Ardhja e tyre gjatë stinës së verës i shton vendit gjallërinë

Stina e verës, e veçanërisht muaji gusht është periudha më e pëlqyer e bashkëatdhetarëve tanë për të vizituar vendlindjen. Edhe këtë vit në Malësi, vërehet shtim i fluksit të mërgimtarëve të cilët po qëndrojnë në vendin e tyre të origjinës, duke u bërë kështu pjesë e çdo aktiviteti apo organizimi që bëhet në vend. Ata në çdo sezon veror i japin gjallëri jetës në Malësi, duke kontribuar si përherë brenda mundësive të tyre, pothuajse për çdo nevojë që ka vendlindja

Toni Ujkaj

Malli dhe nostalgjia për vendlindjen, asnjëherë nuk zbehet. Madje, ajo sa vjen dhe shtohet nga viti në vit. Pavarësisht distancës së largët me mijëra kilometra siç mund të jetë Evropa, Amerika e deri tek Australia e largët, mërgimtarët, lodhjen e udhëtimit nuk e vërejnë shumë, pasi që të vetmin qëllim e kanë që të vijnë, të kalojnë çaste të këndshme me më të afërmit dhe shoqërinë e tyre, e të çmallen me ta.
Padyshim që, shumica e bashkëatdhetarëve tanë të cilët e kanë braktiskur vendin dhe kanë emigruar në viset e huaja, nuk e kanë ndërmarrë këtë nismë prej dëshire, por për të kërkuar një jetë më të mirë e ndoshta me mendimin dhe shpresën se një ditë sërish mund të kthehen në vendlindje.
Por, për fat të keq janë të paktë ata të cilët u kthyen në trojet e tyre për të rifilluar jetën aty ku kishin lindur. Megjithatë, ata nga viti në vit kthehen përkohësisht në vatrat e tyre dhe nuk e harrojnë kurrë vendlindjen. Përkundrazi, ata e kujtojnë në mënyra nga më të ndryshmet. Ata e vizitojnë vendlindjen pothuajse rregullisht, shumica të paktën një herë në vit, por ka nga ata të cilët vijnë edhe më shpesh.
Stina e verës, e veçanërisht muaji gusht është periudha më e pëlqyer e bashkëatdhetarëve tanë për të vizituar vendlindjen. Edhe këtë vit në Malësi, vërehet shtim i fluksit të mërgimtarëve të cilët po qëndrojnë në vendin e tyre të origjinës, duke u bërë kështu pjesë e çdo aktiviteti apo organizimi që bëhet në vend. Ata në çdo sezon veror i japin gjallëri jetës në Malësi, duke kontribuar si përherë brenda mundësive të tyre, pothuajse për çdo nevojë që ka vendlindja.
Me ardhjen e mërgimtarëve gjatë verës, edhe bizneset e ndryshme si baret dhe restorantet shënojnë fluks më të shtuar të punës.
Pra sezoni i verës, muaji korrik që lamë pas, por sidomos edhe gushti tani bëhet më i gjallëruar, sepse në çdo aktivitet, ahëng apo dasëm, janë të pranishëm bashkëatdhetarët tane të cilët e duan dhe e admirojnë tejmase vendlindjen e tyre.
Me ardhjen e tyre të përvitshme ata i kontribuojnë edhe fëmijëve të tyre të cilët në këtë mënyrë e njohin dhe mbajnë në mendje Malësinë, vendin ku u kanë lindur prindërit e tyre, kalojnë kohë në vende të ndryshme që janë pjesë e pasurive natyre dhe kulturore të vendit, dhe kështu edhe pasardhësve të tyre u mundësohet që të ruajnë dhe kultivojnë gjuhën dhe traditat e lashta të paraardhësve.
Ardhja e mërgimtarëve në vendindje, edhe për këtë arsye duhet vlerësuar, sepse nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me të afërmit dhe shoqërinë në vendindje, do të ruajnë lidhjet me vendlindjen e tyre, dhe në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk do ta harrojnë atë, por do të kenë edhe më tepër arsye që ta vizitojnë, të paktën një herë në dymbëdhjetë muaj, apo pse je edhe të investojnë.
Në këtë kuadër, edhe komuniteti vendas këtu për aq ditë apo javë sa qëndrojnë me të afërmit e tyre nga jashtë, kënaqen, kalojnë një pjesë të bukur kohe së bashku, duke u çmallur kështu me ata që jetën e ndërtuan nëpër vise të ndryshme të botës.
Prandaj, të gjithë bashkëatdhetarëve tanë që po qëndrojnë këto ditë vere e pushimesh në vendlindje, ju urojmë mirëseardhje dhe që kohën e tyre të rezervuar për vizitë në Malësi dhe në viset e tjera shqiptare në Mal të Zi, ta kalojnë sa më këndshëm!

Të fundit

më të lexuarat