Dëshmi e demokracisë së konsoliduar zgjedhore

Përfundimisht, pas një maratone, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkurën, më 5 mars, ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Subjektet politike kishin afat dyditor për ankesa e më pas të shtunën, më 15 mars, është bërë certifikimi i rezultateve që i hap rrugë formimit të qeverisë së re, ku LVV si partia e parë në zgjedhje duhet të dalë me propozime konkrete në afat optimal, sepse në saje të momentit aktual gjeopolitik duhet mënjanuar animozitetet personale e partiake për të gjetur zgjidhje të pranueshme në favor të mbrojtjes së sovranitetit e integritetit të Kosovës

Nail Draga

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje! (LVV) në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën ka fituar 396 022 vota apo 42.27% dhe i takojnë 48 deputetë, Partia Demokratike (PDK) është e dyta me 196 353 vota (20.96%) dhe do të ketë 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar 171 249 vota (18.28%) dhe do t’i ketë 20 deputetë, ndërsa AAK/Nisma ka fituar 66 226 vota (7.07%) dhe 8 deputetë. Nga ana tjetër, Lista Serbe ka fituar 9 deputetë, ndërsa një ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.
Cekim se Albin Kurti ka fituar 337 mijë vota, duke qenë individi më i votuar deri më tash në Kosovë.
KQZ ka bërë të ditur se dalja në votime ka qenë 40.59 për qind, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues, derisa për herë të parë votën e tyre kanë mundur ta hedhin 125 852 votues të rinj. Nëse përjashtojmë problemin me uebfaqen e KQZ-së, qytetarët treguan pjekuri politike duke dëshmuar se kemi të bëjmë me proces zgjedhor si në vendet demokratike.

Zgjedhjet, model për regjionin
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është përshtypje e përgjithshme se qytetarët e Kosovës dëshmuan vlera demokratike, sepse zgjedhjet përfunduan pa incidente. Ndonëse shteti më i ri i pavarur në rajon, zgjedhjet në Kosovë mund të shërbejnë lirisht si model për disa vende të rajonit, sepse qytetarët dëshmuan pjekuri politike në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore të Kosovës. Madje edhe sistemi zgjedhor me lista të hapura mund të shërbejë si model për vendet e rajonit, të cilat kanë mbetur peng të modeleve të vjetra që për kohën janë demode, sepse qytetarët duan të votojnë për kandidatin me të preferuar e jo për atë që ia servon partia.
Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një demokraci zgjedhore, përkatësisht kalimin nga revolucioni zgjedhor në evolucion qeverisës, duke dëshmuar se Kosova ka kapacitet demokratik për qeverisje moderne sipas standardeve evropiane.

LVV e para, por me rënie të mbështetjes
Ndonëse kishim një fushatë e cila dallohej nga të mëparshmet në çdo aspekt, ku sulmohej me të gjitha mjetet pushteti, përkatësisht LVV-ja, nga ana e opozitës dhe e mediave, megjithatë LVV doli subjekti më i votuar me 42.27%, që përbën rreth 8% më pak se në vitin 2021. Një ndër shkaqet e rënies së mbështetjes së LVV-së qëndron në faktin se një numër i konsiderueshëm i votuesve, të cilët në vitin 2021 kanë mbështetur presidenten Vjosa Osmani, duke ia shkëputur një numër të konsiderueshëm votuesish LDK-së, tash i janë kthyer kësaj partie apo gjetiu, që përafërsisht paraqet shifrën prej 8%. Po ashtu nga LVV janë shkëputur dy deputetë, të cilët kanë pasur mbështetësit e tyre, që është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se në një situatë të tillë LVV ka arritur të ruajë trupin e vet votues.
Nga ana tjetër opozita (PDK, LDK), ndonëse ka pasur rritje në krahasim me vitin 2021, nuk i kanë dalë llogaritë, sepse elektorati ka vlerësuar angazhimin e saj opozitar, e sidomos kohën kur ishin në pushtet, ku janë përfshirë në afera të ndryshme jo vetëm korruptive.
Cekim se diaspora kësaj here, përveçse ka ardhur në Kosovë për të votuar, ka votuar edhe në përfaqësitë diplomatike (ambasada e konsullata) – rreth 15 000 vota si dhe me postë (64 000), çështje e cila është interpretuar sipas qasjeve të ndryshme nga individë dhe subjektet politike.

Të gjithë kundër LVV-së
Duke analizuar situatën në skenën politike të Kosovës, para dhe gjatë fushatës zgjedhore,
LVV e Kurtit është përballur me kundërshtarë të ndryshëm, si brenda nga opozita, mediat, rrjetet sociale, Serbia, faktori ndërkombëtar etj., por megjithatë arriti të ngadhënjejë duke dalë partia e parë, me diferencë të madhe ndaj kundërshtarëve politikë. Ishin qytetarët që me verdiktin e tyre dëshmuan duke votuar sipas preferencave të tyre, duke i dhënë mbështetje me të madhe LVV-së.

Të tejkalohen animozitetet personale
Numrat e publikuar për subjektet politike dëshmojnë se asnjë subjekt apo koalicion zgjedhor nuk ka fituar shumicën, sikurse në vitin 2021, kur LVV fitoi 50.02%, andaj tani pas certifikimit të rezultateve formimi i qeverisë së re duhet të realizohet në një afat optimal përmes formimit të një koalicioni.
Ndërsa se si do të jetë forma e tij, fillimisht i takon LVV-së si partia e parë në zgjedhje që të dalë me propozim konkret në lidhje me këtë çështje. Varësisht prej rrethanave aktuale shoqërore e politike, në regjion e më gjerë, aktorët politikë duhet të tejkalojnë animozitetet personale e partiake për të gjetur zgjidhje të pranueshme në favor të mbrojtjes së sovranitetit e integritetit të Kosovës. Çdo shmangie nga një qasje e tillë do të ishte disfatë e përgjithshme, sepse momenti gjeopolitik nuk pranon akrobacione politike që mund të jenë me pasoja për Kosovën, si tani dhe në të ardhmen.

Të fundit

më të lexuarat