Derisa në qytetin Raka të Sirisë, këto ditë, gratë publikisht po i djegin burkat e imponuara nga terroristët e ISIS-it që e mbajtën për disa vite këtë qytet nën pushtetin e tyre, këtu tek ne, dëgjohen thirrje e kërcënime për vrasje të atyre që guxojnë të thonë ndonjë mendim kritik për burkan. Çfarë paradoksi! Mos vallë kemi ardhur deri në atë pikë sa jemi bërë më arabë se arabët?
Blerim Latifi
Në serinë e gjatë të atyre që gjithë këto vite u përballën me lloj lloj kërcenimesh me jetë, i fundit këto ditë ishte publicisti Berat Buzhala. Një status sarkastik i Beratit për tre gra të veshura me burka shpërtheu një histeri të pafundme të sharjeve dhe kërcenimeve ndaj tij, sidomos nga Maqedonia. Pasuesit kokëbosh të këngëtarëve tallava apo komandantëve që kanë bërë emër me betejat e shpikura pas luftës u sulën kundër Buzhalës me një mllef linçimi që do ta kishin zili edhe salafistët më fanatikë në rrugët e Rakas apo Mosulit.
Shtrohet çështja: prej nga ky pasion kaq i zjarrtë salafist të shqiptarët e Maqedonisë. Prej nga ky preokupim i tyre kaq i madh me detajet doktrinore të islamit? Çfarë po ndodhë me shqiptarët në Maqedoni? Si shpjegohet ky zell i tyre fetar që u ka pushtuar mendjet, zemrat dhe jetën sociale?
Natyrisht spektri i këtyre pyetjeve është shumë i gjërë dhe përgjegjet në to kërkojnë një studim të thelluar shumë dimensional, sociologjik, historik dhe politik gjithsesi. Ky shkrim nuk mëton të sjellë këto përgjegje, por vetëm një konstatim i cili del nga një vëzhgim i thjeshtë i realitetit social dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë.
Kombi shqiptar, i cili me aq shumë vështirësi, pas një procesi të gjatë historik, i’a doli të ndërtohej në parametra të kombeve evropiane, sot, në pjesën e parë të shekullit XXI, është duke humbur një pjesë njerëzore të tij dhe pikërisht shqiptarët e Maqedonisë.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “774” të revistës Koha Javore
