
Ballkani, ky rajon, i cili në vete ngërthen jo vetëm konceptin gjeografik me një pozitë të volitshme gjeografike, me pozitën e tij të përshtatshme në paralelen e 40-të, me 270 ditë me diell, gadishull me ujë, me klimë alpine-kontinentale dhe mesdhetare, por edhe konceptin tjetër, atë të miteve, legjendave, idoleve, autoktonisë dhe origjinalitetit, burimores, historisë, traditës, virtyteve, vlerave, filozofive të ndryshme, bastion i mburrjeve dhe i krenarive të tepruara. Mburrjet dhe krenaritë e tepruara ballkanike përpos që kanë zënë një vend të rëndësishëm në analet botërore, kanë sensibilizuar udhëheqës të mëdhenj, perandorë, mbretër, gjeneralë…, që të ndërmarrin hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të ndaluar impaktet e kësaj mburrjeje të tepruar dhe krenarie të ekzagjeruar edhe në pjesë të ndryshme të globit. Kjo pjesë e globit e përbërë nga një territor jo edhe i vogël, i populluar me një popullsi heterogjene, me vlera të ndryshme, me zakone të ndryshme, etni të ndryshme dhe heterogjene, gjatë periudhave të ndryshme epokale ka gjeneruar dhe reflektuar më shumë luftë sesa paqe, më shumë kontradikta sesa unitet, më shumë vuajtje sesa lumturi, më shumë procese retrograde sesa integrim.
Ky rajon i cili cilësohet si rajon problematik, për shkak të luftërave dhe konflikteve permanente në të kaluarën e deri në fund të shekullit të fundit, ka sfiduar Evropën e vjetër, të qytetëruar dhe të civilizuar. Ndonëse popujt e Ballkanit janë tejet solidarë, ata njëkosisht janë edhe tejet impulsiv dhe nuk mund të durojnë njëri-tjetrin, respektivisht prezencën e njëri-tjetrit. Kjo ka qenë si shkak i shumë luftërave dhe konflikteve, të cilat kanë pasur edhe impakte botërore. Me të drejtë është konkluduar se Ballkani është prodhuesi më i mirë i historisë, e shumë pak konsumues i saj, sepse ai edhe pse ka prodhuar shumë histori, nacionalizmat e shfaqur në aspekte negative dhe në dëm të popujve të tjerë, shpesh në performimin e shovinizmit kanë krijuar vetëm probleme. Është koha që ky rajon të lërë pas të kaluarën e bujshme dhe problematike, e të fokusohet në aktualitetin dhe në futurologjinë e tij. Edhe pse Bizmarku thoshte vazhdimisht: “Mos u merrni me popujt e Ballkanit, se ata janë grindavec dhe konfliktuoz”, ndërsa realiteti dëshmoi të kundërtën. Duke mos u marrë me Ballkanin, Evropa shpesh ndodhej në pikat kulminante të rrezikshmërisë të të qenit si Evropë. Kjo u dëshmua edhe në luftërat e fundit në rajon. Ajo duke mos u marrë sa duhet me këtë rajon, lejoi luftërat e përgjakshme, cilët nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj besojmë se tani Evropa e ka kuptuar rëndësinë e madhe të Ballkanit dhe të moslëçitjes së tij.
Ballkani si rajon duhet të jetë koshient, se nuk duhet pritur asgjë nga Evropa, pa mos u vetëdijësuar dhe ndërmarrë diçka pozitive nga vetë Ballkani. Ai duhet ta ketë të qartë se sa kohë që vonohet për integrim në Evropë, aq më shumë qytetarët e vet irritohen, dhe aq më shumë probleme do të ketë. Për këtë shtetet e Ballkanit duhet të kenë parasysh se integrimi në BE është investim, respektivisht demonstrim i kapaciteteve dhe një lloj gare. Që Ballkani të jetë pjesë e BE-së dhe të integrohet, ose në formë të grup-shteteve, ose secili shtet veç e veç (kjo nuk ka rëndësi). më me rëndësi është që të kultivohen raporte të mira ndërfqinjësore, të respektohen të drejtat e njeriut e shumë gjëra të tjera.
Si kritere politike llogariten këtu: stabiliteti politik, i cili mungon në Ballkan me gjithë përparimet prej breshke; demokracia, si koncept më i përdorur teorik nga goja e ballkanasve dhe nga politikanët ballkanas, me ç’rast është dëshmuar se ende Ballkani është larg demokratizimit të duhur; sundimi i ligjit, ku dihet se kjo është pika më problematike për Ballkanin apo për shtetet e Ballkanit. Ballkanasit janë të parët që stërzgjasin procedurat parlamentare, që i zgjasin fjalimet nëpër foltoret e parlamenteve, që sjellin vazhdimisht ligje, por që nuk implementojnë praktikisht shumicën e atyre ligjeve që sjellin; të drejtat e njeriut, që janë me rëndësi të madhe dhe të patjetërsueshme, e dihet e shihet se ky kusht apo parim është më i keqpërdoruri në Ballkan, sepse ende ka shtete ballkanike si Serbia që refuzojnë denacifikimin, nuk kërkon falje për krimet e bëra ndaj shteteve fqinje, pengon zhvillimin normal, nuk dorëzon kriminelët e luftës, etj.
Si kritere ekonomike llogaritet ekonomia e tregut të lirë, e cila duhet të jetë konkurruese me ekonomitë e shteteve të BE-së, e dihet se ekonomitë e shteteve ballkanike janë në letargji, ende janë larg të qenit në shkallën e duhur, ende prodhimet bujqësore nuk dihet a shiten a jo, ende bujqit janë kategoria shumë e ngjashme me shoqërinë skllavo-pronare, ende shtetet ballkanike nuk kanë vizion dhe parashikime për të ardhmen e as për të tashmen, por merren me të kaluarën, ende krijohen debate dhe polemika mbi identitetin e kombeve në Ballkan, ende ndërtohen statuja për të dëshmuar lashtësinë, e harrohet ardhmëria, provokojnë dhe sfidojnë ekonomitë e shteteve ballkanike, sepse paratë harxhohen në gjëra absurde dhe alogjike, e jo në gjëra profitabile.
Dhe së fundi, kriteret administrative të shtetit kanë të bëjnë me kapacitetin dhe gatishmërinë e shteteve për të implementuar politikat dhe të drejtat e BE-së. Shtetet ballkanike në vend të perfeksionimit të administratës shtetërore, ato partizojnë administratën shtetërore dhe monopolizojnë atë. Ato në vend të standardizimit të institucioneve dhe afirmimit të kuadrit cilësor, afirmojnë kuadro jocilësor, analfabetë me diploma të blera dhe të kontestuara, militantë partiakë dhe pse jo edhe komandantë që diplomat i kanë marrë me forcë apo në forma tjera. Pra korrupsioni dhe nepotizmi janë pjesë e pandashme e administrateve shtetërore të shteteve ballkanike. Pra, marr në përgjithësi, mund të konkludohet në mënyrë afirmative se vendi i Ballkanit dhe i shteteve ballkanike është padyshim në BE, por ka rrugë të gjatë për t’u realizuar kjo. Nëse dëshirohet të shihet dhe dihet se çfarë rruge, duhet të merret rruga për ekskurzion drejt shteteve të Sllovenisë dhe Kroacisë, e mandej vetëm të vazhdohet më tutje gjetiu, dhe do të jetë gjithçka e qartë. Edhe pse mëtohet nga shtetet ballkanike se janë plotësuar kushtet për integrim në BE, ajo është vetëm një ëndërr. Sepse suksesi nuk arrihet me bërtitje, por me urtësi, punë dhe dituri.
Me fjalë të bukura dhe të ëmbla, pa punë nuk arrihet asgjë. Papunësia është nëna e të gjitha të këqijave, e puna është babai i çdo gjëje të mirë. Në Ballkan varfëria është mburrje. Varfëria ekonomike është më e keqe se skllavëria. Evropa, edhe pse në dukje është vegjetariane, ajo nuk han bar. E ne nuk mund ta mashtrojmë atë. Sepse gjithçka që bëjmë ndikon në të ardhmen tonë. Lulet e ardhmërisë gjenden në farën e së tashmes.
