
Deputeti i Parlamentit Evropian, Vladimir Bilçik tha të premten se procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është jashtëzakonisht i vështirë, sepse, siç tha ai, vendet e rajonit kanë arritur “hapa të vegjël” në atë drejtim dhe se pa një zgjidhje të krizës aktuale në Mal të Zi është e vështirë të pritet përparimi i tij në procesin e integrimit.
“Mali i Zi mori drejtimin në negociatat e anëtarësimit, por nëse kriza aktuale nuk zgjidhet është e vështirë të pritet që të ketë përparim për integrim në të ardhmen e afërt ,” tha zoti Bilçik, duke folur në Forumin e Integrimit Ballkanik në Podgoricë.
Zoti Bilçik tha gjithashtu se “Rusia po përpiqet të përdorë Ballkanin Perëndimor si një front të rëndësishëm për interesat e saj, për luftën e saj hibride kundër Evropës”.
Ai vuri në dukje se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të përfshihen më shumë në zhvillimet në rajon dhe se “partnerët nga Ballkani Perëndimor duhet të japin rezultate konkrete”.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq duke folur në Forumin e Integrimit Ballkanik, të organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi, tha se “ajo që ndodhi në Mal të Zi në vitin 2016 ishte nën të njëjtin titull politik si agresioni rus kundër Ukrainës”.
“Për vite të tëra Rusia është përgatitur intensivisht për idenë e revizionizmit historik, për ta bërë Rusinë e sotme po aq të rëndësishme sa ishte Bashkimi Sovjetik. Prandaj u promovua ideja e “botës ruse” e cila në Ballkan e shihte homologun e tij si ‘botën serbe’… Ne i rezistuam kësaj dhe u bashkuam me NATO-n, por Rusia ka vazhduar të zhvillojë modelin e saj të shkatërrimit hibrid në Ballkan. Ajo ka zhvilluar dy baza hibride – njëra është merreni me mend Serbia, dhe tjetra është Republika Serbe. Ju keni një prani të fortë të mediave ruse, agjencive të tyre të inteligjencës dhe sigurisë, biznesit, keqpërdorimi i Kishës Ortodokse Serbe, për të cilën disa nga partnerët tanë perëndimorë u ankuan në vitin 2020…”, tha zoti Gjukanoviq.
Në panelin presidencial të titulluar “Pozicionimi i Ballkanit Perëndimor në marrëdhëniet globale në dritën e krizës ukrainase”, zoti Gjukanoviq tha se integrimi i rajonit është më se i nevojshëm për sigurinë e përgjithshme.
“Është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina të marrë statusin e kandidatit. Do të jetë e rëndësishme që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, do të jetë e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile për fillimin e negociatave me BE-në,” tha zoti Gjukanoviq.
Anëtari i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq tha se ata presin që Bosnja dhe Hercegovina të marrë statusin e kandidatit në negociatat me Bashkimin Evropian në dhjetor.
“Vendimi që do të merret do të jetë gjeopolitik, sepse ka lidhje të thella me atë që po ndodh në Evropën Lindore”, tha zoti Komshiq.
