Besueshmëria ndaj mediave online

Është thelbësore që të aftësohemi në dallimin e vërtetësisë së një lajmi, dhe të mos vlerësojmë çdo gjë si të vërtetë. Nëse nuk ka ndonjë provë që e vërteton atë që thuhet, është mirë që ta lëmë të qëndrojë në hijet e dyshimit, duke mos e përtypur menjëherë si fakt të kryer

Paula Dekaj

Një nga fushat ku modernizimi shfaq rolin e tij më së miri, është media. Edhe pse media tradicionale vazhdon rrugëtimin, ajo e kohës moderne është në kulmin e lulëzimit të saj. Informimi nëpërmjet platformave online, sigurisht mbart rëndësi sepse ekzistojnë portale të cilat na japin në moment atë që na duhet. Kjo pasi të tilla media na informojnë me lajme të shkurtra, të shpejta, të ndara në blloqe dhe lehtësisht të kapshme për secilin. Siç dhe e kemi dëshmuar nga vetë përvoja jonë, shoqërohen edhe me foto apo video plotësuese. Ndërsa interneti në tërësi na jep luksin e të pasur variantet online të gazetave dhe revistave, pothuaj të gjitha emisionet dhe edicionet informative të TV në YouTube, dhe stacionet e radios t’i dëgjojmë me një klikim.

Megjithatë, edhe pse mediat në përgjithësi pretendojnë se informacionet e tyre ruajnë parimet bazë të gazetarisë dhe nuk favorizojnë figura politike, sërish anojnë më tepër (shpeshherë këmbë e krye) nga një parti apo aktor politik

Për fat jo të mirë, mes gjithë këtij trafiku informacionesh, problem vazhdojnë të përbëjnë abuzimet me vërtetësinë e tyre, të cilat me të vërtetë, e zhgënjejnë lexuesin. Duke nisur nga lajmet me tituj bombastikë, ku tjetër gjë prezanton titulli e tjetër brendësia, deri tek moria e lajmeve të pabazuara në fakte, të cilat nuk e kalojnë nivelin e një thashetheme, bëjnë që një pjesë e madhe e njerëzve të jenë më përzgjedhës për mediat ku duan të informohen. Dhe kjo me të drejtë! Është thelbësore që të aftësohemi në dallimin e vërtetësinë së një lajmi, dhe të mos vlerësojmë çdo gjë si të vërtetë. Nëse nuk ka ndonjë provë që e vërteton atë që thuhet, është mirë që ta lëmë të qëndrojë në hijet e dyshimit, duke mos e përtypur menjëherë si fakt të kryer.
Përveç këtyre, aspak rastësisht, sikurse në mediat tradicionale ku politika ka pasur dhe ka ndikim, edhe në format online të informacionit, politikani mund të jetë pronar a financues. Nuk pranohet haptazi; parimi i të qenit objektiv dhe i paanshëm e dikton këtë. Megjithatë, edhe pse mediat në përgjithësi pretendojnë se informacionet e tyre ruajnë parimet bazë të gazetarisë dhe nuk favorizojnë figura politike, sërish anojnë më tepër (shpesh herë këmbë e krye) nga një parti apo aktor politik. Ndonëse kjo media tërheq ndaj vetes simpatizantët e X partie, për pjesën tjetër që nuk është mbështetëse e saj, mund të bëhet një media e urryeshme. Ndoshta është shumë më mirë kur ky fakt pranohet publikisht, si në rastin e gazetave britanike ‘‘The Guardian’’, ‘‘Daily Mail’’, ‘‘The Sun’’, ‘‘The Times etj.

Jo përherë klikimet e shumta dhe pëlqyeshmëria e lartë, do të thonë se një media është medoemos e mirë. Këto klikime mund të jenë fituar me ‘‘karremin’’ e titullit që shet, por që lajmi nuk ia vlen…

Si pasojë, besueshmëria ndaj një medie online u ndikuaka nga një sërë faktorësh. Duhet veçuar fakti se shumë website të suksesshme, rrjedhin nga shtëpi mediatike të mëdha, të cilat gëzojnë një audiencë të fituar qysh më herët nga media tradicionale. Ky target grup i ‘‘audiencës besnike’’, thjesht vazhdon informimin dhe zbavitjen në platformat online, tek po e njëjta massmedia. Sakaq, ka dhe portale të pavarura të cilat nuk rrjedhin nga një gazetë, revistë apo TV, por që me punën e tyre të zellshme, kanë arritur të kenë një sukses të madh, të dëshmuar në klikimet të larta. Jo përherë klikimet e shumta dhe pëlqyeshmëria e lartë, do të thonë se një media është me doemos e mirë. Këto klikime mund të jenë fituar me ‘‘karremin’’ e titullit që shet, por lajmi nuk ia vlen…

Të fundit

më të lexuarat