Çoje gotën e rakisë, burri i shqiptarisë

Gjekë Gjonaj

“Ta pimë nga një gotë, se ndoshta nuk na bën gjë. Gëzuar! Çoje gotën e rakisë, burri i shqiptarisë apo i zoti i shtëpisë”. Këto shprehje i përdorim shpesh me njëri- tjetrin në takime të rastit, kur kemi kohë të ulemi në ndonjë lokal apo kafene dhe të bisedojmë me shokë, miq, kolegë, të afërm e persona të tjerë, sikurse edhe në festa, dasma e kremte të tjera. Shoqërimet e këtilla, pothuaj nuk mund të merren me mend (nuk janë të lezetshme), nëse nuk e pimë nga një gotë alkool të fortë, raki, verë, uiski… Kjo është normale, nëse nuk e teprojmë me konsumimin e pijeve alkoolike. Çdo gjë ka një kufij, një vijë të kuqe. Kjo vlen edhe për alkoolin. Pra, duhet të kemi kujdes me konsumimin e pijeve alkoolike, sepse ato mund të krijojnë varësi. Abuzimi me alkoolin mund të shkaktojë një sërë problemesh personale, familjare, financiare, ligjore, shkollore, sociale, aksidente dhe vdekje.

A mbetet puna vetëm te një gotë dhe cilat janë pasojat?
Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se shpesh pimë më shumë se një gotë alkool. Sipas këtij raporti gjatë vitit 2012, nga përdorimi i tepruar i alkoolit në mbarë botën, humbën jetën 3,3 milionë persona. Kjo përbën 6% të të gjitha rasteve të vdekjeve. Përveç kësaj, ekziston një lidhje mes pijeve alkoolike dhe 200 sëmundjeve të ndryshme, përfshirë ato kardiovaskulare e mendore.
Sipas rekomandimeve të OBSH-së, kufijtë e rekomanduar për gratë janë rreth 20 gram alkool i pastër në ditë, pra rreth 0,2 litra verë. Për burrat, kufiri maksimal i rekomanduar është 40 gram. Por, këto nivele, sipas ekspertëve, kanë të bëjnë vetëm me sëmundjet që mund të shkaktohen prej alkoolit, jo me rrezikun për të krijuar varësi prej tij, për të cilin nuk ka sasi të përcaktuara.
Sipas vlerësimeve globale të OBSH-së, 283 milionë njerëz mbi moshën 15 vjeç jetojnë me çrregullime që vijnë nga përdorimi i dëmshëm i alkoolit, që përbën 5.1% të popullsisë totale të rritur. Varësia nga alkooli, si forma më e rëndë e çrregullimit, prek 2.6% të të rriturve ose 144 milionë njerëz. Numri më i lartë u regjistrua në Evropë dhe Amerikë dhe çrregullimet e shkaktuara nga konsumimi i alkoolit janë më të zakonshme në vendet e zhvilluara.
Alkooli shkakton 3 milionë vdekje në vit (5.3% e totalit) dhe humbjen e 132.6 milionë vjetëve (5.1% e totalit) për shkak të paaftësisë (Disability Adjusted Life Years – DALY). Në Evropë, vlerësohet se rreth në 1 milion një person vdes si rezultat i përdorimit të alkoolit, i cili përbën 10% të të gjitha shkaqeve të vdekjes (shumica e tyre ndodhin në një moshë më të re). Konsumimi i alkoolit shkakton vdekje dhe paaftësi relativisht herët në jetë. Në strukturën e përgjithshme të vdekjeve në kategoria e moshës nga 20 deri në 39 vjeç, 13,5% e vdekjeve mund të lidhen me përdorimin e alkoolit.
Konsumi total i alkoolit për frymë në popullsinë botërore mbi 15 vjeç u rrit nga 5,5 litra alkool i pastër në vitin 2005 në 6,4 litra në vitin 2010 dhe mbeti në atë nivel në vitin 2016. Niveli më i lartë i konsumit të alkoolit për frymë është shënuar në vendet e rajonit evropian. Pavarësisht të dhënave të tilla, pavarësisht dëshmive të rreziqeve shëndetësore që bart, parashikimet tregojnë se konsumi global i alkoolit do të rritet edhe më shumë në dhjetë vitet e ardhshme. Deri në vitin 2025, konsumi total i alkoolit për frymë në mesin e njerëzve mbi 15 vjeç pritet të rritet në 7.0 litra në vitin 2025, përveç nëse tendencat e rritjes së konsumit të alkoolit në rajone të caktuara nuk ndalen dhe ndryshojnë.

Shqiptarët , populli më pak pijedashës në Evropë, ndërsa malazezët dhe serbët më pijedashësit në Ballkanin Perëndimor
Sipas statistikave zyrtare të Eurostat shqiptarët janë populli më pak pijedashës në Evropë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parafundit në kontinent. Konsumi i pijeve alkoolike sipas fuqisë blerëse në Shqipëri, tregojnë statistikat zyrtare, ishte sa 19% i mesatares evropiane, ndërkohë Kosova qëndron vetëm pak më lartë se shteti amë, me 22%.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor më pijedashësit janë malazezët dhe serbët, ndërsa pas tyre vjen Maqedonia e Veriut.
Ndërsa konsumi është i ulët, çmimet e pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 122% e mesatares evropiane, sipas tabelave të Eurostat, duke qenë një faktor që mund të ndikojë në stepjen e konsumatorëve për ta blerë këtë produkt.
Pijet alkoolike janë më të lirat në Evropë në Maqedoninë e Veriut, me 81% të mesatares evropiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219% të mesatares evropiane.
Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri në 2021-n ishte 86 euro, përkundrejt 286 euro që është mesatarja e Bashkimit Evropian, tregojnë hulumtimet e Eurostatit.

Rinia shqiptare, grupmosha më e rrezikuar
Rinia është më e rrezikuar nga alkooli sepse, duke iu referuar kontekstit real në Shqipëri, kjo grupmoshë përfshin dhe narkotikët. Kjo adoleshencë dhe kjo rini konsumojnë hashash, konsumojnë marihuanë dhe bashkë me to konsumojnë edhe alkoolin. Toksiciteti i këtyre dy substancave, shprehen ekspertët mjekësorë së bashku, është tepër i lartë, imagjinoni se çfarë problemesh japin në sistemin nervor, duke e çrregulluar në mënyrë të thellë të gjithë sistemin neurobiologjik.
Megjithatë, sipas statistikave zyrtare, të rinjtë shqiptarë janë më pak të varur nga alkooli dhe droga, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.

Rritet numri i grave dhe vajzave shqiptare që konsumojnë alkool
Edhe pse konsumimi i alkoolit është lidhur ngushtësisht me gjininë mashkullore, vitet e fundit numri i vajzave dhe grave të cilat konsumojnë këtë substancë rregullisht ka qenë në rritje. Përdoruesit e alkoolit e lidhin këtë trend me ndryshimin e mentalitetit. Po të vëzhgojmë me kujdes gjatë mbrëmjeve në Tiranë dhe qytete tjera të mëdha shqiptare vërejmë se në bare e lokale ka një numër të lartë të vajzave që përdorin pije specifike, superalkoolike. Kjo tregon se dita-ditës po zvogëlohet hendeku gjinor te shqiptarët për përdorimin e alkoolit.
Jetojmë në një lloj tranzicioni që çdokujt i lejohet të konsumojë ç’të dojë për sa kohë është brenda moshës. Domethënë ka ardhur koha që askush nuk duhet të ndikojë te zgjedhja e dikuj, na pëlqeu apo jo.

Të fundit

më të lexuarat