Memli Sh. Krasniqi
Rasti i fundit i bashkëbisedimit Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin BE-së apo palës “neutrale” ndaj statusit të Kosovës lidhur me çështjen qesharake të targave të veturave, shpërfaqi edhe një herë dyfytyrësinë e politikës evropiane. Nëse Republika e Kosovës është shtet i pranuar nga shumica e shteteve evropiane, si mundet atëherë të bëhet aq presion ndaj përfaqësuesve të saj që të pranojnë se ata janë kinse shtet ose gjysmë shtet që nuk duhet të insistojë edhe për një çështje kaq banale sikur është rasti i targave. Dhe për më tepër qëndrimin e drejtë të kryeministrit të Kosovës që ky “problem madhor i targave” të lidhet me përmbylljen e “bisedimeve të pafundme teknike” me Serbinë me anë të një marrëveshjeje obligative, të konsiderohet fajtor dhe si masë ndëshkuese për kosovarët të shtyhet liberalizimi i politizuar i vizave.
Se si sillet Bashkësia Evropiane ndaj shteteve të forta nuk është shembull vetëm Serbia, shteti aleat i Rusisë dhe kryeqendra që nxit tensione në Bosnjë, Mal të Zi e Kosovë dhe ndaj së cilës ka mirëkuptim shihet edhe në raport me Rusinë ndaj së cilës deri sa nuk shpërtheu agresioni i hapur i Moskës kundër Ukrainës dhe frikës se do të pësonte edhe BE-ja, Evropa mbyllte sytë edhe kur ajo sulmonte fqinjët. Në njërën anë kemi një bashkësi evropiane liberale dhe tolerante si shoqëri qytetare dhe në anën tjetër, një bashkësi shtetesh që në politikën e jashtme sidomos ndaj shteteve të pafuqishme sillet me norma morale të dyfishta.
Shqiptarët si “element i huaj në Evropë”
Sidoqoftë, le të marrim në analizë qëndrimin e shteteve evropiane ndaj shqiptarëve, gjë të cilën mund ta kuptojmë nëse kthehemi shkurtimisht në të kaluarën. Kështu deri në shekujt XVII dhe XVIII mbretëritë evropiane kishin një qëndrim pozitiv ndaj shqiptarëve, të cilët duke mos qenë në masë të islamizuar, konsideroheshin si bazë mbështetëse në planet e tyre kundër dëbimit të Perandorisë Osmane nga Evropa. Ndërkohë, me islamizimin e tyre masovik duke filluar nga shekulli XIX, shqiptarët fillojnë të barazohen me turqit dhe të konsiderohen element i huaj në Evropë, rrjedhimisht shkrimet për ta bëhen negative dhe pranohen pikëpamjet historike të shteteve të reja ballkanike për zgjerime territoriale në kurriz të hapësirave të banuara me shumicë nga shqiptarët. Rrjedhojë e kësaj politike përjashtuese dhe diskriminuese kundër shqiptarëve nuk ishte vetëm tkurrja territoriale e vendbanimeve shqiptare në kohën e krizës lindore (1875-1881), por edhe pranimi zyrtar i një shteti shqiptar (1913) të privuar nga pjesa më e madhe e hapësirave të banuara nga shqiptarët. Nuk ishte rastësi se Stalini në bisedë me Enver Hoxhën (1949) do të përsëriste se politika nacionaliste serbe kundër shqiptarëve përpos të tjerash kishte edhe elemente të urrejtjes fetare, gjë që do të finalizohej me presionin për t’u shpërngulur në Turqi (1956-1961), ndërkohë që s’kishte asnjë protestë apo përpjekje të shteteve evropiane për të penguar realizimin e këtij projekti nacionalist serb. Po kjo Evropë nga frika e BRSS-së nuk mbështeti së paku deklarativisht as daljen e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës (1961). Prandaj shteti shqiptar më 1967 për të fshirë damkën e Shqipërisë si të një shteti me shumicë myslimane, por edhe nevojës ideologjike për të krijuar një kohezion të brendshëm të liruar nga pengesat e ndarjeve fetare ndaloi edhe zyrtarisht religjionin.
Prandaj kjo përpjekje për ngritjen kulturore të kombit shqiptar të mbështetur vetëm në vlera ateiste, do të përkrahej në heshtje edhe nga të huajt, të cilët gjatë vizitave të bëra në Kosovë apo sikur e quanin “Shqipëria tjetër” shtronin pyetjen se cilën rrugë të emancipimit kombëtar do të ndiqte rinia e kësaj “Shqipërie tjetër”? Ndërsa në raportin amerikan (1979) lidhur më çështjen e Kosovës theksohej se nacionalizmi shqiptar do të ballafaqohej me dy rryma: atë me ngjyrime islamiste i orientuar kah vendet arabe në të cilat shkollohej elita fetare myslimane shqiptare, apo rruga e dytë sipas së cilës rinia studentore do të drejtohej për inspirim kah Tirana.
Toleranca ndaj politikës së “Botës Serbe”
Fatmirësisht dalja e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës (zyrtarisht më 1968) dhe mbështetja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë e në vendbanimet e tjera në ish-RSF të Jugosllavisë në vlerat kombëtare të liruara nga ngjyrimet fetare si rezultat solli mbështetjen e opinionit publik dhe zyrtarëve perëndimore për kërkesën kryesore të demonstruesve në vitin 1981 që Kosovë të fitonte statusin e republikës. Ndërsa, për të evituar përzierjen e BRSS-së në Ballkan, ambasadori italian në Shqipëri do të pyeste ambasadorin jugosllav (Branko Komatinën): “…se pse jugosllavët, ashtu sikur Tito (1968) nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje që do të kënaqte shqiptarët dhe të qetësonte Kosovën, për çka ishin të interesuara edhe vendet e Paktit të NATO-s”. Ambasadorët italian dhe francez në Tiranë theksonin se përkrahja publike e Shqipërisë për statusin e republikës për Kosovën nuk e kishte sjellë RSF të Jugosllavisë në situatë aq ekstreme sa Jugosllavia të ashpërsonte raportet me Shqipërinë, me çka do të rrezikoheshin edhe interesat e NATO-s. Kjo përkrahje e butë e Perëndimit për kërkesat shqiptare lidhur me Kosovën buronte edhe ngase për NATO-n Enver Hoxha paraqiste garancionin më të fortë se rusët nuk mund të ktheheshin në Shqipëri.
Pra, pavarësisht se sot hidhet poshtë çdo sukses dhe meritë e Shqipërisë socialiste, shteti shqiptar asokohe përkrahu Kosovën edhe kur Jugosllavia ishte partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, çka sot nuk mund të thuhet për elitën politike në pushtet në Tiranë dhe afërsinë e tyre me Serbinë. Në anën tjetër, sot mu në kohën e konfliktit të ashpër Ukrainë-Rusi (2022), kur haptas në anën ruse janë si populli, ashtu edhe shteti serb dhe kur në Kosovë kemi në pushtet një elitë të papërlyer nga korrupsioni moral e material, kërkesë kjo e përsëritur dhe e kamotshme e aleatëve të Kosovës, çuditërisht SHBA dhe Bashkësia Evropiane përkrahin ose i lëshojnë pe palës serbe edhe kur Beogradi haptas hedh poshtë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Pra ata tolerojnë politikën e “Botës Serbe” plotësisht të ngjashme me projektin e “Botës Ruse” dhe nuk marrin masa kundër veprimeve destabilizuese të tyre në Bosnjë, Mal të Zi dhe në Kosovë. Kjo paranojë perëndimore mund të shpjegohet vetëm me frikën e tyre nga potenciali nacionalist serb të cilët jo njëherë kanë shkaktuar kriza të mëdha botërore, sikur ishte ai i fillimit të Luftës së Parë Botërore ose edhe shpërbërja e dhunshme e ish-RSF të Jugosllavisë (1991-1999).
Shqiptari “kozmopolit” si fqinj i mirë
Por a e ka sot Serbia potencialin ushtarak, ekonomik e njerëzor për të hyrë në konflikt të armatosur me Kosovën edhe sikur KFOR-i të mos përzihej fare, si dhe në Bosnjë e Mal të Zi dhe në kohën kur Rusia është në luftë me Ukrainën, është një pikëpyetje e madhe. Gjithashtu, dyshoj se populli serb përkundër frymës nacionaliste që ende mbizotëron në shtetin serb është i gatshëm edhe për një raund të ri të gjakderdhjes, aq më tepër për një luftë që në histori do të mbetej si “lufta e tabelave” apo me ndonjë emër tjetër për ndonjë shkas tjetër banal. Por shtrohet edhe pyetja se në këtë qëndrim të plogësht të politikës perëndimore a qëndron edhe mosbesimi i tyre në dy shtete shqiptare të dobëta? Pikësëpari nuk mund të anashkalojmë se elita e re politike shqiptare në Shqipëri më 1992 dhe 1997 nuk bëri asgjë për të penguar rrënimin e asaj pak ekonomie që kishte si dhe të ushtrisë në të cilën ishte investuar aq shumë, shumë sidomos në vitet e ‘60 dhe ‘70 të shekullit XX.
Rrjedhimisht këtu e ka burimin edhe dyshimi i rikthyer si te të huajt, ashtu edhe te shqiptarët në Kosovë se nuk mund të llogaritet shumë në Shqipërinë përkundër asaj se është pranuar në NATO. Aq më tepër sot kur strukturat politike në pushtet në Shqipëri, duke ndjekur principin serb se fqinj i mirë është vetëm shqiptari “kozmopolit” i painteresuar për politikat afatgjata kombëtare, kanë krijuar në një pjesë të opinionit publik shqiptar bindjen e gabuar se atdhetarizmi është shprehje e një politike të prapambetur. Prandaj, strukturat politike në Evropë si dhe politikanët “kozmopolitë” shqiptarë, në emër të qetësisë dhe qytetërimit, konsiderojnë se Serbisë duhet lejuar të vazhdojë me politikën e saj kombëtare kurse të tjerët të luajnë rolin e një politikëbërësi “të qytetëruar evropian”. Dhe e gjithë kjo lojë arsyetohet me kinse frymën e re të bashkëpunimit dhe afrimit me Serbinë edhe pse në objektiv ajo ka dominimin në Ballkan. Ky sukses serb në bashkëpunim me “kozmpolitët” shqiptarë shihet edhe në projektin “Ballkani i Hapur,” ku Shqipëria bashkëpunon me dy shtete (Serbi, dhe Maqedoni e Veriut) me të cilat shqiptarët ishin në luftë dhe ende nuk i kanë përmbyllur mosmarrëveshjet ndërmjet tyre. A mund të imagjinohet se Serbia do të hynte në një projekt të tillë duke anashkaluar Republikën Serbe në Bosnje? Jo. Por Shqipëria e bëri dhe për më tepër me vetëdije është duke krijuar dhe forcuar vetëdijen sipas së cilës, shqiptarët janë një komb por me interesa të ndryshme shtetërore. Pra edhe jemi një popull por si të ndarë kemi interesa të ndryshme politike dhe shtetërore! Çfarë ardhmërie ka kjo politikë e çuditshme e Shqipërisë?
Pasojat afatgjate të kësaj politike “kozmopolite” mbeten të shihen. Ndërsa në planin afatshkurtër ky qëndrim i Tiranës, sipas së cilës më i afërt është Beogradi se Prishtina, vetëm ka thelluar izolimin diplomatik dhe politik të Republikës së Kosovës por edhe ka ringjallur pikëpamjet e vjetra se shqiptarët nuk janë të besueshëm si aleatë ngase besnikëria e tyre është fluide. Në rrethana të tilla kur mungon bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si mund të shpresojmë se Bashkësia Evropiane do të trajtojë me drejtësi dhe korrektësi interesat e Republikës së Kosovës, aq më tepër që nga viti 1999 ka një pajtim perëndimor për aspiratat territoriale serbe në zonën përtej Ibrit.
Mini-Republikë Serbe brenda Kosovës
Pra ky kancer i quajtur “Veriu i Kosovës” po konsiderohet nga qendrat vendimmarrëse si përkohësisht “tokë e askujt” dhe me qëllim pengohet çdo lëvizje sado e vogël për integrimin e saj, gjë që sipas të gjitha gjasave ka domethënie se në fazën përfundimtare: 1) do të krijohet një mini-Republikë Serbe në Kosovë, me të cilën Serbisë do t’i legalizohej ndërhyrja në Kosovë; 2) do të përfundojë me ndonjë marrëveshje për rirregullimin territorial të Kosovës pa “Veriun” ose 3) do të ketë shkëmbim territorial!
Mini-Republika Serbe brenda Kosovës do të jetë zgjidhja në të cilën do të insistojnë sidomos vendet evropiane dhe atë në emër të demokracisë, mirëkuptimit dhe ardhmërisë si dhe të një kombinimi për një njohje apo gjysmë njohje nga Serbia! Cili është interesi i Kosovës? Padyshim më mirë do të ishte pa “Veriun” se me republikë serbe të fshehur prapa përpilimeve me përmbajtje të dyshimta, qoftë edhe sikur kinse brenda Kushtetutës së Kosovës, ndërsa zgjidhja shumë më e mirë dhe afatgjate do të ishte ajo për shkëmbim territorial. Vetëm atëherë kur të kemi një Kosovë pa mini-“Republikë Serbe“ të çfarëdo forme mund të fillojmë që seriozisht të merremi me ndryshimet e domosdoshme të brendshme, duke filluar me sistemin arsimor të të gjitha niveleve, gjyqësinë e institucionet e tjera. Krijimi i kushteve dhe kornizës ligjore ku do të ndëshkohej korrupsioni moral dhe material i personave në pozita vendimmarrëse me çka do të pamundësohej ose së paku të vështirësohej përparimi profesional i mbështetur në “jarani” e jo në “meritokraci”, janë mundësia e vetme për krijimin e një shoqërie që beson dhe vepron në përputhje me normat morale të miratuara, ashtu sikur në shtetet me prosperitet të lartë.
