bie në sy rënia e numrit të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, sepse në ato të 9 shkurtit të këtij viti kanë qenë të certifikuara 28 subjekte garuese.
Cekim se sistemi zgjedhor me lista të hapura, që është duke u praktikuar në Kosovë, mund të shërbejë si model për vendet e regjionit, të cilat kanë mbetur peng të modeleve të vjetra që për kohën janë të demoduara, sepse qytetarët duan të votojnë për kandidatin më të preferuar e jo për atë të cilin iu servon partia.
Dilema pas zgjedhjeve
Në saje të raporteve në mes pozitës dhe opozitës aktuale, mendoj se zgjedhjet e reja vështirë se do japin një shumicë absolute, sikurse ndodhi me LVV në vitin 2021. Theksojmë se më 9 shkurt 2025 partitë kryesore arritën këto rezultate: LVV në koalicion me Guxo dhe Alternativa 42.27% të votave, PDK 20.96%, LDK 18.28%, AAK/Nisma 7.07%. Ndërsa dalja në votime ka qenë 40.59%.
Në ndërkohë, në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale (12 tetor dhe 9 nëntor 2025), që paraqet një test për elektoratin votues, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025. Madje kjo datë paraqet një moment të veçantë për votuesit e që ka të bëjë kryesisht me diasporën, e cila vjen në vendlindje në pushimin dimëror, dhe mundësi për të eliminuar votimin me postë, duke marrë pjesë drejtëpërdrejt në votime.
Pasi në skenën politike në Kosovë kemi dy blloqe politike – LVV dhe opozita, ku asnjëra palë vështirë se do arrijë shumicën absolute, formimi i shumicës parlamentare do të varet nga pakicat. Nuk do të ishte në favor të Kosovës mosarritja e formimit të shumicës parlamentare në afatin optimal, sepse qytetarët votojnë për formimin e institucioneve në favor të qeverisjes, si kudo në botën demokratike.
Përfundim
Varësisht prej rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në saje të përvojës së deritashme, certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të marrë kohë. Kështu nja një muaj do të numërohen votat, me mundësi të rinumërimit, ndërsa kur të konfirmohen rezultatet, nuk përjashtohet mundësia që të nisin përsëri skenaret për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Dhe nga një situatë e tillë, kuptohet nëse nuk do të kemi shumicë parlamentare të verifikuar e stabile, do të vijë koha për zgjedhjen e Presidentit. Nga një situatë e tillë kaotike, Kosova mund të jetë pa Kuvend, Qeveri e President, që nuk është në favor të Kosovës dhe të demokracisë parlamentare.
