
Në panelin për të ardhmen e rajonit që u mbajt më 7 shtator, ambasadorja amerikane në Podgoricë, Xhudi Rajzing Rajnke, tha se kërcënimi më i madh për Malin e Zi është një qeverisje që vendos interesat partiake para atyre sociale.
Zonja Rajnke tha se janë identifikuar tri lloje kërcënimesh – të jashtme, të brendshme dhe ekzistenciale.
“Bota ndryshoi më 24 shkurt në përpjekjen kriminale të Rusisë për të zhdukur sovranitetin e Ukrainës. Prandaj, bashkëpunimi ynë për sigurinë është më i rëndësishëm se kurrë. Kërcënimet e brendshme janë diçka që shqetëson dhe rrit ndarjet në shoqëri – tha ajo.
Kërcënimet ekzistenciale, thotë Rajnke, janë diçka që rrezikojnë sigurinë e Malit të Zi në të ardhmen afatgjatë, dhe kjo është paaftësia për të zgjidhur korrupsionin e rrënjosur.
“Korrupsioni duhet të ndalet dhe dua të them se kërcënimi i vërtetë është qeveria që arrin të vendosë interesat partiake mbi interesat shoqërore”, tha Rajnke.
Zonja Rajnke tha se sulmi i Rusisë nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, por është sulm mbi rendin e bazuar në siguri.
“ Kur ke agresor, nuk ke gjendje të rregullt. Ne duhet të vazhdojmë presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Rusisë dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën “, tha ambasadorja Rajnke.
Ajo vlerësoi dënimin e Malit të Zi për referendumin e rremë të Rusisë në Ukrainë, duke dënuar përpjekjen e Rusisë për të aneksuar një pjesë të territorit ukrainas, por edhe kritikoi përfaqësuesit politikë që nuk dënuan qartë agresionin rus.
“Nga ana tjetër, ata udhëheqës malazezë që nuk arritën të dënojnë qartë dhe publikisht agresionin rus, kanë treguar se nuk ndajnë vlerat tona euroatlantike”, theksoi Xhudi Rajzing Rajnke.
Zëvendës/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mirko Joana, tha se Rusia qëndron pas sulmit kibernetik ndaj Qeverisë së Malit të Zi.
“Mali i Zi është i ekspozuar ndaj një sulmi kibernetik që vjen nga një grup rus, ne pamë diçka të tillë në Bosnje dhe Hercegovinë, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Por ne jemi të pranishëm, në Kosovë kemi 20 mijë ushtarë dhe kjo është prania më e fortë ushtarake në Ballkan, sepse duam të garantojmë paqen në rajon “, tha zoti Joana.
Ai kujtoi gjithashtu se Rusia filloi një luftë të tmerrshme, me pasoja që janë ende në vazhdim.
“ Zaporozhia dhe rajone të tjera me madhësinë e Portugalisë janë aneksuar në Rusi. NATO nuk do ta njohë kurrë këtë grabitje toke. Gjithashtu, retorika bërthamore është diçka që është përshkallëzuar, sepse lufta nuk po shkon ashtu siç e ka imagjinuar Rusia, ndonëse Moska po përballet me rezistencë të fortë edhe nga njerëzit e zakonshëm”, tha zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndërkaq, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe organizatorja e Forumit 2BS, Milica Pejanoviq Gjurishiq, tha se që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus kundër Ukrainës, ne jetojmë në një botë krejtësisht tjetër.
“Agresioni rus kundër Ukrainës shënon fundin e një epoke sigurie që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Disa e quajnë fundi i historisë moderne, për të cilën ka argumente të vlefshme. Ne po përballemi jo vetëm me një sulm ndaj Ukrainës, por edhe me vënien në pikëpyetje të vlerave të demokracisë”, tha zonja Pejanoviq.
Ajo tërhoqi vëmendjen për ato prirje në rajon që vënë në dyshim të drejtat demokratike dhe që po ushtrojnë me një ndikim të rëndësishëm në dinamikën politike të karakterizuar nga paqëndrueshmëria, me potencial për të rrezikuar paqen tashmë të brishtë.
“ Mungesa e kapaciteteve demokratike, institucionet e dobëta dhe mungesa e fokusit të partnerëve perëndimorë, kanë lehtësuar ndërhyrjen e akterëve që duan të kërcënojnë BE-në dhe NATO-n përmes destabilizimit të rajonit”, tha zonja Pejanoviq.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se lufta në Ukrainë solli një ndërgjegjësim në BE për nevojën e integrimit të shpejtë të Ballkanit.
“Ata (BE-ja) e kuptuan se duhet ta shohin Ballkanin sa më shpejt në BE, sepse nuk dihet se sa do të jetë i qëndrueshëm”, tha zoti Lajçak.
Ai theksoi se kriteret teknike janë të rëndësishme për zgjerimin, por se përputhja me politikën e BE-së dhe standardet e saj është shumë më e rëndësishme.
Zoti Lajçak bëri thirrje për shtimin e angazhimit ndaj reformave dhe plotësimin e standardeve të nevojshme për integrim evropian dhe paralajmëroi se përkushtimi ndaj vlerave evropiane ka rënë.
“Raporti për progresin e Malit të Zi që do të publikohet, ndoshta do të jetë më i keq se pesë vjet më parë. Bashkëpunimi rajonal është më i keq se pesë vjet më parë, kështu që të gjithë treguesit paralajmërojnë se vendosmëria dhe përkushtimi ndaj reformave që do ta afronin BE-në, janë më pak të pranishme sot”, tha zoti Lajçak.
Ai iu përgjigj edhe rezervave në rajonin e Ballkanit Perëndimor për hapat e përshpejtuar të afrimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë me BE-në.
“Duhet ta dini se Evropa nuk po i kthen shpinën Ballkanit dhe fakti që po zgjerohemi në Lindje nuk do të thotë se do të ketë ndikim negativ në Ballkan”, tha zoti Lajçak.
Forumi i Sigurisë në Evropën Juglindore organizuar nga Këshilli Atlantik i Malit të Zi, edhe në ditën e dytë të punimeve u përqendrua tek sfidat që ka sjellë lufta në Ukrainë. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski përmes lidhjes me video iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit dhe qytetarëve të Cetinës, të cilët 100 ditë protestuan pa ndërprerje kundër agresionit rus në Ukrainë.
Zelenski tha se uniteti është garantuesi kryesor i paqes dhe është detyrë në ruajtjen e saj.
“Rusia ka frikë nga uniteti ynë, ndaj po përpiqet të na përçajë. Detyra jonë është ta ruajmë në mënyrë që të mos na thyejë dot. Uniteti është garantuesi i paqes”, tha Zelenski .
Ai po ashtu tha se të gjitha vendet evropiane duhet ta elimininojnë ndikimin rus pasi ai kërcënim nuk është vetëm për Ukrainën.
“Në të gjitha nivelet në Evropë, ne duhet të pranojmë se Rusia nuk është vetëm një kërcënim për Ukrainën, por për të gjithë. Tingëllon pak e pazakontë për Evropën, por tani shihet se si Rusia mund të fillojë një luftë”, tha Zelenski.
Sipas tij, për shumë vite kreu i Rusisë dhe rrethi i tij mbetën të pandëshkuar. Ata, siç tha ai, shkatërruan edhe demokracinë në Rusi.
Duke folur për sanksionet kundër Rusisë, Zelenski tha se ato janë të detyrueshme.
“Ato duhet të përforcohen rregullisht në mënyrë që shteti agresor të mos ketë kohë të përshtatet”, tha presidenti i Ukrainës duke shprehur besimin në fund në fitoren përfundimtare të Ukrainës që sipas tij do të rivendosë paqen dhe lirinë në këtë vend.
Në panelin e ditës së dytë të Forumit, morën pjesë presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe ai i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të cilët folën për rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e rajonit.
Ata u shprehen kundër vakumit gjeopolitik, sepse ku nuk ka BE hyjnë të tjerët, dhe zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor është evropianizimi i mëtejshëm dhe anëtarësimi i tij në Bashkimin Evropian.
Forumi 2BS (To Be Secure) shënon dymbëdhjetë vjet të përpjekjeve të për të ndikuar, ndryshuar dhe të japë përgjigje për sfidat e ndryshme rajonale dhe globale.
Në Forum morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, si dhe ekspertë të njohur në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
