Buxheti i Komunës së Tuzit për vitin 2024 – anim drejt shërbimeve, më pak zhvillimor

Enis Gjokaj

Qeverisja aktuale në komunën e Tuzit (ASH, LDSH, UNSH, Demokratët e Malit të Zi dhe kandidati i pavarur) nga viti në vit, ngadalë por sigurt po humbet konceptin e qëndrueshmërisë ekonomike. Kjo po ndodh për arsye se çdo vit me qëllim planifikohet buxheti i lartë në mënyrë që të stërngarkohet komuna me të punësuar të cilët shpejt do të jenë „konopi rreth qafe“ për qëndrueshmërinë e komunës. Kjo ndodh për dy arsye kryesore:

  • Interesi partiak që sa më shumë të punësohen, mbase ishte premtim parazgjedhor, e që në këtë mënyrë të rrihet sa më gjatë në pushtet dhe
  • Mungesa e një planifikimi afatgjatë të qëndrueshmërisë ekonomike.
    Komuna e Tuzit është një qeverisje lokale që vitin e kaluar, edhe pse kishte një buxhet prej më shumë se 8 milionë euro, huazoi rreth 1 milion euro nga Qeveria e Malit të Zi, sepse nuk mund t’i realizonte pagat dhe kontributet e punonjësve (dhe kontraktuesve) në momentin e caktuar dhe të zbatonte projektet e planifikuara me dinamikën e planifikuar.
    Sigurisht që askush nuk është kundër një buxheti të lartë, por bazuar në të ardhura që nuk janë nga të ardhurat vetanake dhe nëse gjykojmë nga thënia e vjetër Sipas mëngjesit shihet dita, atëherë mund të themi me siguri se e gjithë kjo i ngjan gjithçkaje, por jo menaxhimit serioz dhe të përgjegjshëm të shumicës aktuale.
    Edhe pse buxheti i Komunës së Tuzit për vitin 2024, me një vlerë prej 8.053.987,16 euro, u miratua nga Kuvendi Komunal më 28 dhjetor 2023, në pamje të parë duket mjaft i madh, ai është realisht i destinuar më shumë për shërbime se sa zhvillim të komunës.
    Me buxhetin vlerësohen 2.070.000 euro si një burim të ardhurash, që korrespondon me 25,7% të buxhetit, i cili duhet të rimbushet nga taksat. Personalisht, mendoj se kjo është një përqindje shumë e lartë për t’u realizuar nga taksat. Sidomos kur dihet se në vitet e mëparshme Komuna e Tuzit hoqi dorë nga të ardhurat nga tatimi mbi pasuritë e paluajtshme për ekonomitë bujqësore dhe personat fizikë, që u paraqit për këtë vit në shumën 800.000 euro ose 9,93 për qind të buxhetit total.
    Të ardhurat e tjera, si pjesë e të ardhurave vetanake, në vlerë prej 836 mijë euro ose 10,38%, janë gjithashtu një vlerë mjaft e diskutueshme.
    Gjithashtu, donacionet synojnë të gjenerojnë të hyra në vlerë prej 3.062.000 euro, që përfaqëson 38% të buxhetit total.
    Se çështja është serioze tregohet edhe nga fakti se shumica aktuale planifikon që me anë të shitjes së tokës të plotësojë deficitin buxhetor, në vlerën prej 500.000 euro, pa vlerësim paraprak të shitjes apo sipërfaqeve të sakta të parcelave të planifikuara për shitje.
    Sa për rikujtim, vitin e kaluar Forumi Shqiptar, duke u marrë me politizime, mburrej se u blinte tokën vendasve vëllazërisë së Rrogathit nga SH.A. “Plantacionet”, të gjitha këto me qëllim të fitimit të votave për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar dhe këtë vit ai po planifikon të shesë tokën, në mënyrë që t’I rrisë të ardhurat buxhetore, gjegjësisht ta mbulojë deficitin buxhetor.
    Sigurisht që kthimi i tokës për vëllazërinë e Rrogathit deri më tani ka mbetur vetëm një letër e zbrazët, si shumë çështje tjera dhe do të përmend një shembull – çështjen e ndarjes së pasurisë me kryeqytetin Podgoricë ku ka çuar në situatën që Komuna e Tuzit aktualisht i detyrohet „Deponisë“ më shumë se 100 mijë euro.
    Sigurisht që, nëse do të ishte reaguar në kohë dhe do t’i jepej fund kësaj çështjeje, nuk do ta kishim këtë situatë tani. Për fat të keq, ky është realiteti i sotëm i pushtetit vendor në Tuz, papërgjegjshmëri dhe keqmenaxhim i plotë, i cili për mendimin tim funksionon dhe planifikon në afat shumë të shkurtër, gjë që do të çojë në një situatë shumë komplekse sa i takon qëndrueshmërisë në të ardhmen.
    Në vitin 2024 është parashikuar një vlerë prej 1.649.088 euro ose 20,47% për punonjësit, që do të thotë një rritje me pothuajse 10% krahasuar me vitin paraprak. Nëse i shtojmë kësaj shifre vlerën e planifikuar për kontraktuesit dhe shumën për shpenzimet e tjera individuale, del që komuna planifikon 1.726.088 euro për vitin 2024, ose 21,43% të shumës totale të buxhetit.
    Duke marrë parasysh shumën e kostove të planifikuara për të punësuarit në ndërmarrjet publike (“Komunale”, “Tregu” dhe “Ujësjellësi e Kanalizimi”), Organizata Turistike dhe QKI “Malësia” rezulton se vlera totale e planifikuar për punonjësit (përfshirë edhe të angazhuarit me kontratë) u kushton qytetarëve të Komunës së Tuzit më shumë se 3.350.000 euro, që është një shifër shumë e madhe për pushtetin vendor të ri.
    Sipas të dhënave që posedoj, aktualisht kemi 272 punonjës në Komunën e Tuzit, bashkë me ndërmarrjet e lartpërmendura. Sigurisht, të jemi të qartë, askush nuk ka asgjë kundër punësimit, sidomos të të rinjve, por jo në dëm të qëndrueshmërisë së komunës, që padyshim, nëse do të vazhdohet më të njëjtin avaz do të ndodhë në periudhën e ardhshme.
    Nga ana tjetër, investimet kapitale që janë realizuar dhe janë duke u zhvilluar nuk janë projektuar më së miri në kuptimin që nuk kishte shumë nevojë për hapa të tillë të ngutshëm. Personalisht mendoj se, ishte paraprakisht e nevojshme të bëhej realizimi i rrugës tranzite drejt kalimit kufitar Bozhaj-Hani Hotit, në mënyrë që kryesisht të ruhen rrugët ekzistuese dytësore, gjë që nuk ndodh tani, e që vetëm pas realizimit të kësaj rruge tranzite të bëhet realizimi i projekteve të zbatuara deri tani dhe atyre që janë në vazhdim. Këtu kryekëput po i referohem realizimit të aksit rrugor pranë komunës dhe aksit rrugor që është aktualisht duke u realizuar nga Qendra Shëndetësore e Tuzit deri përballë IP “25 Maji” në Tuz. Këto dy akse rrugore nuk kanë pasur kurrë probleme infrastrukturore kur është në pyetje p.sh. përmbytja, shikueshmëria përgjatë aksit rrugor e të ngjashme. Pra, nuk kanë kërkuar me doemos intervenim që të përmirësohet situata dhe kushtet rrugore në akset rrugore në fjalë.
    Gjithashtu, nëse shikojmë vlerën e investimeve kapitale, del se pak më shumë se 25% e totalit të buxhetit të planifikuar është parashikuar për shpenzimet kapitale dhe duke përjashtuar shumën e mirëmbajtjes investuese dhe transferimit të projektit kemi shumën prej 1.393.389,16 euro. Nga kjo kemi një situatë që vetëm 1.222.000 euro janë planifikuar për realizimin e investimeve kapitale, që është vetëm rreth 15% e shumës totale të buxhetit të planifikuar, vlerë kjo tepër modeste krahasuar me buxhetin e planifikuar mbi 8 milionë euro.
    Në fund, mund të themi se qeverisja aktuale në Tuz lë shumë për të dëshiruar, sillet në mënyrë shumë të papërgjegjshme duke bërë zvogëlimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe në fund qëndrueshmëria do të arrijë nivelin që do të duhet të punohet vetëm për pagat dhe kontributet e punonjësve, e dëshira jonë në të ardhmen do të jetë të shohim realizimin e ndonjë projekti më serioz.

Të fundit

më të lexuarat