
Në nëntor, Presidenti amerikan Donald Trump paraqiti planin e paqes për Ukrainën, fillimisht të formuluar në 28 pika, që më vonë pas harmonizimeve u reduktua në 19 pika. Dokumenti shkaktoi një tronditje të fortë në Evropë dhe në vetë Ukrainën, ndërsa Rusia reagoi pozitivisht.
Plani bazohet në disa kërkesa kryesore:
• dorëzimi i territorit të Donbasit Rusisë;
• heqja dorë nga synimi i Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s;
• reduktimi i ushtrisë ukrainase në 600.000 ushtarë;
• mundësia e hyrjes së Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Pika më e vështirë për Ukrainën është, sigurisht, heqja dorë nga pjesët e territorit të saj sovran.
Edhe pse invazioni i madh rus filloi më 24 shkurt 2022, procesi i dobësimit të integritetit territorial ukrainas nisi shumë më herët, me aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Lufta e vitit 2022 u bë konflikti më i madh në Evropë që nga viti 1945 dhe hapi çështjen e stabilitetit afatgjatë të të gjithë kontinentit evropian.
Një pjesë e analistëve mendon se heqja dorë nga NATO-ja është pika “më e lehtë“ për Kievin. Rusia, si fuqi e madhe, niset nga interesat e saj: NATO, duke u zgjeruar në Baltik disa vjet më parë, tashmë ndodhet në kufijtë e saj. Në rast të anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë, Rusia do të ishte plotësisht e rrethuar në anën evropiane. Udhëheqja ukrainase ka insistuar për vite për anëtarësim, duke u udhëhequr më shumë nga dëshira politike sesa nga vlerësimi real i raporteve gjeostrategjike. Sot përmendet shpesh se në vitin 2008 Gjermania, falë kancelares Angela Merkel, e bllokoi hyrjen e Ukrainës në NATO, duke e parandaluar ndoshta shpërthimin e një konflikti më të madh.
Megjithatë, çështja më e rëndësishme mbetet territori. Rusia kontrollon tani rreth një të pestën e territorit sovran të Ukrainës, përfshirë pjesë të mëdha të Donbasit dhe zonat kyçe përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Donbasi është një rajon historik në zonën kufitare mes Ukrainës dhe Rusisë, që prej dekadash ka qenë pjesë përbërëse e Ukrainës, por është edhe hapësirë e interesave të forta ruse.
Për ta kuptuar qasjen ruse, duhet marrë parasysh pozitën gjeostrategjike të saj: një fuqi e madhe territoriale me dalje minimale dhe të pasigurt në detet e ngrohta. Daljet e saj detare janë ose në veri, ose në akuatoriale që kontrollohen lehtë nga fuqitë e tjera. Një pozitë e tillë e ka shtyrë gjithmonë Rusinë kah Deti i Zi, hapësirë përmes së cilës ajo mund ta projektojë fuqinë drejt Mesdheut e më tej. Kjo është një konstantë historike e veprimit rus.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit janë rënduar edhe nga e kaluara e rëndë – veçanërisht Holodomori i viteve 1932-1933, kur nga uria e shkaktuar artificialisht nga regjimi stalinist, vdiqën midis 3.5 deri në 5 milionë ukrainas. Në këtë kontekst, frika ukrainase se dorëzimi i Donbasit mund të hapë rrugën për kërkesa të reja ruse nuk është pa bazë. Nga ana tjetër, nëse Ukraina nuk bën kompromis territorial, rrezikon humbje të mëtejshme të bregdetit, madje edhe vetë ekzistencën si shtet sovran. Është në një pozitë pa zgjidhje të lehta.
Reagimi evropian (BE dhe Britania e Madhe) ndaj luftës ishte i ngadaltë, jo unik dhe shpesh pa strategji të qartë. Mungesa e unitetit dhe një politikë që reagon vetëm kur kriza shpërthen – të gjitha këto krijuan përshtypjen se Evropa më shumë i vëzhgonte ngjarjet sesa që ndikonte në to. Shpesh shtrohet pyetja: a është shtyrë Ukraina nga ana evropiane drejt një konflikti më të thellë?!
Sot Ukraina ndodhet para një vendimi që do ta përcaktojë fatin e saj si shtet: në cilin drejtim të ecë? Vendi është i shkatërruar, dhjetëra mijëra jetë janë humbur; dëmet ekonomike dhe demografike janë katastrofike. Përveç çështjes territoriale, gjithçka përmblidhet në një pyetje: si të ruhet sovraniteti i një shteti kur pozita gjeostrategjike e bën atë peng të një fqinji shumë më të fuqishëm? Kjo është dilema së cilës askush në Kiev nuk mund t’i shmanget dhe për të cilën Perëndimi nuk ka përgjigje të gatshme.
