Askush nuk ka të drejtë të eksperimentojë me Kosovën

Kosova vërtet është një produkt i bashkësisë ndërkombëtare, por kjo nuk i jep të drejtën askujt që të eksperimentojë me të, siç po bën bashkësia ndërkombëtare me ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi

Ismet Kallaba

Trazirat në pjesën veriore të Kosovës, të shkaktuara nga popullata serbe janë pasojë e politikës së gabuar të bashkësisë ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qasje të drejtë ndaj zgjidhjes së problemit të pakicës serbe në Kosovë.

Ndërkombëtarët kanë dështuar në të ashtuquajturin proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë normalizim me dikë që nuk don paqe dhe që ndjek politikën ruse dhe të Putinit në Ballkan


Kjo nuk është hera e parë që Beogradi provokon situata krize dhe trazira në veri të Kosovës, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duke i toleruar dhe mos ndëshkuar fajtorin e vërtetë, pra Serbinë dhe serbët lokalë, i ka nxitur ata që të përdorin dhunën.
Situata më e fundit i ka fillet me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe, kërkesën jokushtetuese për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, për të mbërritur te trazirat e ditëve të fundit – përpjekjet për pengimin e shtrirjes së pushtetit të organeve dhe institucioneve të Kosovës në tërë territorin e saj.
Dhuna e ushtruar jo vetëm ndaj policisë së Kosovës, por edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe mediave tregon fytyrën e vërtetë të protestuesve serbë, të cilët udhëhiqen nga grupet kriminale.
Ndërkombëtarët kanë dështuar në të ashtuquajturin proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë normalizim me dikë që nuk don paqe dhe që ndjek politikën ruse dhe të Putinit në Ballkan.
Sinjifikativ është edhe fakti që procesi i dialogut udhëhiqet nga përfaqësues të dy shteteve evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, spanjolli Josep Borrel, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, diplomati sllovak Mirosllav Lajçak, jo një herë në deklaratat e tyre janë treguar të njëanshëm dhe kundër Kosovës.
Çdo lëshim i ri i Kosovës ndaj Serbisē do ta defunksionalizonte edhe ashtu shtetin jofunksional të Kosovës. Kosova vërtet është një produkt i bashkësisë ndërkombëtare, por kjo nuk i jep të drejtën askujt që të eksperimentojë me të, siç po bën bashkësia ndërkombëtare me ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi.

Dhuna e ushtruar jo vetëm ndaj policisë së Kosovës, por edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe mediave tregon fytyrën e vërtetë të protestuesve serbë, të cilët udhëhiqen nga grupet kriminale


Trazirat e ditëve të fundit duhet shikuar në një kontekst më të gjerë, sepse ato janë rrjedhojë e situatës së përgjithshme gjeopolitike. Nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon me të njëjtën politikë si deri tani, ekziston rreziku real i përshkallëzimit dhe i përhapjes së tyre edhe në vende të tjera të rajonit, si në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë etj. Tekefundit, ky është edhe synimi i atyre që nuk duan qetësi dhe paqe në Ballkan, por duan t’i realizojnë qëllimet e veta hegjemoniste dhe ekspansioniste.

Të fundit

më të lexuarat