Arsimi në gjuhën shqipe, rëndësi të madhe në formimin e identitetit kombëtar

Është shumë pozitiv fakti se arsimimi i rinisë shqiptare te ne po zhvillohet në vazhdimësi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe të specializimeve të ndryshme, duke fituar dhe titujt më të lartë akademikë - magjistra dhe doktora të shkencave, çka paraqet një potencial të mirë kadrovik

Nikë Gashaj

Arsimi në gjuhën shqipe ka një rëndësi të madhe në formimin dhe kultivimin e identitetit kombëtar. Veçanërisht për identitetin kombëtar është me rëndësi arsimimi në shkolla fillore dhe të mesme. Sikurse është e njohur, në kohën e Principatës së Malit të Zi dhe të Jugosllavisë së Vjetër kanë qenë të hapura një numër i shkollave në gjuhën joamtare në viset ku kanë jetuar shqiptarët. Shkollat, pra, kanë qenë në gjuhën sllave dhe si të tilla kanë ndikuar negativisht dhe kanë qenë faktor i asimilimit të shqiptarëve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, situata do të ndryshojë dukshëm. Sistemi i ri socialist ka hapur shkolla shqipe në zonat e banuara me shqiptarë. Mirëpo, arsimimi shqip ka qenë i varur nga rrjedhat politike të kohës. Kur erdhi deri te mosmarrëveshja, respektivisht konflikti Tito-Stalin dhe miratimi i Rezolutës së Informbirosë në vitin 1948, me të cilën u dënua udhëheqja jugosllave në krye me Titon, gjoja për tradhti ndaj politikës së Bashkimit Sovjetik dhe bllokut socialist, më pas Republika Popullore e Shqipërisë i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë dhe përkrahu politikën staliniste. Mirëpo, në anën tjetër, kjo ndikoi në mënyrë negative në raportin e udhëheqjes jugosllave ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, pra dhe te shqiptarët në Malin e Zi. Në lidhje me këtë, Akademiku Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndër të tjera thekson: “Viti 1948 do t’i japë goditjen e parë shkollës shqipe, sepse ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë, si në shumë plane të tjera, do t’i lërë pezull shqiptarët e Malit të Zi. Do të jetë mesi i viteve pesëdhjetë…, kur u mbyllën shumica e shkollave shqipe dhe fëmijët shqiptarë detyrohen të mësojnë serbisht. Mirëpo, një plan i tillë dështoi dhe pas një viti shkollor pa asnjë rezultat, në një numër shkollash kthehet sërish mësimi në gjuhën shqipe. Kjo periudhë, nga më të errëtat në historinë e shqiptarëve në Mal të Zi, do të zgjasë pothuajse deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë, kur fillon një rikthim gradual i mësimit fillor në gjuhën amtare”.
Shkolla e parë e mesme me mësim në gjuhën shqipe e serbokroate u hap në Ulqin, në vitin 1965. Ndërsa, më 1971 çelen dy paralele të gjimnazit në Tuz me mësim në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1975 bëhet gjimnaz i pavarur në dy gjuhë: shqip dhe serbokroatisht. Ndërsa në vitin 1978 mësimi në gjuhën shqipe filloi të zhvillohet edhe në shkollën e mesme në Plavë.
Më tutje, përpos hapjes së shkollave të mesme në të cilat zhvillohej mësimi edhe në gjuhën shqipe, në atë kohë u intensifikuan dhe lidhjet arsimore të shqiptarëve në Malin e Zi me Kosovën. Shqiptarët e Malit të Zi janë dhe gjithmonë duhet të jenë mirënjohës për mirëpritje dhe përkrahje të personelit arsimor kosovar ndaj nxënësve dhe studentëve nga Mali i Zi. Për këtë jam dëshmitar si ish-nxënës i gjimnazit “Ivo Llolla Ribar”, sot gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Me shpërthimin e demonstratave të studentëve në Kosovë në vitin 1981, demostrata këto për liri, drejtësi, barazi të shqiptarëve dhe për pavarësi të Kosovës, edhe pushteti politik i Malit të Zi në atë kohë nisi një fushatë të egër kundër shqiptarëve në Malin e Zi. Në shënjestër ishin shkollat me mësim në gjuhën shqipe, respektivisht programet mësimore të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të Historisë dhe të cilësdo lëndë mësimore që kishte të bënte me kulturën dhe artin shqiptar, të cilat u “spastruan” nga përmbajtja me karakter të identitetit kombëtar shqiptar. Në mënyrë të ashpër çdo gjë shqiptare po akuzohej dhe sulmohej nga pozita e një politike nacionaliste-shoviniste.
Sot në Mal të Zi nxënësit shqiptarë e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në 12 shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme. Gjithashtu, pranë Universitetit të Malit të Zi, në vitin 2004 është hapur Dega e studimeve të Mësuesisë në Gjuhën Shqipe në Podgoricë. Përveç mësimdhënësve shqiptarë nga Mali i Zi, për të ligjëruar në këtë degë janë angazhuar edhe një numër i pedagogëve nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Me këtë rast po ceki se kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë ka qenë që fakulteti të hapet në Ulqin apo në Tuz, si mjedise shqiptare, mirëpo kjo është refuzuar nga organet shtetërore të Malit të Zi.
Po ashtu, një numër i koniderueshëm i studentëve nga Mali i Zi i ndjekin studimet në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por dhe në Universitetin e Malit të Zi dhe gjetiu, e që është shumë pozitive në formimin e kuadrit të ri profesional. Ashtu që sot kemi një numër të kuadrove të profileve të ndryshme.
Me rëndësi është të theksohet mbështetja financiare për studentët shqiptarë nga Mali i Zi, respektivisht e ndarjeve të bursave studentore në vazhdimësi për çdo vit akademik, nga diaspora shqiptare në SHBA, sikur janë: Shoqata “Malësia e Madhe”, Fondacioni “Trojet Tona”, Fondacioni Lukaj etj.
Ndihma e tyre financiare për arsimimin e lartë të brezit të ri shqiptar nga Mali i Zi paraqet një aktivitet të shkëlqyeshëm humanitar e patriotik kombëtar dhe meriton çdo lëvdatë. Mirëpo, mendoj se një kujdes të veçantë për mbështetje financiare e meritojnë nxënësit dhe studentët me sukses të shkëlqyeshëm, duke siguruar kështu cilësinë profesionale. Po ashtu do të ishte e preferueshme që disa nga nxënësit më të dalluar shqiptarë nga Mali i Zi të vazhdonin shkollimin në universitetet e njohura evropiane dhe amerikane. Kjo meqë të dhënat nga e kaluara tregojnë se ka pasur intelektualë shumë të njohur të kombit shqiptar që kanë studiuar në universitete prestigjioze në botën e jashtme, si për shembull: Eqrem Çabej (Austri), Atë Gjergj Fishta (Bosnjë), Aleks Buda (Itali, Austri), Mahir Domi (Francë), Ndre Mjeda (Spanjë, Itali, Poloni, Kroaci), Mirash Ivanaj (Itali), Gjelosh Gjokaj (Beograd, Romë, Gjermani), Ruzhdi Ushaku (Sarajevë, Beograd, Paris). Gjithashtu, po theksojmë se Ismail Kadare ka qenë në Moskë për studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ndërsa Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka qëndruar gjatë një viti akademik (1976-1977) në Paris, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Po ashtu, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, studimet master dhe doktoratën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Ashtu që është me rëndësi se ku kryhen studimet dhe me çfarë suksesi.
Natyrisht që ata, por dhe shumë të tjerë, kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për kulturën e shkencën kombëtare, por dhe politikën shqiptare.
Si ish-mësimdhënës në gjimnazin e Tuzit pata rastin të bindem se në mesin e nxënësve shqiptarë ka mjaft të shquar dhe të talentuar, të cilët e dëshmuan veten, meqenëse pas kryerjes së shkollës së mesme, një numër i konsenderueshëm i tyre arritën të kryejnë fakultete të ndryshme në universitete të ndryshme si në: Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në rajon. Andaj, ajo çka është shumë pozitive qëndron në faktin se arsimimi i rinisë shqiptare te ne po zhvillohet në vazhdimësi në të gjitha nivelet e shkollimit dhe të specializimeve të ndryshme, duke fituar dhe titujt më të lartë akademikë: magjistra dhe doktora të shkencave, çka paraqet një potencial të mirë kadrovik. Le të besojmë se një prirje e tillë pozitive në arsimimin e rinisë shqiptare në Mal të Zi do të vazhdojë dhe në të ardhëmen.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat