
Aktivizmi i studentëve përgjatë historisë ka shkaktuar ndryshime politike, mjedisore, ekonomike dhe sociale. Ai gjatë studimeve ka një vlerë të jashtëzakonshme për ndërtimin e personalitetit dhe integritetit të individit. Lëvizjet e tilla studentore nuk janë domosdoshmërisht rebelim dhe protestë, por rebelimi dhe protesta nuk duhet të klasifikohen kurrsesi në kategori negative. Popullata studentore në çdo shtet duhet të jetë forca shtytëse e ndryshimeve. Kudo në botë, studentët në auditorët e universiteteve nxisin debate e diskutime, angazhohen, iniciojnë a përkrahin politika, bëhen pjesë e kauzave sociale a komunitare.
Protestat e fuqishme studentore shqetësuan qeveritë e atëhershme komuniste
Në gjysmën e shekullit të kaluar në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, janë organizuar protesta të fuqishme studentore të cilat shqetësuan qeverinë e atëhershme komuniste dhe presidentin e shtetit Josip Broz Tito. Po përmendim protestat e forta të studentëve të vitit 1968 në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, që ishin konflikti i parë i madh me pushtetin e atëhershëm komunist.
Edhe në Kosovë u organizuan protesta të studentëve shqiptarë, të cilat u mbajtën në Prishtinë në mars të vitit 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve, të cilat ishin shtypur me dhunë nga policia serbe dhe u paraburgosën disa studentë. Protesta më e fuqishme e studentëve dhe profesorëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës vlerësohet ajo e 1 tetorit 1977, në mbrojtje të arsimimit shqip, për lirimin e shkollave të okupuara e të mbyllura nga regjimi i dhunës serbe nga viti 1991. Këto protesta shënojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të lëvizjes studentore në historinë më të re të Kosovës në fundshekullin XX. Në Shqipëri veçojmë protestat tek Ministria e Arsimit të studentëve të universiteteve publike në dhjetor të 2018-tës, për të kundërshtuar tarifat e larta të shkollimit, kërkimin e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve në konvikte. Ndërkaq, në Mal të Zi duhet përmendur u lëvizjet e vitit 1988/89. Mirëpo tani gjërat janë diametralisht ndryshe.
Mosinteresimi i studentëve dhe mungesa e idealit
Në ditët studentore të shekullit të kaluar studentët kishin ide. Kur i pyesim studentët sot pse nuk luftoni më shumë për të drejta më të mira këtu, ata zakonisht përgjigjen se ne nuk kemi ideale. Ideali me të cilin u zhvilluan protestat në vitin 1968 për brezin e ri është sot i çuditshëm. Sot jemi të ndarë në çdo bazë, nuk i dëgjojmë dhe i urrejmë kundërshtarët, ndërsa në atë kohë ata udhëhiqeshin vetëm nga idealet dhe dëshira për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë. Cilat janë idealet tona sot?
Në periudhën e tranzicionit shumëçka ka ndryshuar në jetën studentore, sikurse edhe në të gjitha segmentet e shoqërisë së sotme. Për momentin lëvizja ose aktivizmi studentor në Mal të Zi dhe në ish-Jugosllavi mund të karakterizohet si pasiv dhe në nivel të ulët, ndërsa vetë studentët si të painteresuar, dhe gjithë këtë e vërteton prania e përhershme e njerëzve të njëjtë në evenimentet studentore. Mund të flasim për aktivizmin si një gjë individuale e disa grupeve studentore margjinale dhe kaq. Natyrisht, problemi në Mal të Zi është se ne kemi një traditë të dobët universitare. Universiteti i Malit të Zi është relativisht i ri. Shkollat e para u shfaqën këtu afro 150 vjet më parë. Dhe në këtë duhet parë një pengesë të madhe për ndonjë formë të lëvizjes studentore, për të mos përmendur faktin që ne si shoqëri, përveç revolucionit të viteve 1941-1945, nuk kemi pasur një revolucion që do të kushtëzonte emancipimin.
Frika e rrënjosur nga politika
Studentët në fund të shekullit 20-të humbën rolin që kishin dikur. Dikur ishin iniciatorë të ndryshimeve shoqërore, sot janë një nga të ashtuquajturat target grupe. Sistemi shumëpartiak dhe zhvillimi i demokracisë i largoi studentët në plan të dytë, sepse zakonisht ishin opozitë. Më shpesh ata luftuan për drejtësi, luftuan për ndryshime. Tani kjo e drejtë ekskluzive i takon dikujt tjetër. Sot studentët kryesisht heshtin… Heshtin dhe vetëm heshtin ? Shtrohet pyetja ku janë studentët tanë që dikur ishin krenaria e popullit dhe e kombit, e sot pothuaj nuk dëgjohet zëri i tyre?
Politika është kryesisht përgjegjëse për pasivizimin, domethënë një frikë e rrënjosur nga politika dhe mbizotërimi i mendimit se është më mirë të heshtësh dhe të merresh me veten. Njohësit e mirë të proceseve demokratike vlerësojnë se të rinjtë nuk duhet të jenë pasivë, përkundrazi duhet të ngrisin zërin. Sipas tyre jo gjithmonë gjithçka do të shkojë sipas planit, por aktivizmi studentor duhet të ndërtohet dita-ditës.
Mungesa e guximit profesional të profesorëve dhe akademikëve
Në periudhën e pluralizmit politik numri i profesorëve në universitetin malazez, por edhe të universiteteve të tjera në ish-Jugosllavi që kanë guximin personal dhe profesional për të dhënë çdo vlerësim kritik në publik në lidhje me qeverinë dhe madje edhe gjendjen e arsimit të lartë, është simbolik. Prandaj nuk duhet të jetë për t’u habitur edhe pse gjithçka duhet të na trishtojë, fakti që 50 përqind e të rinjve në Mal të Zi duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë kufijve të këtij vendi, përpara se të angazhohen aktivisht për një Mal të Zi më të mirë. Dhe ndoshta vetë përvoja i ka mësuar jo vetëm studentët, por edhe profesorët e tyre janë orientuar më shumë nga mbrojtja e interesave personale sesa kolektive. Prandaj edhe nuk janë shumë aktivë në rrjedhën shoqërore, në zhvillimin e shoqërisë dhe në krijimin e marrëdhënieve shoqërore. Në këtë aktivizim të munguar të studentëve dhe të profesorëve, kanë kontribuar zhvillimi i aktiviteteve sociale, globalizimi dhe teknologjia e informacionit, dhe të gjithë faktorët e tjerë që përbëjnë shoqërinë moderne.
