Dedë Gjo’ Luli – personalitet frymëzimi për çdo shqiptar

Për Koha Javore: Ndue Bacaj

Në Orosh të Mirditës, 107 vite më parë, më 24 shtator 1915, vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste, trimi legjendar Dedë Gjo’ Luli. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura, që gjindej (jo rastësisht) në Mirditë me një kompani ushtarësh serbë në vendin e quajtur Sheshaz. Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje për të realizuar një besëlidhje të madhe me parinë e Mirditës e më gjerë, per të koordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga grykësia shekullore e shkijeve të Ballkanit, e më gjerë.
Lufta e Parë Botërore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famëkeqe të Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, duke copëtuar edhe atë Shqipëri që kishte “tepruar” nga Konferenca e Londrës 1913. Dedë Gjo’ Luli është pjesë e historisë së gjysmës së dytë të shekullit 19-të dhe e fillimit të shekullit 20-të, por mbi të gjitha është udhëheqësi dhe simboli i palëkundur i të gjithë Malësisë e Shqipërisë Veriore e më gjerë, në të gjitha betejat ku jeta ishte një hiç para idealit të lirisë e të drejtave kombëtare, si dhe në “tryezat” diplomatike, ku me pendë e mendje projektohej Shqipëria e lirë e sovrane.
Jeta dhe vepra e Dedë Gjo’ Lulit është aq e madhe, sa as dje dhe sot, por as nesër nuk do të kenë kuptim Malësia e Madhe, Shqipëria dhe historia e saj, pa trimin e të urtin, legjendarin e heroin e popullit Dedë Gjo’ Lulin, i cili për më shumë se 50 vjet ishte zemra, mendja dhe shpirti i të gjithë atyre shqiptarëve që për atdhe e banin deken si me le. Ndaj trimi i urtë Dedë Gjo’ Luli duke qënë zemra, mendja dhe pushka e parë e Malësisë së Madhe dhe shqiptarisë, kishte përbuzur moshën e thyer dhe rrezikun per jetën, duke u bërë kështu faqja e bardhë në perjetësi e Hotit, Malesisë e shqiptarisë. Pas vrasjes së Dedë Gjo’ Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste, trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë, ku e zbuluan disa barinjë rastësisht pas disa diteve. Më 8 tetor (1915), famullitari i Oroshit të Mirditës e varrosi te kisha e “tij”. Ndërsa më 29 maj 1924 eshtrat e Dedë Gjo’ Lulit u rivarrosën me një ceremoni madhështore të organizuar nga Etërit Françeskanë në Shkodër, ku morën pjesë mbi tremijë veta, si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë ceremoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi, ligjeratë nga e cila menduam të citojmë:”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndërtesen e Lirisë, ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikëve të sterpikë krepat e maleve tona… Mbas 400 vjetësh Dedë Gjo’ Luli me çetën e vet lufton për të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për lirinë kombëtare. Ai kje tre herë fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve,të sllavëve dhe esadistëve…. Ai së dyti provoi se bashkë me atdhetarinë në gjoksin e tij ,vloi edhe zelli per fe… Në të vërtetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi lirinë kombëtare..” (Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli”, fq.38). Ndërsa patrioti pendartë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, do ta “portretizonte” Dedë Gjo’ Lulin dhe veprën e tij atdhetare me një publikim brilant që vetëm nga penda e tij mund të shkruhej me titull: Për monument të Dedë Gjo’ Lulit – nga e cila mendova të citoj: “Vllazën shqiptarl !…. Asht Ded Gjo’Luli, që vu sy me dekë a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja – burra motit veç që i bante lokja shqiptare, bjen në mal e mbi “kaki” të Deçiqit ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi ; zjarm e dekë – nji be ai rreh , nji be të madhe po rreh aj në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën thembër mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa;Cetina u trand e u dynd tan pezem e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshen nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike. Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie e stalagtita të zgavrave t’erreshme , e kah qiella u çue, po, tym e shkendi, e vigem nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime e gjamë të varruemesh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh topash, e nji bubullimë e menereshme , thue po të rroposet për nën kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt. E kje m’atehërë që verigat e randa të robnisë sonë pesqindvjetore u këputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori i jonë, Konstitucjonit të Turkisë e tektej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim per nën thembër të ndonji tirani të ri. Vllazën shqiptarë ! na sod jemi të lirë ; por martiret fatosa të lirisë sonë kombetare kalben të harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhe orrlat e shekrbet e egra. E po a pernjimend se nipat e sternipat tonë, mbas ndonji stinet të terrnueme, ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të padekshem , që u fituen lirinë dhe u falen Atdhen. (Para se flie vehten të bante malsori na Atdhe s’kem pa, e rob kem kenë, e raje, e skllav e kurrgja tjeter). Jo, per Zotin! se marre e turp per ne do t’ishte e nji dam i madh per Atdhe, po u qitë në harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”. (At Gjergj Fishta – ligjeratë Për një monument të Dedë Gjo’Lulit, ”Antologji Shqipe”, bleni I, Shtëpia Botuese “Kristo Luarasi”, botuar nga Filip Fishta, Tiranë 1935).
Për këtë heroizëm dhe atdhetari të kulluar, Dedë Gjo’ Luli “gëzon” titullin e lartë “Hero i Popullit”, dhe nga nëntori i vitit 2015 është dekoruar nga presidenti i atëhershëm Bujar Nishani me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Megjithë këtë, Dedë Gjo’ Luli nuk ka vorr ku pushojnë eshtrat e tij (pasi nuk dihet ku janë), ka vetem një vorr “bosh” te vorri i djalit tij dëshmor Gjergji, në vendlindje në Traboin. Ndërsa deri më 27 nentor 2015 nuk ka pasur asnjë bust, shtatore apo monument të ndërtuar në Republikën e Shqipërisë. Me datë 27 nentor (2015) me financimin e diasporës malësore-shqiptare në Amerikë, në qendër të Tiranës (në lulishten e Muzeut Historik Kombëtar), u vendos shtatorja impozante e heroit të popullit Dedë Gjo’ Lulit, shtatore që do të zë në perjetësi vendin që i takon në memorien e historisë të luftrave mbrojtëse dhe çlirimtare, që më 28 nëntor 1912 u kurorëzuan me shpalljen e Pavaresisë në Vlorë, ndonëse kjo pavarësi është ende e munguar në shumë troje të Shqiperisë Etnike. Dedë Gjo’ Luli është një ndër shkëmbinjtë e mëdhenjë dhe të palevizshëm të themelit të shtetit shqiptar… (Ndue Bacaj, “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë turke-osmane 1911”, Botim i dytë, fq.104, Fiorentia-Shkodër 2018).
Shtatorja në qendër të kryeqytetit është veçse një kujtesë e vogël para veprës së madhe të heroit të popullit Dedë Gjo’ Lulit, me emrin dhe veprën e të cilit u frymëzua edhe luftoi edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet 1998-1999, kundër shovenëve serbë (Zekeria Cana, fjala e tij e mbajtur në shtator 2005, kur u inagurua Shtepia Muze e Dedë Gjo’ Lulit). Familja e Dedë Gjo’ Lulit është shuar në luftërat për liri, por fatkeqësisht bashkë me Dedë Gjo’ Lulin u shua edhe një pjesë e atdhetarizmit të trojeve tona, që prej më shumë se një shekulli kanë nevojë per një Dedë Gjo’ Lul të “ri”. Dedë Gjo’ Luli dhe vepra e tij, është dhe do të jetë shembull frymëzimi dhe sakrifice për çdo shqiptar të vërtetë që i do pa hile trojet e veta iliro-shqiptare..

Të fundit

më të lexuarat