Çdo popull e ka demokracinë që e meriton!

Popujt që e duan lirinë, nuk bëjnë kompromise me të drejtat e veta të ligjshme, nuk do të kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, prapakthim, katandisje, regres, përçmim dhe përdhunim të vullnetit politik të keqpërdorur nga një grusht politikanësh mashtrues, të paaftë, interesxhinj, të korruptuar, të etshëm për pushtet, që me kaq përulje i realizojnë agjendat e huaja në dëm të çështjes sonë kombëtare!

Qani Osmani

Thënia e famshme e Hegelit se “Çdo popull e ka demokracinë që e meriton” është një e vërtetë e përgjithshme historike që është dëshmuar asokohe dhe po dëshmohet edhe në ditët e sotme. Një filozofi e tillë politike, që në shikim të parë duket e thjeshtë, njëkohësisht shpreh një mendim shumë të thellë në vetvete. Edhe ngjarjet e fundit në Mal të Zi, nëse reflektohen në këtë prizëm, dëshmojnë pikë për pikë këtë filozofi politike hegeliane.
Në fakt, një popull që nuk proteston dhe nuk e ngre zërin për padrejtësitë dhe diskriminimin që i bëhet nga përfaqësuesit që i ka zgjedhur me vullnetin e vet, njëkohësisht dërgon mesazhin se pajtohet me këtë politikë arbitrare dhe hileqare, me çka e dëshmon edhe papjekurinë e vet politike, pasi që me vetë heshtjen e vet për disa dekada ka dhënë pëlqimin për situatën politike në të cilën sot gjendet.
Fillimisht, nuk kam dashur personalisht ta pranoj realitetin e kësaj filozofie politike defetiste, por edhe realiste, si për vendin ashtu edhe për popullin tim, dhe në vetvete e kam shtypur ndjenjën reale të pafajësisë për mosveprimin personal në drejtim të ndërgjegjësimit racionalist të nacionalpolitikës shqiptare, me shpresën se koha punon në favorin tonë dhe se gjërat do të vijnë vetvetiu në binarë të vet.
Por ndjenja e fajësisë personale që ma gërryen shpirtin çdo ditë dhe proteston brenda meje, për shkak të heshtjes sonë kolektive intelektuale për realitetin që na rrethon, s’më lë të qetë dhe më bën nganjëherë që këtë dhimbje dhe ndjenjë ta ndaj me të tjerët, pavarësisht se nuk bën efektin e vet momental, por së paku e qetëson ndërgjegjen time, duke i thënë vetes se megjithatë bëra diçka dhe e thashë të vërtetën time, që kryesisht has në vesh të shurdhër, si të politikës ashtu edhe në masën e gjerë popullore!
Ashtu siç u mbajtën shqiptarët nga regjimi komunist nën ish-Jugosllavi, të frikësuar dhe të mashtruar nga ideja e vëllazërim-bashkimit dhe barazia e rrejshme, ngjashëm janë mbajtur edhe nga propaganda e regjimit postkomunist të tranzicionit demokratik, nga viti 1990 e deri më sot. Janë shpikur teori, zbatuar metoda nga më perfidet për heshtjen e kërkesave reale të shqiptarëve, duke ngritur heronj të rrejshëm, superpatriotë e kryeheronj, të cilët në peshoren reale të historisë do të dalin qesharakë, antiheronj, matrapazë dhe mashtrues ordinerë, bashkë me ata do të skuqemi edhe ne që heshtim, i miratojmë këto dështime dhe pajtohemi me këtë politikë të mbrapshtë, e cila do të na kushtojë shtrenjtë neve dhe gjeneratave pas nesh.
Popujt që e duan lirinë nuk bëjnë kompromise me të drejtat e veta të ligjshme, nuk do të kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, prapakthim, katandisje, regres, përçmim dhe përdhunim të vullnetit politik të keqpërdorur nga një grusht politikanësh mashtrues, të paaftë, interesxhinj, të korruptuar, të etshëm për pushtet, që me kaq përulje i realizojnë agjendat e huaja në dëm të çështjes sonë kombëtare!
Është fakt i pamohueshëm se shqiptarët nuk arritën që t’i realizojnë edhe të drejtat më elementare që i përkasin identitetit, siç është çështja e përdorimit dhe barazimit të gjuhës sonë amtare, çështja e qeverisjes së pushtetit vendor ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë për afër tri dekada me radhë. Këtë nuk ka propagandë që mund ta arsyetojë, fshijë dhe ndryshojë. Këto dështime nuk mund të quhen përparim, zhvillim, ngritje, progres, përkundrazi janë “dështime të dhimbshme të politikës shqiptare në Mal të Zi”, për të cilat një ditë do të skuqemi të gjithë.
Prandaj, është koha që të themi mjaft më me hatërbërje, heshtje, përçarje dhe kacafytje! Koha e re kërkon njerëz të rinj, vizion dhe ide të reja, strategji të re që do të sigurojë të ardhme më të mirë për popullin shqiptar në Mal të Zi, të cilit edhe sot i mungon barazia, liria, shteti i uzurpuar nga të tjerët dhe nga hipokritët e vet shqiptarë në politikë!
Tani nuk është koha, e as rrethanat nuk na lejojnë, të kërkohet llogari nga të tjerët, nga cilido politikan i derisotëm, por në rrugë demokratike duhet që këtyre politikanëve dhe kësaj politike t’i themi hapur LAMTUMIRË! T’u themi se nderin më të madh ndaj popullit shqiptar do ta bënin nëse qetë do të largohen nga skena politike. Populli shqiptar nuk ka nevojë as për kërkimfalje, as për arsyetime, e as për inate e hakmarrje, por ka nevojë për realizimin me dinjitet dhe në rrugë demokratike të të drejtave të veta të nëpërkëmbura dhe mohuara!
Populli shqiptar në Mal të Zi nuk duhet të tolerojë dhe më tej të qëndrojë në pushtet qendror dhe lokal kjo klasë politike e korruptuar, injorante, antikombëtare, që i varfëron përditë e më shumë dhe i poshtëron shqiptarët, që i zbraz trojet etnike, që e përkrahë dhe forcon sundimin dhe diskriminimin e huaj mbi shqiptarët.

Të fundit

më të lexuarat