
Unë besoj që shumë kush e lexon “Kohën Javore” doemos që pyet dhe mediton se kush është autori i kësaj, kush nga kryeredaktorët e bëri simbol të informimit shqip dhe pse. Ose si dekodohet simbolika e pikturës. Nëse nuk e dini, piktori i saj është piktor nga Malësia, i cili njihet si piktor i kokave – rrashtave me të cilat bëri famë në metropolet e Evropës , Gjermani, Francë, Itali, duke jetuar i rrethuar me aureolën e famës së vet dhe që është piktori Gjelosh Gjokaj. Ndërsa vendosi që kjo kokë të jetë kopertinë e saj, kryeredaktori i parë i saj Gjelosh Gjokaj. Gjatë kam menduar për dekodimin e mesazhit dhe kam lexuar çdo gjë që më ka rënë në dorë nga biografia dhe autobiografia e autorit. Për të kam lexuar se si ai në fëmijërinë e vet kishte qenë i traumatizuar gjatë kohës së pushtimit fashist, kur para syve të tij i kishin therur qengjin me thikë dhe se atë shikim tmerri piktori e kish kapur edhe në sytë e kafshës. E një qengj duket se është edhe shikimi i kësaj malësoreje.
Por në rastin konkret, piktori pikturon fatin, jo më të një qengji, por të një femre malësore, që është gjysma tragjike e fatit të kombit në numër, ase të tij . Piktori përmes intuitës dhe lojës me brushë te kafkat, arrin e na e sjell atë ashtu të gjymtuar, apo siç do dëshironin disa të ishte femra malësore në kohë. Shih… i mungojnë duart, veshët, goja etj., por, prapëseprapë me rripin e një strajce shkollore sfidon shikuesin. Asaj ia gjymtuan hundën (për të mos i futur hundët kudo) sepse ashtu ishte “koha” , por e zbukuroi atë me një lule malësie – si një lule malësie që ishte: Ia shkulën veshët dhe flokët, por dhe këto i mbuloi me një gem trëndafil të pazakontë, të kaltër, po dhe flokët pothuaj se të shkulur i kishte mbuluar me një kurorë litari. Ndërsa kush e vari dhe ku, mos pyetni?! Por ajo që të mahnitë nga shikimi i saj, nuk shohim të i kenë errësuar sadopak ose mjegulluar vizionin triumfues në kohë dhe sikur Gjeloshi, i dinte këto gjëra se koha ishte dhe s’ishte për të…?! Në fakt edhe kryeredaktori Gjergj Gjokaj, një njeri shumë tolerant dhe intelektual i formuar, më vonë e pikasi këtë. Mbase me këtë simbolikë sikur dëshironte të jepte mesazhin që edhe informimi i asaj kohe tek shqiptarët në Mal të Zi ishte mu si fati i kësaj malësoreje të Gjeloshit dhe se fare mirë e dinte që ai informim që bënte shteti i atëhershëm i instrumentalizuar do të linte te brezat e ardhshëm barrierat e censurës dhe më pas të autocensurës . Gergj Gjokaj e dinte se do të vuante nga konformizmi dhe autocensura që shpesh ndodhë sot.
Por le t’i kthehemi konceptit kohë ?!
Vërtetë, po të mos ishin disa thënie të arta e të shenjta nga njerëzit e dijes dhe nga profetët, njeriu as sot, si puna ime, që kam filluar decenien e shtatë, nuk do ta kisha kuptuar atë. E për fenomenin Gjelosh Gjokaj , sot nga retrospektiva për të kuptuar filozofinë e kohës dhe kokës , apo kokave , kam të shtoj se , me rastin e vdekjes së një imami , nga fshati Shteg Vashë (Ana e Malit) , Selim Shaptafit, gjeneratë e Sabri Koçit nga medreseja e Shkodrës dëgjova se si imam Musaja si shok i Selimit dhe hafëz Sabri Koçit, u shpreh në ditën e ndarjes nga jeta e të ndjerit se : “ kur vdes një i ditur (alim) , është si të vdesin 5 fshatra. Pra, për momentin i binte që përnjëherë të kishin vdekur edhe 5 fshatra tjera të Anës së Malit . Unë e njihja hoxhë Selimin, ndërsa për këtë dua të arsyetoj që shqipja si gjuhë besimi kur dikush vdes, thotë atë mendim që tjerët nuk e kanë të njohur “ ndërroi jetë”! Duke na dhënë dijen se në këtë gjuhë nuk ka vdekje, sepse jeta, KOHA vazhdon duke qenë e pavdekshme. E këtë në dialektin e bukur gegë kuptueshëm qartë na e thonë dy emrat e librave të shenjtë që na vijnë të pagëzuara shqip, si Ungjill apo edhe UNJILL ( kupto fjalë shqipe Ungjill – u ngjall dhe ringjallje, që lexuar së prapthi na jep kuptimin RRIN GJALLË JE ose JE GJALLË RRIN. Por a kishte piktori Gjelosh Gjokaj edhe dimensionin e qëndresës ndaj kohës dhe a besonte ai në triumfin e lirisë?! Nga analiza e pikturës shihet se ai kishte njohuri apo intuitë për thëniet profetike që janë për kohën si nocion, se : “ Koha është shpatë, nëse ti nuk e pret, të pret ajo ty”?! Në fakt kjo për kohën shpatë, mund të mësohet edhe nga mitet, që janë vetë historia e fesë (besimit) . Si duket i gjithë brezi; Gjeloshi , Gjergji, imam Musaja…në të vërtetë kishin njohuri se si vet mitologjia, kur analizon na e mëson për sa thamë ndërsa thuhet se : Koha (Kronosi= kron osht) , vrau Uranin (Qiellin) me shpatë . Po më duket që këtu shqipja jonë në këto dije të shenjta shkon më tej sepse njeh edhe shumë perëndi me emra të zbërthyeshëm vetëm shqip ( sikur kjo t’u kishte vënë emrat) e ne po veçojmë këtu perëndinë VRAN (që e vranë) .Vrani, e dalë nga gegërishtja, janë VRA, Vrau, VRANË , Vranësirë (VRANT, dialekt) …?! Kujto atë pyetjen për kohën, se si ndjehu koha sot dhe kur thuhet, ndjehu kohë e VRANË dhe e vranë është folje. Kujto: “E vranë filanin…e kishin frikë?”. Sepse nëse ti se vret , të vret ajo ty…?!
ATËHERË, VËRETË ÇFARË SIMBOLIZON DHE Ç’MESAZH JEP KJO PIKTURË E GJELOSHIT ?!
Pa dyshim se në të unë shoh gjithë atë që cekëm më lart për kohën , derisa fare mirë e dimë që piktori i madh kurrë nuk qe i përkrahur sa duhet në shtetin e Malit të Zi. Sepse kishin frikë se ai do t’i vriste me piktura, për kafkat- kokat e malësorëve.
Kujtoj që si student në Prishtinë gjithherë sa vinte Gjeloshi në lokalet e dalluara në Prishtinë, kompleksi ”Boro e Ramiz“, ne disa nga studentët nga Mali i Zi, e hetuam ku pinte kafenë dhe ne uleshim aty pranë tij dhe doemos se mahniteshim me artistët kosovarë : piktorë, skulptorë, muzikantë, regjisorë dhe akademikë tjerë që shumë lartë e vlerësonin artin e këtij piktori të madh të dalë nga Malësia. Ju lutem, hidheni edhe një herë shikimin nga kjo pikturë e Gjeloshit dhe nëse jeni të sinqertë, shikimi juaj do të kthehet i turpëruar, kur të mësoni se mbase ndiheni të humbur po të kapni imazhin e kokës së malësores burrëreshë, nëse vëreni që në fakt se para jush keni dy pamje të kokës në dy kohë ?!. Në të djathtë të saj keni kokën e malësores së martirizuar në këtë jetë, me hundë të thyer, me gojë të mbyllur, me sy të mekur që jep shpirt dhe pa veshë e që rilindë si një krah tjetër shqiponje bukur e stolisur me atë që folëm më lartë duke jetuar me stolitë e parajsës.
KOHA ËSHTË EDHE MBRET I ÇUDIRAVE
Kam qenë tejet i privilegjuar në rastin e shënimit të 70 vjetorit të lindjes së piktorit, nga organizatori i shënimit të manifestimit, meqë isha i ftuar në darkën e rastit në restorantin, në mos gabohem, “Barka e Nojës” , ku nga Ulqini ishim të ftuar unë si drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Ulqin , Basri Çapriqi (poet), Asllan Bisha (shkrimtar) dhe Qazim Muja (piktor) , të gjithë nga Ulqini dhe kuptohet se ishte e pranishme edhe pasqyra intelektuale nga Kosova , po dhe nga jashtë . Të gjithë të mbijetuarit nga koha e Nojës , të cilin kur e mundën injorantët klithi , me tërë zërin e tij : ZOT MË MUNDËN, dhe Zoti i mundi të pa fetë…?! Ndërsa këtë natë neve nuk ishim më ata studentë të ndrojtur nga Mali i Zi që shikonim nga afër idhullin e Malësisë , por ishim mysafirë të kolosit nga Malësia. Sipas ndjesisë time , rasti i pikturave të Gjeloshit tregonte që kohë tjetër po vjen . Malësorët nuk ishin më vetëm provincë, e as provincialistë , por me të vërtetë po e vrisnin Kronosin dhe duhet ta vrasim, për të mos na vrarë ajo neve .
DIMENSIONE TJERA INTERPRETIMI TË MITIT TË KAFKAVE NË PIKTURË
Gjelosh Gjokaj besonte te ringjallja e mitit në kohë dhe kjo është një madhështi tjetër e pikturës së tij .
Tani le të ngjitemi një çikë sa më lartë për të shikuar nga atje kohën që ishte dhe është, për të qenë sa më të ftohtë në gjykim për kohën dhe njerëzit e kohës duke u ndalur sërish te miti në kohë, i femrës shqiptare- malësore , apo te fenomeni i “kokave” të Zake Prelvukës , që i takon një brezi tjetër kohor për të parë “ çfarë ngjason me rrashtën- kokën e femrës shqiptare “ në raport me realitetin e parakohshëm që rrënon mitin dhe bëhet sërish mit në artin e saj dhe ku tani vërejmë piktura nudo e shitje të trupit të asaj që koha e mitizoi me ashpërsinë e jetës duke e çmitizuar fare imazhin e malësores së parë, shqiptares së parë?! Për të përfunduar kujtesën kemi të shtojmë gjithashtu edhe një kujtesë tjetër ?! Derisa isha drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Ulqin , në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve në kuadër të festivalit veror në kalanë e Ulqinit, kishim bashkëorganizuar një ekspozitë për piktoren nga Plava dhe se performanca e ekspozitës i ishte besuar piktorit nga Ulqini, Qazim Mujës dhe ai vërtetë na befasoi kur në hyrje të ekspozitës ku ishte e shtrirë një pikturë femre e Zakës , kishte vendosur qirinj në tablo që hidhnin dritë e hije bashkë mbi dollarët e vendosur përreth saj nga shitja e mishit të bardhë . E mesazhi i qirinjve në momente të tilla dihet . Andaj hajde e mos beso, po deshe atë thënien, se PËRVEÇ SE PËRVEÇ SE “ Koha është shpatë , nëse ti nuk e pret , të pret ajo ty”?!!!
