‘Asociacioni’ – instrumenti i fundit i Serbisë për sabotimin e shtetësisë së Kosovës!

Xheladin Zeneli

Serbia e Aleksandër Vuçiqit e di shumë mirë se Kosovën nuk mund ta marrë kurrë me luftë. Herën e fundit kur Serbia u mundua ta marrë me luftë Kosovën u ballafaqua me bombardimet e NATO-s, me ç’rast ajo e humbi atë një herë e përgjithmonë.
Por, kjo nuk do të thotë se Serbia ka hequr dorë nga qëllimet e veta për sabotimin dhe shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës. Pra , politikanët e shkollës së Millosheviqit që udhëheqin sot Serbinë, duke përfshirë në rend të parë presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq, kanë ndërruar mjetin por jo edhe qëllimin e tyre destruktiv ndaj Kosovës.
Një ndër këto mënyra për tentimin e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës nga brenda, është themelimi i të ashtuquajturit “Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, gjithnjë me preteksin e avancimit të të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.
Por, të drejtat e këtij komuniteti në Kosovë jo vetëm që janë të avancuara, por ata në fakt gëzojnë një status juridik të privilegjuar në krahasim me pakicat apo minoritetet e tjera etnike në rajon.
Dihet që komuniteti serb përbën rreth 4-7% të strukturës etnike të popullsisë së Kosovës, ku rreth gjysma e tyre gravitojnë në pjesën veriore të këtij shteti.
Ata janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, organin më të lartë legjislativ, me 10 ulëse (mandate) të garantuara. Gjithashtu, pothuajse në përbërjen e çdo qeverie të Kosovës, pakica serbe është e përfaqësuar me zëvendëskryeministër, me disa ministra dhe zv.ministra dhe në organet dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore. Një ndër gjashtë yjet e vendosur në flamurin shtetëror të Kosovës, simbolizon pakicën serbe. Komunat ku serbët janë shumicë e popullsisë, në veçanti Mitrovica e Veriut, gëzojnë decentralizimin e plotë nga pushteti qendror dhe ushtrojnë dhe praktikojnë nivelin më lartë të vetëqerisjes lokale.
Pra serbët e Kosovës veçse kanë arritur zenitin e të drejtave të tyre politike dhe shoqërore dhe këto të drejta ata po i (keq)përdorin për qëllimet tendencioze të Serbisë.
Është një absurd i llojit të vet kur dëgjon disa politikanë në Kosovë kur thonë se pakicës serbe “duhet tu ofrohen kushtet për integrimin e tyre në Kosovë” (!?). Nëse ka ndonjë shtet në rajon por edhe më gjërë që i ka ofruar kaq shumë kushte për integrimin e një komuniteti pakicë në shoqërinë e vet, atëherë është shteti i Kosovës që e ka bërë këtë.
Por, Beogradit zyrtar nuk i intereson aspak integrimi i pakicës serbe në shoqërinë e Kosovës, por sabotimi I shtetësisë së saj dhe këtë janë munduar ta bëjnë tash 23 vite më radhë përmes organizimit të strukturave paralele në komunat ku ata përbëjnë shumicën , mosnjohjen e kartave të identitetit të shtetit ku ata jetojnë, tentime për organizime të referendumeve të njëanëshme, kohë pas kohe vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, inskenimin e situatave tensionuese dhe destabilizuese si dhe së kërkesën për themelimin e ‘Asociacionit të komunave me shumicë serbe’ në Kosovë, si instrument i fundit kundër shtetësisë së Kosovës. Serbët në Kosovë janë shembulli më i mirë tipik i instrumentalizimit të tyre nga Beogradi zyrtar për qëllime politike.
Mënyra dhe forma se si e parashikojnë ta realizojnë serbët e Kosovës, përkatësisht Serbia e Aleksandër Vuçiqit ‘Asociacionin e komunave me shumicë serbe’, është tepër i rrezikshëm për shtetësinë e Kosovës dhe kërcënon integritetin e saj territorial, prandaj si i tillë duhet të refuzohet njëzëri dhe unanimisht jo vetëm nga Qeveria e Kosovës por edhe nga forcat politike opozitare të saj.
Nëse ka ndonjë pikë të përbashkët e faktorit politik shqiptar në Kosovë i cili i shërben mbrojtjes së interesit nacional dhe shtetëror të Kosovës, atëherë kjo do të duhej të ishte moslejimi i realizimit të modelit serb të ‘Asociacionit’ në Kosovë.

Të fundit

më të lexuarat