
(vijon nga numri i kaluar)
Sjelljet e këtyre partizanëve “proletarë” në shumë vende bënin që kur diktoheshin se “po vijnë”, banorët e lëshonin tërësisht fshatin dhe strehoheshin nëpër shpella nga frika. Luan Malltezi dhe Ndreçi Plasari në “Politika antikombëtare e Enver Hoxhës” [Tiranë 1995], thonë se masat e rrepta shkaktonin largimin e popullit nga fshatrat e tyre (ff. 92-94). Të tillë kishte prej shumë fshatrave të zonave të veriut. Ushtria i ndiqte kudo që ishin dhe kur i kapnin, i ekzekutonin pa ditur kush janë dhe ç’kanë bërë, kurse ata më me fat i internonin.
Çelo Hoxha botoi një dukument që tregon se partizanët kishin rrethuar një shpellë ku mendohej se ishte fshehur armiku, por po aty tregohet se brenda shpellës kishte qindra njerëz civilë [dok. 134, ff. 252-253]. Një raport i Zihni Meçes, më 21 tetor 1944, thotë se partizanët e brigadës VII “nuk kanë mbajtë raporte të mira me popullin, e kjo ka bërë përshtypje të madhe”. Dhe cila ishte arsyeja e raporteve të tilla? “Në Polis, një komandant bataljoni i kësaj brigade i ka nxjerrë revolen nji katundari tue kërkue ushqim të mirë dhe dyshek. Në katundin Xibrakë na thotë nji katundar me insistim se Gjin Marku ka çelë gardhin e një are dhe ka futur kuajt mbrenda në misër. Në katundin Prapanik partizanët kanë kontrolluar arkat e grave dhe kanë marrë plaçkat. Në shumë katunde janë kërkue pare me forcë nga katundarët. Kanë marrë me zor opingat e katundarëve…” [dok. 116, ff. 232-234].
Me të njëjtën metodë vepronte edhe brigada XV: “Kur kanë hyrë partizanët në qytet, kanë djegur shtëpinë e një spiuni, shtëpi e cila i takonte nënës së tij që qëndron shumë mirë dhe vëllait të tij që është partizan. Për më tepër bashkë me këtë dogjen edhe një shtëpi tjetër tue lanë në rrugë të madhe. Kanë kontrollue kot së koti një shtëpi që ka mbajtur qëndrim të mirë dhe që ka dy veta partizanë, tue grabitur dhe plaçka. Meqë familja atë natë nuk ishte aty, kanë thyer derën”. Veprime të ngjashme jepen edhe për Brigadat VI, XVII dhe XX.
Duke qenë se për një kohë të gjatë vendi nuk kishte polici e ligje civile, u kthye në diktaturë ushtarake e cila kryente veprime shtypëse më të rënda se ushtritë pushtuese. U bënë gjyqe për dënimin e kriminelëve të luftës, por në to u dënuan vetëm kundërshtarët politikë të komunistëve, ndër të cilët edhe anëtarë të gjykatave që dënonin njerëz të pafajshëm. Një studim i hollësishëm i këtyre dokumenteve do të zbulojë një situatë tepër të vështirë, me urdhra e porosi zyrtare nga më të çuditshmet për pushkatime pa gjyq, për djegie shtëpish, për sekuestrime pasurish etj. Të gjitha këto sot po na i “arsyetojnë” duke thënë se ka qenë “kohë lufte”, por çfarë ngjau pas luftës?
Ndërmjet viteve 1945 dhe 1990 shqiptarët në Ballkan jetuan nën sundimin komunist, por me dallime të mëdha. Komunizmi shqiptar i përngjante romanit “1984” të Orvellit, që nënkuptonte kontrollin e trupave dhe shpirtrave të njerëzve nga Partia e Punës e Shqipërisë. Ky sundim rezultoi me degjenerimin total shpirtëror të “njeriut të ri socialist”, duke ia ndaluar të mendojë me kokë të veten, duke mos pasur të drejtë të shprehë ndjenjat fetare, duke e varfëruar dhe poshtëruar deri në varr. Partia që mori pushtetin e ri ndërhyri brutalisht në letërsi, e qëroi traditën, mbajti ç’deshi, hoqi ç’nuk i duhej dhe dënoi shkrimtarë dhe vepra deri në fund. Ajo bëri shkrimtarët e vet, sa u krijua një psikozë që mjaftonte të kishe qenë partizan që të bëheshe shkrimtar! Bijtë e fitimtarëve i kishin mundësitë e hapura për t’u bërë dhe poetë, ndërsa ishin më të hapura dyert e burgjeve për bijtë e atyre që nuk i honepste dot regjimi. “Gazeta Shqiptare” ka publikuar një dokument “Tepër sekret” të Sigurimit të Shtetit të vitit 1978, i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, një dokument që mban datën 16.8.1978, me emrat e rreth 315 intelektualëve mjaft të njohur të artit, kulturës, skenës, ekranit dhe letrave shqipe që ishin vënë në ndjekje nga shërbimet sekrete të diktaturës, duke qenë nën vëzhgim hap pas hapi për veprimtarinë e tyre, ndër ta Marije Kraja, Rikard Ljarja etj.
Dokumentet që mbajnë datën 4.12.1978 dhe 12.6.1979 na tregojnë qartas vijën ndarëse sipas biografisë politike dhe prejardhjes shoqërore. Kush kishte një “biografi të keqe” diskriminohej vazhdimisht; nuk lejohej të vazhdonte shkollën e mesme apo të lartë, vendosej në vende pune të rënda me pagë të vogël, fyhej dhe menjanohej në jetën e përditshme, nuk i jepej leja të blinte mallra që konsideroheshin luksoze, i mohohej dhënia e çmimeve në raste rezultatesh etj. Ishin komunistët, familjet e veteranëve të luftës, të “heronjve socialistë” dhe të gjithë ata “me biografi të mirë politike” që gëzonin privilegje si vende drejtuese pune (shpesh pa asnjë kualifikim), bursa studimi etj.
Ndërmjet viteve 1967 dhe 1984, Enver Hoxha ngriti shumë bunkerë betoni përgjatë Shqipërisë, pjesërisht nga frika prej ndonjë pushtimi, por kryesisht për të ngjallur frikë te popullata. Rreth 750.000 të tillë në një popullatë rreth tre milionësh, që i bie një bunker për çdo katër banorë! Ndërsa kostoja e një bunkeri ishte rreth 280.000 lekë, afërsisht i barabartë me koston e një apartamenti të vogël brenda një ndërtese, i bie që secila familje në Shqipëri “mund të kishte një shtëpi me koston e këtij budallallyku” [Moorey:2015, f. 33]. Koston e bëri më të ashpër çështja fetare, e cila u bë “e turpshme” për komunistët dhe punonjësit e shërbimit qeveritar [Hadžišehović: 2003, f. 120]. Stalini – një ish-seminarist që nuk u bë kurrë prift, i kishte thënë Enverit – një djalë hoxhe që mësimet e para i mori në mejtep: “Çështja e besimeve fetare duhet pasur mirë parasysh dhe duhet vepruar me shumë kujdes, sepse nuk mund të nëpërkëmben ndjenjat fetare të popullit, janë ndjenja që janë kultivuar prej shekujsh në njerëzit dhe duhet vepruar me shumë maturi” [Fevziu:2011, f. 193]. Megjithatë lufta e tij ndaj fesë, jo vetëm që ishte më e egra, por edhe më e trishtueshmja e regjimit.
Në mars të vitit 1947, Qeveria ushtroi presion mbi një grup komunistësh bektashinj. Baba Fajo e Baba Fejzo, përkrahës të regjimit, vizituan kryegjyshin Dede Abaz Hilmin, për të diskutuar reformat. Dede Abazi i vrau të dytë, pastaj i dha fund edhe jetës së vet. Qeveria natyrisht e përdori këtë si incident për të eliminuar secilin lider bektashi që konsiderohej i pandryshueshëm. Po atë vit u ekzekutuan tre baba bektashianë [Moorey: 2015, ff. 43-44].
Ndërmjet viteve 1945 dhe 1953, numri i priftërinjve ra drastikisht, prej 93 në 24. 35 u burgosën, 11 u rekrutuan në ushtri, 3 ikën nga Shqipëria dhe 10 humbën ose u vranë. Numri i kishave katolike ra, kurse sistemi shkollor katolik u eliminua tërësisht [Elpern:1971, f. 48]. Dervishëve ua prenë mjekrat dhe ua ndaluan uniformën religjioze.
Në shtator 1967, nën “frymëzimin” e Revolucionit Kulturor në Kinë, Enver Hoxha përshëndeti ndërmarrjet e studentëve të shkollës “Naim Frashëri” të Durrësit, për të eliminuar kishat e xhamitë në Shqipëri dhe “për të fshirë obskurantizmin religjioz” [Moorey:2015, f. 62]. Kryqet, citatet kuranore, të gjitha u ndaluan, minaret e këmbanat u shkatërruan, madje edhe varrezat me simbole fetare u vandalizuan, duke i cilësuar si “mbeturina të vjetëruara”, të papajtueshme me “moralin socialist”. Brenda këtij “morali” vetëm simboli i yllit të kuq ishte i lejuar. Shprehja fetare si “Inshallah” (në dashtë Zoti), etj mund të ishte e mjaftueshme për një arrestim apo dënim. Një katundar i dehur në Libohovë që rastisi të përmendë se “nesër ishte festa e Bajramit”, pati fat që nuk u burgos [Moorey:2015, f. 71].
Partia Komuniste ishte “zot i vërtetë”, sepse “religjioni ishte opium për njerëzit”, se udhëheqesit fetarë ishin “injorantë” që nuk meritonin respekt [Moorey:2015, f. 77]. U shkatërruan, u shndërruan në depo, në tualete publike, në magazina apo në shtalla bagëtish 2.172 institucione fetare, 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike, 530 teqe etj., [Balkanveb, 5 janar 2019]. Nga dymbëdhjetë medresetë e Shqipërisë nuk ngeli asnjë [Musai:2007, f. 29] Në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, e cila ishte e mbrojtur si objekt historik, vetëm vizitorët e jashtëm ishin të lejuar të falen [Moorey:2015, f. 66].
Në fund të vitit 1983 “Zëri i Popullit” mohonte që besimtarët e religjioneve persekutoheshin në Shqipëri nga Qeveria, se ata ishin larguar nga religjioni “mbi bazë të argumenteve”. Finngeir Hiorth në “Albania – An Atheist State” [George Fox University, 1989], thotë se disa avokatë shqiptarë thonin madje se ndalimi i propagandës fetare nuk ishte shkelje e të drejtave njerëzore, por “mbrojtje e atyre të drejtave”. Si do të veproje ndryshe kur krijon njeriun ‘robot’ si në rastin e Sonja Beribashit, një studente e kohës së “marrëzisë së madhe komuniste”, kur i mësonin në lëndën e fizikës se: “jo Njutoni, por Enver Hoxha e kishte zbuluar teorinë e gravitetit” [O’Donnell:1999, f. 117]. (vijon)
