
Të gjendur ndërmjet metodave imponuese me pikëpamje të devijuara politike, ekonomike, intelektuale, sociale e kulturore, me një metodë mashtrimi, sprove e frikësimi, sot në mesin e një mijë e një problemeve të pazgjidhura, “pushtetarët” dhe “intelektualët” kërkojnë shfrytëzimin e një tiranie të hapur, përmes sanksionimit të “ligjeve” shtetërore, me të cilat tentojnë t’u ndalojnë vajzave të mbuluara hyrjet në shkolla publike! Një breshëri shkrimesh e debatesh kanë përfshirë sërish hapësirën e madhe mediatike dhe janë degraduar në nivelin më të neveritshëm.
Shumë “analistë”, të cilët nuk mund të distancohen nga veset e trashëguara të monizmit, por që u pëlqen ta quajnë “laicizëm”, shprehin haptas injorancën e tyre se shamia nuk është obligim fetar, por një “rrezik”, madje (referuar “Udhëzimit administrativ” të lëshuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, më 28 janar 2014) i barasvlershëm me narkotizmin, duhanin dhe armët e zjarrit! Këta, me mendësi të huazuara mesjetare, kërkojnë të na bindin se janë të vetmit njerëz “normalë” dhe po nuk mendove si ata, je nën ndikimin e “lavazhit ideologjik të mendjes” apo “të një të keqeje kombëtare” që duhet fshirë njëherë e mirë!
Shumë “analistë”, të cilët nuk mund të distancohen nga veset e trashëguara të monizmit, por që u pëlqen ta quajnë “laicizëm”, shprehin haptas injorancën e tyre se shamia nuk është obligim fetar, por një “rrezik”, madje i barasvlershëm me narkotizmin, duhanin dhe armët e zjarrit! Këta, me mendësi të huazuara mesjetare, kërkojnë të na bindin se janë të vetmit njerëz “normalë” dhe po nuk mendove si ata, je nën ndikimin e “lavazhit ideologjik të mendjes” apo “të një të keqeje kombëtare” që duhet fshirë njëherë e mirë!
Tendencat e këtilla datojnë nga fillimet e nacionalizmit shqiptar, kur disa zëra të mekur e shihnin fenë e shumicës shqiptare jo vetëm si pengesë për shkëputjen nga shteti osman, por edhe për vetë patriotizmin shqiptar! U rritën pastaj gjatë sistemit monist, për të na sjellë sot retorikat islamofobe se një shami në kokën e një vajze shqiptare na qenka një synim për “shkombëtarizimin e shqiptarëve!” Është guxim prej budallai të përjashtosh dikë nga bashkësia kombëtare, qoftë për shkak të fesë, qoftë të ndonjë karakteristike tjetër personale. Një mendësi e tillë është mendësi çubrilloviqiane, e përgatitur në “kuzhinat” e Akademisë Serbe, se: “Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kur është fjala për fenë (islame), prandaj ata duhet të ngacmohen në këtë pikë”! Kot nuk e ka thënë Sokrati, se: “Injoranca është origjina e gjithë të këqijave”.
Për ata që mbulesa është obligim fetar, ndalimi i saj në shkolla publike paraqet problem serioz dhe cenim i të drejtave elementare për jetë, siç është shkollimi. Ata janë të bindur se nënat më të mira dalin nga respektuesit e këtij rregulli dhe jo nga ato “të lirat që bëjnë çfarë të duan me jetën e tyre”. Ata mendojnë se bartja e shamisë është nën kompetencën e individit dhe jo të shtetit. Mesazhi i parë i saj është vendosja për të hyrë në një jetë në pajtim me Zotin dhe dëshira e saj për t’u vlerësuar në bazë të veprave dhe virtytit dhe jo ne bazë të bukurisë, elegancës dhe paraqitjes seksuale. Mbulesën ata e shohin si një “pjesë e gurit të çmuar, të cilën jo gjithkush mund ta prekë”.
Në të gjitha vendet normale të botës është e drejtë elementare e tyre që si prind t’u japin fëmijëve të tyre shkollim, edukatë, kulturë, fe e traditë çfarë ata konsiderojnë se është më e dobishme për vetë fëmijën e tyre. Dhe këtë të drejtë ekskluzive imponuese mbi fëmijën e gëzojnë për faktin se fëmija është i paaftë që të japë gjykim të drejtë mbi veten. Nuk kërkojnë të mbulojnë askë, thjesht kërkojnë të zbatohet ligji dhe të ofrohen mundësi të barabarta për të gjithë. Në këtë mënyrë, shqiptarët sërish të ndarë në “ne” dhe “ata”, ndarje që dëmtojnë dhe rrezikojnë frymën e përfolur të bashkëjetesës fetare dhe kohezionin shoqëror të shqiptarëve. Ata me të drejtë habiten përse nuk ndiqet shembulli i Perëndimit në këtë çështje.
Ç’është e vërteta, mbulesa e vajzave në Perëndim u përshkallëzua dukshëm me rritjen e kërkesave për mbulesën në nivel botëror. U morën vendime dhe propozime legjislative në disa vende të Evropës, për ta ndaluar atë në institucione shkollore e qeveritare. Pavetëdijshëm konkluduan për “të çliruarit e grave nga mbulesa në aspektin social, për ta bërë të barabartë me burrat”, në kohën kur ajo edhe si e zbuluar nuk gjeti barazi me burrin, as në aspektin politik, as në atë ekonomik, financiar, juridik e madje as në pagë. Por, Perëndimi së fundmi e kuptoi dhe e zgjidhi çështjen. Italia, edhe pse një vend me lidhje të forta me Kishën Katolike, shamitë e myslimaneve i lejoi në ambientet e shkollave dhe në zyrat publike, pasi “ato nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë publike”. Kur i kishin paraqitur kërkesën për ndalimin e mbulesës ish-ministrit të Brendshëm të Italisë, Xhuliano Amato, ai i pati kundërshtuar me arsyetimin se: “edhe Marija (e pikturuar në kishë) mban mbulesë”. Gjykata e Lartë e Gjermanisë ka lëshuar vendim, sipas të cilit mësueseve myslimane u lejohet bartja e shamive, sepse kjo “nuk dëmton vlerat e Kushtetutës Gjermane” [International Religious Freedom Report 2007]. Gjykata e Apelit në Bruksel ka anuluar ndalesën e shamisë në shkolla pasi “nuk bien në kundërshtim me parimet e neutralitetit dhe nuk përbëjnë provokim apo kërcënim publik” [Shadid & Koningsveld:1995]. Në Danimarkë është e lejuar që mësueset dhe nxënësit të mbajnë shami në klasat e shkollave [Nielson:1995]. Gjykata Britanike ka sjellë vendimin “për pjesëmarrjen e religjioneve” në sferat publike (1998), duke argumentuar se nuk ka pengesë për funksionimin e duhur të institucioneve [Canadian Ethnic Studies, #1/1999]. Në Amsterdam, në vitin 1999, Komisioni për Trajtimin e Barabartë argumentoi garancinë e lirisë së besimit dhe se ndalimi i shamisë do të përbënte diskriminim direkt, pasi shamia ishte “obligim që rrjedh nga besimi islam [Economist, 25.10.2003]. Komisioni për të drejtat e njeriut në Kanada ka lejuar nxënëset me shami duke potencuar se institucionet sociale duhet të luajnë një rol kyç në integrimin social dhe jo të margjinalizojnë individët duke i përjashtuar nga edukimi publik.
Ndërsa në Kosovë, edhe pse me shumicë dërmuese myslimane [Račius:2018], tentojnë të privojnë nga e drejta e shamisë në institucione publike, në pjesën tjetër të botës, ndonëse me shumicë dhe traditë të krishterë, kanë qindra raste të punësimeve të grave me shami në institucione publike dhe administrative dhe nuk ka të tilla shqetësime. Në vendin laik ku jetoj unë, liritë fetare dhe mbajtja e shamisë është e garantuar. Ato nuk diskriminohen as në shkollë, as në punë, as në administratë! Për të siguruar mirëqenien e grave myslimane, profesori i kimisë në Universititin e Meryland-it, Amar Johar, i ka hyrë një aventure interesante për përgatitjen dhe modelimin e një shamie islame, që të jep një ndjenjë flladi të freskët, të bërë nga pëlhura të rehatshme si mëndafshi dhe lloje të tjera!
Si Kongresi Amerikan ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve Anglezë në poste të larta administrative kanë gra me shami. Samera Fazili me shami u emërua zëvendësdrejtore e Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Britaninë e Madhe Fatima Manji me shami u bë drejtuese e edicionit të lajmeve në Channel 4 News (2016)! Në Singapur, Halima Jakub me shami u zgjodh Presidente prej vitit 2017. Modelen Mariah Idrisi nuk e pengoi shamia të arrijë famën e saj dhe as Rafia Arshad-in të bëhet gjykatëse e nivelit të lartë në Angli. Shamia nuk e pengoi kongresmenen amerikane Ilhan Omar, as reporteren televizive Tahera Rahman, as ambasadoren e UNICEF-it, Halima Aden, dhe as atleten Ibtihaj Muhamed të fitojë medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 2016. (vijon)
