Bëhet thirrje për dorëheqjen e Zhozep Borel

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kejti Shneberger, e ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Zhozep Borel për qasjen ndaj Kosovës, njofton Koha.net dhe disa portale të tjera. Sipas këtyre burimeve mediatike, Shneberger ka akuzuar Borelin se po përpiqet që të sanksionojë një shtet nga i cili janë kidnapuar tre policë nga njësitë policore të Serbisë, ndërsa këtë të fundit e përkëdhel derisa kryen krime jashtë territorit të saj.
Zyrtarja e Bashkimit Evropian nga Gjermania, Kejti Shneberger ka bërë kërkesën e fortë që Borreli të japë dorëheqjen menjëherë nga deytra e lartë si Përfaqsues i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme. Sa për kujtesë dhe informacion për lexuesin, Zhozep Borel është një politikan i Spanjës, anëtar i Partisë Socialiste të Punës të atij vendi. Spanja është një ndër vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i përfshirë në të ashtuquajturin “dialog” Beograd-Prishtinë, vjen nga Sllovakia, një vend tjetër i BE-së që nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Çfarë kredibiliteti kanë këta dy zyrtarë të lartë të BE-së, që vijnë nga dy shtete që nuk njohin, zyrtarisht, si shtet të pavarur në “dialogun” midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës?
Tre vjet më parë kisha parshikuar se emërimi i Zhozep Borrel (Përfaqësues i BE-së për Punët e Jashtme) dhe Miroslav Lajçak (Përfaqsues i BE-s për Ballkanin Perëndimor, përshirë “dialogun” Prishtinë-Beograd), nuk ishin aspak lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe për interesat legjitime të shqiptarëve në përgjithësi anembanë Ballkanit Perëndimor.
Në këtë ndërkohë, zyrtarja e BE-së Kejti Shneberger i ka bërë thirrje Evropës që të qëndrojë me Kosovën dhe i ka kërkuar Zhozep Borelit që të jap dorëheqjen: “Dorëhiqu para se të bësh më shumë dëme. Ti je një rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë. Na duhen njerëz që e mbrojnë demokracinë tonë, jo që forcojnë autokratët”, citohet të ketë shkruar ajo në rrjetet sociale.
Sa për informacion për lexuesit, këshilltarja vendore e BE-së, Kejti Shneberger ishte e para që ndërmori përsipër (majin e vitit 2022) organizimin e peticionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e mbështetur në atë kohë edhe nga raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek. Rezultati përfundimtar është se qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza anembanë zonës Shengen, duke filluar nga 1 janari i vitit që vjen (2024).

Ëndrra shekullore e shqiptarëve për të zënë karrigën që u përket në radhët e kombeve të Evropës, aty ku e kanë vendin, si njëri prej kombeve më të vjetra të kontinentit evropian! Një ëndërr kjo që nuk vdes deri në realizimin e saj!

Të fundit

më të lexuarat