Ferid Muhiq
Është mirë të kujtohemi… Por edhe Ballkani ka historinë e tij të përgjakshme, dhe në Ballkan lulëzon e harlisur lulja e krimit, nëse na kujtohen fjalët e Baudelaire-t. Në atë pjesë të Evropës që e akuzon Ballkanin për brutalitet, për krime masive dhe luftra të rrepta, vrasja e njerëzve është një aksion aseptik, deratizim, një lloj përdorimi sistematik i herbicideve, ku në vend të minjve dhe barit, vuajnë qeniet njerëzore, të degraduara në minj dhe bar! Aksione të tilla vrasjesh, në thelbin e tyre më të thellë janë të organizuara në mënyrë racionale; janë të planifikuara në aspektin logjistik; të motivuara ideologjikisht; janë të justifikuara nga aspekti doktrinar – e thënë shkurt, janë çnjerëzore. “Asgjë personale” thonë planifikuesit, por edhe ekzekutuesit, dhe këtë e thonë pa emocione, nuk u dridhen duart; zemra nuk rreh e çakërdisur. Ata flenë të qetë, pa ankthe dhe pa brejtje ndërgjegjeje. Ky është lloji më i lig i krimit: krimi pa urrejtje! Ekzekutimi versus vrasja. Në të kundërtën, në Ballkan dhe për ballkanasin, çdo gjest është vetjak, me emocion. Mbase Ballkani është vendi i fundit në të cilin ekziston akoma apejroni i fundit autentik antropologjik, ajo protoplazmë, ai brumë primordial (i kryehershëm) në të cilin ruhet akoma bashkësia burimore e të gjitha elementeve nga të cilat është gatuar njeriu.
Prandaj dhe ballkanasi është i afërt me Sokratin, sepse ai nuk ishte gjykuar me vdekje për motive ideologjike, as për shkak të ndonjë mospajtimi intelektual ndërmjet tij dhe akuzuesve, siç pohohet aq shpesh dhe gabimisht! Pikërisht për arsyen se një pjesë e qytetarëve të Athinës, ballkanas në eshtra e në shpirt, thjesht nisën ta urrenin Sokratin. Prej vitesh u kishte llomotitur të njëjtën gjë: me vendosmëri dhe këmbëngulje gjakonte t’u dëshmonte se sa të pavlerë janë dhe çfarë jete të padenjë e të zbrazët jetojnë. Sepse ua kishte sjellë në maje të hundës! Prandaj kishin zënë të pëshpëritnin: “Aman, edhe ai Sokrati! Kur do shpëtojmë prej tij!?” Ndërkaq, prej Sokratit nuk kishte shpëtim, edhe në moshën 70-vjeçare, duke qenë shëndosh si lisi, një asket i vërtetë, rezistues karshi diellit dhe acarit, i pavarur nga të gjithë dhe i kënaqur me atë pak që kishte, ai përbënte një kërcënim që mund të zgjaste: nuk i shihej fundi, mund të hante inat edhe për 100 vjet me radhë! Ndërkaq, përgjatë gjithë jetës, 50 vite rrumbullak, Sokrati vërtet hante inat: nuk donte t’i linte të qetë njerëzit, u kishte ardhur në maje të hundës. Gjysma e athinasve filluan të mos dilnin në Agorë, në sheshin e qytetit – i rrinin larg si djalli temjanit. Nuk u interesonte as e vërteta, as mirësia, as shpirti, por vetëm paratë, ndërkohë që ai, pikërisht për para nuk i linte të hapnin gojë. Iu lutën, i tërhoqën vëmendjen, u përpoqën që ta korruptonin dhe në fund e kërcënuan. Por çdo gjë qe e kotë. Madje edhe kur u dënua me vdekje, i dhanë 30 ditë afat, derisa të kthehej anija nga ishulli i shenjtë – të ikte, t’i mbyllnin sytë, të shkonte vullnetar në syrgjyn; ata do kujdeseshin që ai të jetonte si mbret. Por, jo dhe jo! A e donte me patjetër gjykimin me vdekje prej tyre? Sigurisht që e donte! Në Ballkan nuk kishte shteg tjetër. Aniti, Meleti dhe prokurorët e tjerë ndjenin urrejtje personale ndaj tij dhe ky ishte një rast ideal që ta kurorëzonin në mënyrë ballkanike: me vdekje. Meqë nuk bënte asnjë dëm serioz dhe nuk i rebelonte njerëzit, në çdo vend tjetër Sokrati do e kalonte me ndonjë qortim dhe me një dënim në të holla. Por, në Ballkan, edhe kundërvajtja më e rëndë falet nëse nuk ekziston urrejtja personale. Kurse në pjesën tjetër të botës dënohet kundërvajtja, jo personaliteti. Madje edhe kundërvajtjet më të rënda mund të kalojnë me qortime ose me ndonjë dënim në para, deri edhe çrregullimet relativisht beninje të rendit dhe qetësisë publike, si në rastin e Sokratit, mund të përfundojnë me dënim me vdekje. Në Ballkan gjykohet personi, jo kundërvajtja. Edhe dënimi në Ballkan nuk është dënim, por hakmarrje. Ndërsa amnistia nuk është amnisti, por falje!
Dhe këtu mund ta ndërpresim këtë apologji për Ballkanin, edhe pse potencialisht nuk ka fund. Në këtë rast vetëm sa përmendëm anën më të ligë të njerëzve, pra edhe të ballkanasve – vrasjen e njerëzve. Sa e gjatë dhe e madhe do ishte kjo apologji për Ballkanin nëse do bëhej fjalë për gjërat e bukura: për dashurinë, butësinë, miqësinë! – fenomene që në Ballkan arrijnë proporcione dhe intensitet të lartë dhe nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër në botë! Por, edhe apologjia e madhe e Ballkanit, kur të ulet në bankë për të dhënë llogari para prokurorëve dhe gjykatësve, nuk do ndryshojë shumë; sepse as kjo apologji e vogël, as apologjia e madhe nuk do jenë të mjaftueshme që të tërhiqen akuzat kundër Ballkanit, sikundër nuk ka mjaftuar as “Apologjia e Sokratit” për tërheqjen e akuzave kundër tij. Sado që të jenë të pabaza, të sforcuara, të pabesueshme, këto akuza kanë qenë të vërteta, nga njerëz të gjallë, realë, në adresë të një njeriu real, të gjallë! Edhe akuzat kundër Ballkanit janë të njëjta: ato janë akuza plot ndjenja. Baza e tyre e përbashkët është përzierja e urrejtjes dhe zilisë, e superioritetit të rremë dhe inferioritetit të vërtetë. Dhe, pikërisht për shkak të kësaj, këto akuza, me argumentimin e tyre të papranueshëm racional, por me qëllimin e keq irracional dhe të sinqertë, sa më shumë të përsëriten e të shtohen, aq më të pavdekshëm do e bëjnë Ballkanin, njësoj si akuzat kundër Sokratit, që nga ana racionale janë të paargumentuara, por të motivuara nga mëria dhe smira. Ato e bënë të pavdekshëm Sokratin.
(Fund)
