Bashkoi sërish shqiptarët nëpër botë

Është festë që i tejkalon kufijtë politikë dhe ndarjet administrative, sepse shqiptarët, pavarësisht ku jetojnë, ndajnë të njëjtin simbol dhe të njëjtën histori. Në këtë datë, për disa orë, u duk sikur gjithë kombi flet një gjuhë të vetme shpirtërore: gjuhën e përkatësisë

Toni Ujkaj

Njëra ndër festat më të dashura, më të rëndësishme dhe më me peshë historike për shqiptarët është pa dyshim dita e shënuar e 28 Nëntorit. Ajo është një festë kombëtare, e cila rizgjon, të paktën një herë në vit, ndjenjat e përkatësisë, identitetit dhe vetëdijes historike: kush kemi qenë, kush jemi sot dhe çfarë duhet të jemi nesër.
Në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe në diasporë, kjo datë i bashkoi shqiptarët pa dallime. Ajo ngriti lart ndjenjën e unitetit dhe të përbashkësisë, me një atdhedashuri të thellë që i kujton secilit se kujt i përket, cilit truall, cilës histori e cilës trashëgimi. Kjo festë rizgjoi ndjenja të thella atdhedashurie dhe krenarie, duke na kujtuar rrugëtimin e kombit tonë, sakrificat e të parëve dhe përgjegjësinë që kemi për të ardhmen.
28 Nëntori është pikërisht ajo ditë ku i thjeshti dhe i dituri, punëtori dhe akademiku, artisti dhe politikani qëndrojnë nën të njëjtin simbol – nën atë të flamurit kuqezi, i cili është i të gjithëve dhe mbi të gjithë.
Nga fëmijët te të moshuarit, nga artistët te politikanët dhe intelektualët, të gjithë u bashkuan në këtë festë që i jep kuptim unitetit shqiptar.
Çdo vit, me këtë datë, edhe sivjet, Shqipëria, Kosova, por edhe shqiptarët në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në diasporë – në Evropë, SHBA e më gjerë, organizuan një sërë aktivitetesh kulturore, historike dhe festive për nder të kësaj dite të shenjtë për kombin shqiptar. Kjo festë, e cila sivjet shënon 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, është një rikujtesë për të kaluarën dhe për rrugëtimin që shqiptarët kanë bërë si popull.
Kudo ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarët, 28 Nëntori mbetet festa që i përbashkon, që i sjell pranë, që i vendos në lëvizje për ta shënuar në mënyrën më dinjitoze të mundshme.
Në nderim të kësaj feste, qytetet shqiptare u veshën kuq e zi; njerëzit valëvitën flamurin kuqezi, shpërndanë këngë patriotike, shkruan mesazhe urimi, postuan simbole e histori në rrjetet sociale, duke shprehur dashurinë për atdheun dhe respektin për historinë e tij. Këto gjeste, sado simbolike, mbartin brenda një kujtesë kolektive e cila nuk është shuar kurrë, pavarësisht peripecive historike që ka kaluar ky popull.
Shqipëria, si shtet me 113 vjet pavarësi, ka përjetuar sfida të mëdha, kohë të vështira dhe periudha tranzicioni, por njëkohësisht ka shënuar progres të dukshëm në fusha të ndryshme. Ky progres, me gjithë mangësitë dhe sfidat aktuale, është arsye që në çdo përvjetor shqiptarët të gjejnë arsye për të qenë krenarë për rrugëtimin e tyre.
Në Mal të Zi, shqiptarët e festojnë me dinjitet dhe përkushtim këtë datë. Për çdo vit, ajo shënohet solemnisht, sikurse edhe sivjet, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, nga shoqata të shumta kulturore e artistike në Tuz, Ulqin, Plavë, Guci dhe në treva të tjera me prani shqiptare. Kudo u panë simbole, flamuj, tubime, koncerte e akademi solemne, sepse kjo ditë ishte një moment identitar.
Edhe diaspora shqiptare, e përhapur në të katër anët e botës, nuk e la pas dore këtë festë. Në shtete të ndryshme evropiane, në SHBA, Kanada, Australi e gjetiu, u organizuan veprimtari, parakalime, koncerte e tubime të diasporës, të cilat arritën një nivel organizimi që u ngjajnë ceremonive shtetërore. Flamuri kuqezi u valëvit në sheshe të Berlinit, Nju Jorkut, Cyrihut, Londrës, e qindra qyteteve ku punojnë e jetojnë shqiptarët.
28 Nëntori nuk njeh kufij. Ai i bashkoi shqiptarët në çdo cep të trojeve të tyre dhe në diasporë, për të festuar të njëjtën krenari kombëtare. Artistët, këngëtarët e poetët shqiptarë, si brenda trojeve ashtu edhe jashtë tyre, çdo vit i kushtojnë vargje, këngë e vepra artistike kësaj feste të madhe. Muzika, poezia dhe arti në përgjithësi marrin një ngjyrim të veçantë në këtë ditë, duke përçuar ndjenjën e krenarisë për kombin, flamurin dhe historinë.
Përveç qytetarëve të thjeshtë, kjo festë i bashkon edhe intelektualët dhe politikanët, duke i dhënë një dimension solemniteti dhe reflektimi mbi historinë dhe të ardhmen e kombit.
Lidhja e emocionit me veprimet konkrete është gjithashtu evidente: organizimi i aktiviteteve, koncertet, ekspozitat, publikimet dhe përkujtimet, tregojnë se festimi është një reflektim i përpjekjeve për të ruajtur dhe për të çuar përpara trashëgiminë kulturore dhe historike.
Kur një popull përkujton themelin e shtetit të tij, ai përkujton edhe sakrificat që e bënë atë të mundur, por edhe përgjegjësinë e brezave të sotëm për të ruajtur, zhvilluar dhe nderuar këtë trashëgimi.
Është festë që i tejkalon kufijtë politikë dhe ndarjet administrative, sepse shqiptarët, pavarësisht ku jetojnë, ndajnë të njëjtin simbol dhe të njëjtën histori. Në këtë datë, për disa orë, u duk sikur gjithë kombi flet një gjuhë të vetme shpirtërore: gjuhën e përkatësisë.
Në qendër të kësaj feste, përveç përkujtimit të figurave historike, heronjve, iluministëve e atyre që e sollën pavarësinë, është edhe qytetari i zakonshëm, familjet, të rinjtë, komunitetet që organizojnë koncerte e tubime, intelektualët që flasin për rëndësinë e kësaj dite, politikanët që mbajnë fjalime e artistët që performojnë dhe përçojnë ndjenjë dhe emocion në skenë.
Dhe pikërisht kjo është arsyeja që 28 Nëntori mbetet një ndër festat më të veçanta të shqiptarëve. Sepse kjo datë është një ditë kujtese dhe frymëzimi, por edhe një përgjegjësi që secili prej nesh duhet ta mbajë gjallë, për të njohur historinë, për të nderuar sakrificat e të parëve dhe për të ruajtur krenarinë kombëtare.

Të fundit

më të lexuarat