Dekorim: Nga vlerësimi deri te politizimi

Dukuria e vlerësimit paraqet moment të veçantë për individin apo subjektin përkatës, sepse dekorimi është akt qytetarie për kohën që është e njohur në mjediset e ndryshme, por si në të kaluarën në monizëm edhe në kohën tonë në pluralizëm është e pranishme qasja subjektive, sepse kanë mbetur pa u dekoruar të merituarit, nga del se kjo dukuri ka marrë përmasa te politizimit në vendet e ish-kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk është përjashtim

Nail Draga

Çështja e dekorimit nuk është dukuri e re e as e panjohur, sepse vlerësimi i personave apo subjekteve të ndryshme ka qenë traditë e mëhershme varësisht prej vendeve dhe pushtetit të tyre. Në këtë aspekt kjo dukuri shoqërore nuk ka mundur të eliminojë qasjen subjektive, ku ma së shumti është dëshmuar në mjediset multinacionale, sidomos në kohën e monizmit në vendet e Evropës Juglindore.

Monizmi
Në sajë të rrethanave të reja pas Luftës së Dytë Botërore, vendet e ish kampit socialist pothuaj ishin analoge ku çështja e dekorimit nuk kishte ndonjë ndryshim përmbajtjesor. Në vend të parë ishin të rënët gjatë luftës duke pasuar me strukturat udhëheqëse e më pas vinin qytetarët e ndryshëm të cilët ishin të rekomanduar nga partia-shtet. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse në konceptin e ideologjisë dekorimi ishte pjesë e meritave dhe të heroizmit të dëshmuar më përkushtim e sakrificë për pushtetin e kohës. Nga ana tjetër në këtë gamë të dekorimit nuk bënin pjesë ata të cilët nuk ishin anëtar të partisë, apo persona me biografi të mirë, sepse ata llogariteshin si armiq potencialë, të partisë e të shtetit.

Jugosllavët e dekoruar në Shqipëri nuk janë shlyer nga evidenca
Nëse analizohen regjistrat e dekorimeve del qartë së çdo gjë ishte planifikuar të realizohej sidomos gjatë festave shtetërore dhe përvjetorëve të ndryshëm. Kujtojmë me këtë rast Vendimin e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë nr.117, më datë 5 shtator 1946 ku janë dekoruar një numër i konsideruar individësh nga ish-Jugosllavia të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Dhe për ironi të fatit, ndonëse Shqipëria e ish-Jugosllavia i prishën marrëdhëniet në vitin 1948, ata dekorata zyrtare ende qëndrojnë të evidentuara edhe pse ka qenë e udhës të shfuqizohen dhe të shlyhen nga evidenca zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë. Kujtojmë me këtë rast se nga numri i 55 të dekoruarve jugosllav, një numër i tyre janë dëshmuar si antishqiptar, por, nga miratimi i pluralizmit(1990) këtë çështje në Shqipëri askush se ka trajtuar, që është turp që nuk mund të arsyetohet më asgjë!

Një qëndrim i tillë servil i pushtetit në Shqipëri flet mjaft për rrethanat e kohës, që dëshmohet përmes dokumenteve të ndryshme arkivore që i janë prezantuar opinionit nga viti 1991 e më pas.

Pluralizmi
Më rënien e sistemit monist në vendet e ish kampit socialist, nga viti 1990 e më pas, edhe këtu u fillua më dekorim të personave të ndryshëm. Fjala është për të persekutuarit në monizëm të cilët kanë qenë të dënuar e të persekutuar. Por, në këtë aspekt përjashtim bën vetëm një vend e ky është Mali i Zi, sepse këtu ende ekziston mentaliteti i kohës së monizmit, ndonëse të modifikuar.
Por, jemi dëshmitarë se në këtë aspekt janë bërë lëshime të mëdha, pa apo me vetëdije, që ka irrituar opinion e gjerë. Fjala është për veprime subjektive, sepse kjo çështje u privatizua, duke marrë qasje personale, partiake apo klaneve të ndryshme. Dhe nga një qëndrim i tillë, persona me merita minimale ishin të parët në dekorime, ndërsa të merituarit realë, ishin mënjanuar, duke mos treguar kujdesin e duhur ndaj tyre.
Deri më tash kemi pasur rast të dëgjojmë se dekorata kanë ndarë institucionet shtetërore, por edhe ata lokale ndërsa nga miratimi i pluralizmit edhe subjektet nga shoqëria civile. Madje duhet thënë pa hezitim se shpesh herë dekoratat nga shoqëria civile janë më të qëlluara së ata qeveritare, duke qenë shembull për të tjerët, si të vlerësohen të merituarit e jo qasjet subjektive.
Ndonëse të drejt për të propozuar kanë individët apo subjektet e ndryshme, fjalën e fundit e ka komisioni përkatës, i cili sipas përbërjes duhet të jetë nga persona me autoritet personal e profesional. Por, sa janë të tillët në nivelin e duhur mbetet të shihet, sepse të tillët vlerësohen nga opinioni i gjerë.

Ulqini, i vonuar me dekorime
Varësisht prej rrethanave shoqërore dukuria e dekorimit në Komunën e Ulqinit, nuk ka qenë në nivelin e duhur si më parë edhe më pas në pluralizëm. Nëse në monizëm, pushteti i kohës nuk ka treguar interesim në këtë aspekt, një gjest i tillë në pluralizëm nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse në komunat tjera raste të tilla ka pasur vazhdimisht, por Ulqini ishte i veçantë në këtë aspekt, ku i kanë kontribuar edhe subjektet politike të shqiptarëve. Pikërisht duke marrë parasysh këtë apati, një çështje e tillë është shqyrtuar dhe iniciuar nga subjekte të shoqërisë civile, për të dekoruar disa personalitete me çmimin “Mirënjohja e Ulqinit”.
Pas shqyrtimit të propozimeve nga Këshilli për dhënien e propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, me shumicë votash u vendos që me këtë çmim të dekorohen këto personalitete: dr.Ruzhdi Ushaku, dr.Bahri Brisku, mr.Riza Rexha dhe dr.Pavle Mijoviq (pas vdekjes), që është miratuar ne mbledhjen e Kuvendit të Ulqinit me datën 17.12.2014.
Ishte ky rasti i parë që Kuvendi i Ulqinit, të dekorojë personalitete të nderuara, që kanë dhënë kontribut në veprimtarinë e tyre studiuese, shkencore e kulturore, ndërsa më pas janë dekoruar individë të ndryshëm nga komuna e jashtë saj.

Vlerësimi, akt qytetarie
Me rastin e organizimit të veprimtarive të ndryshme, është bërë praktikë që në fund nga organizatori të ndahen dekorata të ndryshme, si diploma, fletë falënderimi, mirënjohje, certifikata etj.. Një veprim i tillë, është akt qytetërues dhe vlerësues, por është edhe iritues sepse ka pasur raste qe nuk janë vlerësuar ata të cilët e kanë merituar, por iu është dhënë të tjerëve që nuk e kanë merituar të dekorohen. Nuk ka dilemë se raste të tilla imituese ka mjaft në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë.
Theksojmë më këtë rast se nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ka vite që persona të ndryshëm dekorohen me titullin “Nderi i Kombit”, “Mjeshtër i Madh” apo tituj të tjerë në vend dhe në botën e jashtme. Një veprim i tillë nderon individët e ndryshëm, por, kemi pasur rast të dëgjojmë së janë dekoruar individë pa ndonjë meritë, nga del se kemi të bëjmë me qasje subjektive që nuk mund të arsyetohet më asgjë.
Në këtë aspekt veçohet koha kur president i Republikës së Shqipërisë ishte Ilir Meta(2017-2022), sepse janë dhënë shumë dekorata, ku si të tilla edhe kanë humbur rëndësinë e tyre, që nuk nderon subjektin përkatës madje dhe irriton qytetarët.

Nuk është dekoruar Dioguardi (!?)
Si rast tipik i mos dekorimit kemi të nderuarin Joe Dioguardi, themelues i LQSHA në NY-SHBA i cili ka meritë të madhe në lidhje me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, por nuk është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa i është dhënë disa të tjerëve në diasporë, që nuk mund të krahasohen më asgjë me z. Dioguard! E pse është vepruar kështu, mbetet çështje për diskutim nga institucioni i Presidencës, që përfaqëson shtetin amë-Shqipërinë!

Të dekoruarit me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, dr.Simë Dobreci dhe dr.Ruzhdi Ushaku, së bashku me Nazif Cungun (kryetari i komunës së Ulqinit dhe Loro Ndrekiqin-kryetari i Kuvendit(Ulqin,1 prill 2017)

Dekorimi nga Presidenti i Shqipërisë
Në lidhje me këtë çështje dua të theksoj se për Ulqinin data 1 prill 2017, është veçantë, sepse në kompleksin “LAMIGA” nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani me titullin “Nderi i Kombit” janë dekoruar dy personalitete të njohura: dr. S. Dobreci e dr.Ushaku. Ishte ky një moment emocional dhe vlerësues për veprimtarinë e këtyre dy personaliteteve më përmasa mbarëkombëtare, që është pritur me admirim nga opinioni i gjerë në këtë mjedis.

Të fundit

më të lexuarat