
Java që shkoi në Kosovë, ndër të tjera, u shënua dhe nga filmimi i rënkimit të një personi të moshës së tretë të korridoreve të Qendrës Klinike Universitare, përkatësisht Qendrës Emergjente. Lajmi që u përhap me shpejtësi virusale ishte se, i moshuari për orë të tëra kishte lënguar para pretorëve të qendrës urgjente, pa arritur të marrë as përkujdesjen minimale mjekësore. Një person në mezomoshë kishte filmuar dhe përshkruar gjithçka sipas këndvështrimit të tij, që me pak fjalë mund të thuhej: plaku ishte dënuar të vuajë korridoreve spitalore, para hundës së personelit mjekësor të lig. Kaq mjaftoi dhe rrjetet e portalet (anti) sociale nisën të bluajnë rëndë e trashë. Ishte natë, pastaj mesnatë, shtoji kësaj dimrin e ngricat dhe sheh se si kompletohet në tërësi një ambient përrallorë thashethemesh që përmbushë shpirtrat (lexo: mendjet) e ngushta, aty ku pak më tutje vlon pa prá gjygymi i çajit si lebetitjet e vrerosura në drejtim të mjekëve e personelit mjekësor. Mallkohen, çnderohen e kërcënohen fund e krye dhe prapë nisin nga e para, me fyerje sa folkloriste aq anakronike. Iu lakohen nënat, bashkëshortët, iu nëmen fëmijët, iu përulet karakteri një herë, dy herë, pa mbarim herë… Ndonjëri që provon të thotë se, mbase duhet pritur të zbardhë drita që të dalë në shesh e vërteta, pa e mbaruar të thënën, i sulen mallkimet, fyerjet e kërcënimet me pretekstin që dhe ai është i lig si ata, domethënë si mjekët. Nënat dhe fëmijët e rojtarëve të jetëve tona lakohen rrugaçërisht, si të mos mjaftonte ndjenja e mysafirësisë që ata e ndjejnë në shtëpitë e tyre, shkaku i orëve të panumërta në shërbim. Por, edhe pas shërbimit e kudo që të ndodhet, para mjekut gjithnjë ulet këmbëkryq sëmundja, gjë që nuk ndodh në asnjë profesion tjetër. Thashethemet janë si serialet, që mund edhe të mos jenë turke, ku shikuesi do të donte që të mos mbaronin kurrë, anipse fundin e di nga fillimi. Por, ja që, me ose pa dëshirën tonë, sërish zbardhë drita, mbyllet një seri dhe e vërteta del në shesh. Në rastin në fjalë, e vërteta mësohet të jetë krejt ndryshe nga se u fol e u shkrua me orë e frymë të tëra. I moshuari kishte marrë në kohë shërbimin mjekësor, bilës bëhej fjalë për vizitë të detajuar mjekësore, ku përfshihet vizita, diagnostika, konsulencat e trajtimi. E gjithë ajo re barcore e zezë e një nate më parë, e mbushur me të nëma e sharje, kishte dalë e shterpë para rrezes së diellit. Të gjitha moduset e ndërtuara të thashethemeve, të gjitha gjetjet më banale të përçmimeve e kërcënimeve kishin shkuar huq, ose më saktë i ngjanin pështymës ose urinës së gjuajtur përpjetë. Mjekët dhe personeli mjekësor, në fund, ishin të vetmit që mbetën të pastër nga loja me lloçin që kishte nisur dimërorçe një natë më parë. Kërkimfalja tek fjala s’ka kuptim. Sepse, fjala është më e rëndë se shpata, domethënë më e rëndë se bomba atomike, përshtatur në kohë.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “848” të revistës Koha Javore
