Demaskim i Serbisë së Vuçiqit

Kosova ka arritur të demaskojë planin e Serbisë së Vuçiqit, që përbën një fitore të Kosovës jo vetëm në planin ushtarak dhe të sigurisë, por edhe politik e diplomatik. Kosova ka arritur, madje, të çarmatosë Serbinë para botës dhe ndërkombëtarëve në armën e tyre më të fortë - luftën propagandistike kundër Kosovës. Serbia ka rënë me të dyja këmbët në kurthin e ngritur vetë, duke u detyruar të pranojë një nga një të gjitha gënjeshtrat lidhur me përfshirjen e saj në këtë aksion terrorist

Ismet Kallaba

Kanë kaluar disa ditë nga aksioni terrorist i grupeve paraushtarake serbe në veri të Kosovës dhe tashmë gjërat janë më të qarta. Të gjitha faktet dhe dëshmitë në terren tregojnë për ekzistencën e planit të qartë serb për aneksimin e veriut të Kosovës. Arsenali i armatimit të gjetur tregon për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ushtrisë së Serbisë dhe të krerëve më të lartë shtetërorë serbë në këtë aksion. Në fazën e parë Serbia nuk do të përfshihej drejtpërdrejt, por në një fazë tjetër me siguri do të përfshihej nën pretekstin për të “shpëtuar” gjoja serbët e rrezikuar në Kosovë.
Ky skenar ogurzi i Serbisë fatmirësisht ka dështuar, ndërsa Kosova ka arritur të demaskojë planin e Serbisë së Vuçiqit, që përbën një fitore të Kosovës jo vetëm në planin ushtarak dhe të sigurisë, por edhe politik e diplomatik. Kosova ka arritur, madje, të çarmatosë Serbinë para botës dhe ndërkombëtarëve në armën e tyre më të fortë – luftën propagandistike kundër Kosovës. Serbia ka rënë me të dyja këmbët në kurthin e ngritur vetë, duke u detyruar të pranojë një nga një të gjitha gënjeshtrat lidhur me përfshirjen e saj në këtë aksion terrorist. Kujtojmë se pas publikimit të pamjeve ku shihet se udhëheqës i grupit terrorist ishte Milan Radoiçiq, krerët shtetërorë serbë dhe mediat proqeveritare serbe mohuan fillimisht një gjë të tillë. Më së largëti shkoi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili videon me pamjet e Radojiçiqit dhe të grupit terrorist e cilësoi një mashtrim, sepse ajo nuk ishte bërë atë ditë pasi që në të dukej bora. Pas gjithë kësaj, në përpjekjen për t’u distancuar nga aksioni terrorist kundër Kosovës dhe për ta cilësuar si një rast të izoluar, e kanë detyruar Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e partisë Lista Serbe, kreun e kontrabandës dhe personin më me ndikim në pjesën veriore të Kosovës, i cili prej kohësh është shpallur “persona non grata” nga SHBA dhe është shpallur në kërkim nga organet shtetërore të Kosovës, që të marrë përgjegjësinë për këtë ngjarje. Por autoritetet e sigurisë dhe organet tjera ligjzbatuese të Kosovës e kanë dëshmuar katërcipërisht përfshirjen e krerëve më të lartë dhe aparatit shtetëror serb në aksionin terrorist kundër Kosovës.

Në përpjekjen për t’u distancuar nga aksioni terrorist kundër Kosovës dhe për ta cilësuar si një rast të izoluar, e kanë detyruar Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e partisë Lista Serbe, kreun e kontrabandës dhe personin më me ndikim në pjesën veriore të Kosovës, që të marrë përgjegjësinë për këtë ngjarje. Por autoritetet e sigurisë dhe organet tjera ligjzbatuese të Kosovës e kanë dëshmuar katërcipërisht përfshirjen e krerëve më të lartë dhe aparatit shtetëror serb në aksionin terrorist kundër Kosovës

Serbia i ka përdorur gjithmonë pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, nën pretekstin e rrezikimit të tyre, për arritjen e qëllimeve të veta ndaj Kosovës. Edhe në të kaluarën ajo ka nxitur incidente në pjesën veriore dhe në pjesët e tjera të Kosovës ku jetojnë serbët, për ç’gjë ka fajësuar Kosovën, për të mbajtur situatën në Kosovë pezull. Në këtë luftë hibride të saj kundër Kosovës, Serbia e cila është sponsorizuese e terrorizmit në Ballkan përmes grupeve dhe institucioneve të ndryshme, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, ka arritur deri në njëfarë mase sukses në rolin e saj të dyfishtë, duke e promovuar veten si faktor të paqes në rajon dhe duke arritur të bindë një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare me gënjeshtrat e saj për Kosovën.
Pavarësisht se askush nuk do të dëshironte që të ndodhte aksioni terrorist për shkak të pasojave të tij, rasti në Banjska të Zveçanit mund të thuhet se i ka ardhur Kosovës si një dhuratë prej Zotit, sepse pritet të shërbejë si kthesë në politikën ndërkombëtare në raport me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Afërmendsh, kjo ngjarje duhet të ndryshojë rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe të forcojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përfundimisht, ajo e ka bërë të pakuptimtë vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ngaqë kjo e fundit ka treguar edhe një herë se nuk është për marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore.

Të fundit

më të lexuarat