
Në mjediset edukativo-arsimore, duke mos anashkaluar as ato me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ndonëse në raste sporadike, sjelljet e dhunshme mes nxënësve kanë filluar të bëhen mjaft shqetësuese, madje edhe alarmante. Siguria nëpër shkolla është temë që përmendet vetëm atëherë kur ndodhin raste të padëshirueshme të përdorimit të dhunës mes nxënësve, shpesh edhe me lëndime të rënda. Adoleshentët po jetojnë në një kohë ku vëmendjen më të madhe e kanë të fokusuar tek teknologjia dhe pjesën më të madhe e kalojnë në rrjetet sociale. Por edhe fenomeni i bullizmit, që është përhapur gjerësisht në vitet e fundit, i bën ata që t’u përshtaten situatave për t’u ndjerë të pranuar nga grupet shoqërore.
Rastet e fundit që kanë ndodhur në shkolla vetëm kanë (ri)shpërfaqur problemet shumëdimensionale me të cilat po përballet shoqëria jonë, duke filluar së pari nga familja e pastaj edhe tek institucionet tjera përcjellëse. Megjithatë, asnjëherë nuk janë përcaktuar qartë faktorët esencialë të sjelljes se dhunshme të nxënësve në Mal të Zi. Mbase nuk janë definuar si duhet mekanizmat e domosdoshëm të sigurisë nëpër ambiente shkollore gjatë viteve të shkuara, por edhe këtë vit kanë ndodhur mjaft raste kur nxënësit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit ose ka patur përleshje mes grupeve.
Se sa është shtrirë ky fenomen negativ në shkollat në Mal të Zi, dëshmojnë të dhënat hulumtuese të cilat i ka prezantuar kohë më parë këshilltari i pavarur në Entin për Shkollim, Mr. Zoran Llaloviq, i cili ndër të tjera nënvizoi se “nga fillimi i vitit shkollor 2022/23 deri në momentin e marrjes në pyetje, 43% e nxënësve kanë qenë dëshmitarë të dhunës nga nxënës individualë ndaj nxënësve të tjerë në shkollat e tyre, dhe 17% e nxënësve kanë përjetuar të paktën një akt dhune (kanë qenë viktima të dhunës në shkollë), gjë që është shumë shqetësuese”.
Pedagogët thonë se fillimin e këtyre problemeve duhet kërkuar së pari nga mungesa e edukatës familjare, sepse gjithçka nis nga edukata. Nëse kjo kohë e ekspansionit teknologjik e ka zënë të papërgatitur shoqërinë, atëherë e ka zënë të papërgatitur edhe familjen. Ndërkohë që lëvizjet janë shumë të mëdha në secilin kuptim, familja sikurse edhe koha ka bërë gjithnjë e më pak për të edukuar drejt fëmijët. Sipas pedagogëve janë dy komponentë kryesorë që familja mos të merret me edukimin e fëmijëve: njëri është ngarendja për të siguruar mirëqenien, kur familja ka pak kohë të merret me edukimin e fëmijëve, gjë të cilën pedagogët nuk e arsyetojnë, sepse sipas tyre prindërit duhet te gjejnë kohë të merren më shumë me fëmijët. Komponenta tjetër, pohojnë pedagogët, është mosqenia në krye të detyrës e prindërve për arsye të tjera.
Sociologët e shohin dhunën mes nxënësve në shkolla si një alarm për shoqërinë, për të treguar më tepër vëmendje ndaj edukimit të fëmijëve. “Shumë familje i kushtojnë fare pak rëndësi edukimit të fëmijës, sepse mos të harrojmë se familja është shkolla e parë. Shumë nga familjet sot janë në përpjekje të mëdha për mbijetesë dhe duan apo nuk duan janë jashtë shtëpisë për orë të tëra dhe jo të gjithë ia arrijnë që të jenë tërë kohës me sytë nga fëmijët, dhe mund të ndodhë që në familje të tilla vetë fëmija të bëhet pre e dhunës ose dhunues i të tjerëve”, theksojnë ata.
Ekspertët e fushës së psikologjisë vlerësojnë se janë një numër faktorësh që po e shkaktojnë nxitjen e dhunës te të rinjtë. Sipas tyre, ndër faktorët e parë që e nxisin dhunën nëpër shkolla, është toleranca shoqërore ndaj fenomenit të dhunës. Ata shprehen se shkaqet themelore të paraqitjes së dhunës janë problemet e jetës së nxënësve jashtë shkollës dhe ngjarjet në shkollë. ”Shkolla me tërë organizimin e saj dhe potencialin profesional-pedagogjik që ka, duhet të tregojë gatishmëri për parandalimin e shkaqeve të dhunës mes nxënësve. Dhuna duhet parandaluar me çdo kusht dhe mos të lejohet që bartësit e dhunës të tregohen si “mbinjerëzor” dhe si “heronj”, theksojnë ekspertët e fushës së psikologjisë. Për dhunën në shkolla flasin edhe vetë fëmijët shqiptarë dhe joshqiptarë të cilët na thanë se fenomeni i dhunës është përditshmëri në shkollë.
Si ish-mësimdhënës, i japim vetes të drejtë të konstatojmë se në tri dekadat e fundit shkolla është zhveshur nga komponenta e edukimit, mbase situata përpara në arsim e dimë se ka qenë krejtësisht ndryshe. Sot i gjithë fokusi dhe potenciali i mësimdhënësve është orientuar në aspektin arsimor, gjë e cila mendojmë se është e gabuar, sepse jo rastësisht shkollën e quajmë institucion edukativo-arsimor. Komponenta edukative na del më përpara se ajo arsimore. Kjo do të thotë se pa një edukim të mirë nuk mund te kemi arsimim të mirë. Po ashtu sot si asnjëherë më parë mungon bashkëpunimi i duhur i trekëndëshit prindër-institucion-nxënës.
Nga ana e tjetër, disa bashkëbisedues me të cilët biseduam në këtë temë, mendojnë se të gjithë jemi fajtorë dhe nuk mund ta vendosim fajin vetëm tek shkolla, familja dhe institucionet përcjellëse , por tek të gjithë. Sidoqoftë, duhet ta pranojmë se fenomeni i dhunës është një çështje e rëndësishme të cilës duhet t’i kushtojmë mjaft vëmendje. Në të kundërtën një pjesë e fëmijëve tanë mund të kenë efekte negative në aspektin psikologjik të cilat, larg qoftë,mund të çojnë edhe në ngjarje tragjike (krime) në shkolla, siç ka ndodhur ajo e pak javëve më parë në Shkollën Fillore “Vlladimir Ribnikar” në Beograd (Serbi), ku sipas raportimit të mediave serbe, nxënësi i kësaj shkolle K.K. 14 –vjeçar, ka vrarë 8 nxënës dhe një roje sigurie dhe ka plagosur edhe 6 nxënës dhe një mësuese. Pa një angazhim kolektiv dhe institucional të krejt sistemit dhe llogaridhënies së drejtorëve të shkollave, ky fenomen do të jetë i pranishëm edhe shumë vite nëpër shkolla. I gjithë sistemi do të ishte mirë dhe shumë e nevojshme të gjejë një mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në uljen dhe zhdukjen e dhunës në shkolla. Atëherë shtrohet pyetja: Çfarë presim?
