Analfabetizmi funksional dhe populli që nuk lexon

Nuk është analfabet vetëm ai që nuk shkruan dhe nuk lexon, por i tillë është edhe ai që nuk e kupton domethënien e asaj që e lexon, përkatësisht analfabetizëm është paaftësia e dikujt për t’ia dalë mbanë në përditshmëri dhe nëpër detyra punimesh që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit themelor, bie fjala të lexojnë mesazhe me tekst, të plotësojnë formularët ose ta lexojnë recetën e mjekut të tyre [UNESCO]. Kjo ndryshe quhet “analfabetizëm funksional”

Hajrudin S. Muja

Tregohet se një grek analfabet kishte ardhur në Amerikë dhe kishte zënë punë në një kishë greke, ku duhej të pastronte dhe të menaxhonte materialet e nevojshme për kishën. Një ditë i vjen kryeprifti dhe, ndër të tjera, e pyet nëse mbante evidencë për materialet që shpenzoheshin në kishë, si qirinj, vajra etj. Kur i tha greku se nuk mund ta bënte një gjë të tillë pasi ishte analfabet, kryeprifti e largoi nga puna. Ai shkoi pastaj në një fabrikë të vogël tekstili, ku u tregua shumë i suksesshëm dhe pas një kohe tuboi aq shumë para, sa për ta blerë fabrikën që ia shiti pronari i moshuar. Por, në transferimin e parave në bankë hasi në një problem: zyrtari i bankës nuk donte t’i transferonte aq shumë para përderisa ky nuk mund të nënshkruhej për to. Kur erdhi drejtori, mbeti i habitur dhe i tha: “Kaq shumë para dhe analfabet! Po sikur të kishe ditur të shkruaje”?! Mos e zgjat më shumë – i tha greku: “Sikur të kisha ditur të shkruaja, do kisha qenë ende në kishë duke numëruar qirinj”.
Natyrisht, kjo është vetëm një anekdotë për çaste argëtimi, si një shembull për ndonjë njeri të rrallë që i ndihmon fati për t’u bërë i pasur, por shumica e njerëzve vuajnë analfabetizmin, një term që përdoret për të treguar paaftësinë e leximit dhe të shkrimit të personave mbi 6 vjeç, të moshës që lidhet me regjistrimin në shkollë [Webster’s Dictionary:2014]. Edhe pse shkrim-leximi nuk ka qenë historikisht i rëndësishëm, sot e njohim si një të drejtë themelore të njeriut, ndërkohë që organizatat e ndryshme po përpiqen për progres në mbarë botën. Të jesh në gjendje të lexosh e të shkruash jo vetëm që të fuqizon, por gjithashtu të hapë një botë krejt të re mundësish drejt përparimit.
Historia e këtij subjekti është tejet e çuditshme! Kur Roj Bini i famshëm me “Kodin Penal” nën sqetull i varte mëkatarët, por nuk dinte të lexonte se çka shkruhej në atë libër; kur në botën ortodokse të Lindjes, si dhe në shtetin e frankëve të Karlit të Madh (768-814), veç klerit, të gjithë ishin analfabetë, në Kordobë të Spanjës nuk kishte asnjë të tillë, pavarësisht përkatësisë racore apo fetare [Scott:1904; Irving:1962]! Universiteti Mjekësor i Parisit brenda vetes kishte “mjekë” jo vetëm të mangët, të patrajnuar e pa përvojë, por edhe analfabetë [Kelly:2005, f. 166]. Deri në shekullin XII – vështronte Gustave Le Bon: “Kur civilizimi islam lulëzonte në Spanjë, qendrat kulturore në Evropë ishin kulla të banuara me zotërinj të shfrenuar, që mburreshin me analfabetizmin e tyre… kur librat dhe bibliotekat për evropianët nuk nënkuptonin asgjë, kalifati Islam posedonte qindra biblioteka madhështore… Në Andaluzi gjatë vitit publikoheshin ndërmjet 70 dhe 80 mijë libra” [Le Bon:1974, vëll. III]. Thuhet, madje, se edhe vetë Shekspiri i famshëm, gruan dhe dy vajzat e veta i kishte analfabete, që mund të jetë ndoshta rasti i vetëm në histori që një shkrimtar aq i madh t’i ketë lënë analfabetë fëmijët e tij [Rubinstein:2012].
Nivelet e shkrim-leximit për popullsinë botërore janë rritur në mënyrë drastike gjatë dy shekujve të fundit. Derisa vetëm 12% e njerëzve në botë mund të lexonin dhe shkruanin në vitin 1820, sot vetëm 17% e popullsisë botërore mbeten analfabetë. Në vlerësimet e Eltjo Buringh dhe Jan Luiten Van Zanden, rritja e nivelit të arsimit në Evropë parashikonte lindjen e shoqërive moderne, sidomos nga gjysma e shekullit XX [Buringh&Zanden:2009]. Evropa Veri-Perëndimore ka bërë përmirësime të rëndësishme në shkrim-lexim në periudhën 1600-1800, por gjatë 65 viteve të fundit shkalla e arsimimit global u rrit në 4% çdo 5 vjet – nga 42% më 1960 në 86% në vitin 2015. Një zgjerim i tillë global i shkrim-leximit pa dyshim ka ndihmuar në uljen e pabarazive njerëzore.
Edhe pse “Sustainable Development Goals” [SDG] na jep një shpresë se deri në vitin 2030 do të zbutet ndjeshëm analfabetizmi, shifrat na vijnë nga “Unesco Institute for Statistics” [UIS] nga 758 milionë për vitin 2014 në 750 milionë në vitin 2016, dy të tretat prej të cilëve janë gra. Kjo e fundit flet për vitin 2016, se te mosha e re prej 15 deri në 24 vjeç analfabetizmi ishte 91% më i ulët se te mosha e rritur mbi 65 vjeç, që ishte në 78%! Rajonet me popullsinë më të madhe analfabete (49%) janë në Azinë Jugore [gjysma e popullatës analfabete globale]dhe në Afrikën Subsahariane (me 27%). Vijnë pastaj Azia Lindore dhe Juglindore me 10%, Afrika Veriore dhe Azia Perëndimore me 9% dhe Amerika Latine me Karaibet me rreth 4% dhe më pak se 2% e popullsisë analfabete globale jetojnë në rajonet e mbetura të kombinuara [Azia Qendrore, Evropa, Amerika Veriore dhe Oqeania].
Nga të dhënat që jep “International Islamic News Agency”[IINA], analfabetizmi më i shfrenuar është në botën myslimane, përkatësisht në shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik [OIC (Organization of Islamic Cooperation)]. Pothuajse 40% e popullatës së këtyre shteteve nuk mund të lexojnë ose të shkruajnë. Të dhënat e OIC-së për vitin 2013 thonë se ka qenë 73% më e ulët se shkalla e arsimimit të të rriturve në botë (82%) dhe 85% më e ulët se në vendet në zhvillim. Nga kjo përqindje “The Islamic Educational, Scientific and Cultural Organization” [ISESCO] ka deklaruar 40% te meshkujt dhe 60% te femrat, ndërkohë që zonat rurale mbeten pas zonave urbane me mbi 10%. Drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Dr. Abdulazizal-Tuwaijri, tha në një deklaratë se: “Analfabetizmi ende përbën një sfidë të vërtetë për komunitetet myslimane dhe e pengon përparimin e botës islame në të gjitha aspektet“, duke theksuar se: “Analfabetizmi në shumicën e shteteve anëtare të OIC-së ka arritur nivele serioze, reflektohet negativisht në përpjekjet e qeverive për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ” [IINA News, 14. 1. 2015]. Kjo dukuri paraqet një kërcënim për zhvillimin dhe prosperitetin e shoqërisë dhe ndikon negativisht në aftësinë për të promovuar dhe ndërtuar një ekonomi të fortë dhe për të arritur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit, pohon “Millennium Development Goals” [MDG].
Të dhënat e UNESCO-s [United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization] na japin një shpresë të vyshkur, me konkluzionin se në të gjithë anëtarët e OIC-së analfabetizmi ka rënë nga 52 milionë, sa ka pasur në vitin 1990, në 48 milionë në vitet 2005-2011. Kjo do të ilustrohet më së miri me shembullin e Bangladeshit, ku thuhet se shkalla e arsimit te të rriturit është ngritur nga 47%, sa ka pasur në vitin 2011, në 73% në vitin 2016, që rezulton me një reduktim të popullatës analfabete dhe kjo është për t’u vlerësuar. Po kështu edhe UIS-i [Unesco Institute for Statistics], duke krahasuar intervalin kohor prej dy vitesh (2014-2016), në kuptimin global, ka vlerësuar tre milionë më pak: nga 758 milionë në 755 milionë.
Vendet e varfra i kanë segmentet më të mëdha të popullatës analfabete. Në Nigeri, për shembull, deri në vitin 2015 shkalla e popullsisë që di shkrim-lexim te të rinjtë ndërmjet moshave 15 dhe 24 vjeç ishte vetëm 36.5%. Burkina Faso, Afganistani dhe Sudani i Jugut ishin në fund të shkallës së arsimimit (që dinin shkrim-lexim) – më të ulët se 30%, Mali, Çadi, Somalia dhe Etiopia nën 40%, ndërsa Guinea dhe Benini nën 50% [UNESCO Institute for Statistics]! Te shqiptarët thuhet se përqindja e analfabetizmit është zvogëluar nga 97.2% për vitin 2012 në 97.6% për vitin 2015.
Por, nuk është analfabet vetëm ai që nuk shkruan dhe nuk lexon, por i tillë është edhe ai që nuk e kupton domethënien e asaj që e lexon, përkatësisht analfabetizëm është paaftësia e dikujt për t’ia dalë mbanë në përditshmëri dhe nëpër detyra punimesh që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit themelor, bie fjala të lexojnë mesazhe me tekst, të plotësojnë formularët ose ta lexojnë recetën e mjekut të tyre [UNESCO]. Kjo ndryshe quhet “analfabetizëm funksional” [Kozol:1985], që gjithashtu e ka historinë e vet. Thuhet, për shembull, se “analfabetizmi i përgjithshëm funksional në mesin e sicilianëve ishte më i vogël në vitin 870 nën sundimin islam sesa më 1870 nën sundimin italian” [Atoddart:2010, ff. 47-48]. Ky duhet të jetë një shembull për botën islame, që ta rikthejë të kaluarën e saj të lavdishme [Dawn, 29.05.2018].
Por, jo në të gjitha vendet dhe në të gjitha shoqëritë analfabetizmi funksional konsiderohet i njëjtë. Njerëzit që jetojnë në një bashkësi rurale dhe agrare të botës së zhvilluar, mund të jenë në gjendje t’i kryejnë detyrat e përditshme pa aftësi të avancuara të shkrim-leximit, ndryshe nga ata që jetojnë në zona urbane me një mbështetje të fortë teknologjike, ku kërkohet një nivel më i lartë i shkrim-leximit për të kryer edhe detyra të thjeshta [Mitchell&Weiler:1991]. UNESCO e ka përkufizuar një person që sipërfaqësisht di shkrim-lexim, por nuk mund ta bëjë këtë në nivelin e duhur për shumë aktivitete sociale. Sipas CNN-it, në Amerikë të tillë janë 19% e atyre që kanë kryer shkollën e mesme! Daniel Lattier shkruante më 26 gusht 2015 se: “32 milionë [1 në 7] amerikanë të rritur janë analfabetë funksionalë“. Vlerësohet se më shumë se dy miliardë dollarë shpenzohen për çdo vit për studentët që e përsërisin një lëndë, për shkak të problemeve që kanë me leximin. Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë janë edhe më shqetësuese – 85% e të gjithë atyre që akuzohen për vepra penale dhe mbi 70% e të burgosurve në burgjet e Amerikës janë analfabetë funksionalë. Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit për vitin 2003 ka bërë një anketë me 19.000 të rritur, prej të cilëve të tillë kanë qenë 14% e tyre.

(vijon)

Të fundit

më të lexuarat