Ai që shkruan është i pavdekshëm

Sa herë që shfletoj libra pyes veten: “Përse shkruan njeriu? Përse vazhdon ta shprehë dhe të mos e mbaj fjalën për vete? Është i detyruar të shprehet apo e bën këtë si zgjedhje?” Disa besojnë se të shkruarit është një lloj çmendurie, por si mund të shkruajë një i çmendur për të mençurit?

Qani Osmani

Që në fillimet e historisë njerëzore, njeriu ka treguar interes të shënojë atë që dëshiron ta thotë. Kështu, Samaritanët filluan të shkruajnë gjuhën e tyre e cila përbëhej nga fije të vizatuara në baltë, në kocka ose në metale. Më pas erdhi faza e shkrimit fotografi, ku fjala shprehej nëpërmjet formave të ndryshme të kafshëve. Që atëherë njeriu nuk është ndalur së shprehuri me qëllim që të mos i humbet nami e nishani në regjistrat e historisë.
Të shkruarit është një nga elementet ekzisenciale që thurin jetën e njeriut. Sa herë që dikush shkruan, ai rivizaton veten e vet, e ndonjëherë rivizaton të tjerët, që të shndërrohet pas njëfarë kohe në një pjesë të jetës së tyre.
Heret është thënë: “Zgjedhe shkrimtarin siç do ta zgjedhje mikun”. Shkrimtarit të cilit i beson, në fakt i beson mendjes tënde dhe ndjenjat e tij i sheh dhe i dëgjon nëpërmjet tij. Fjalët e disa shkrimtarëve na falin besim tek jeta, ndërkohë që fjalët e disa të tjerëve na falin besim tek vetja jonë.
Kush shkruan le pas vetes shkëndija me të cilat orientohen udhëtarët në rrugën drejt së vërtetës. Mbase nuk mund t’ua tregosh njerëzve të vërtetën, por mund t’u flasësh për të.
Shkruajmë për të eksploruar botën, për të ndriçuar thellësitë e ekzistencës; shkruajmë për të shprehur veten, e mbase për të hedhur hapa drejt saj. Nuk është e domosdoshme të jesh gazetar, romancier apo mendimtar për të shkruar. Mjafton ta ndjesh që të nisësh të shkruash. Të shkruarit është një gjendje emocionale që prekë njeriun pa e ditur, dhe për ta mësuar përgjigjen, i duhet të shkruajë, mandej fillon e kërkon mes rreshtave. Nuk është e rëndësishme të prekësh ndjenjat e të tjerëve që të jesh shkrimtar i suksesshëm. Më e rëndësishme se kjo është që të arrish të trazosh mendimet e amullta në mendjet e lexuesve. Arritja më e madhe që mund të shënojë një shkrimtar është t’u mësojë lexuesve si të mendojnë.
Të shkruarit është një vepër arti dhe disa shkrime meritojnë të ekspozohen në muze që të shijohen nga njerëzit. Shkrimtari pikturon me fjalët e tij, gdhend me penën e tij dhe ngjyros me shprehjet e tij. Nuk ka rëndësi lloji i ngjyrave që përdor; e rëndësishme është të vlejnë për të ngjyrosur dhe jo për reklamë dhe marketing. Disa shkrimtarë ngjyrosin tokën, disa të tjerë ngjyrosin qiellin, e të tjerët ngjyrosin ëndrrat me të cilat lartësohen. Kush shkruan për kujtimet, harrohet me vdekjen e tij, e kush shkruan për ëndrrat, na meson më shumë pas vdekjes së tij sesa gjatë jetës.
Shkrimtari tregon kujdes të veçantë për tekstin dhe formën, ashtu siç tregon kujdes edhe për përmbajtjen. Ai e trajton tekstin si një qenie të gjallë, merr parasysh kohën dhe rrethanat ku jeton, nuk e ngarkon me gjëra të tepërta dhe sa më shumë të shtohet teksti, aq më shumë piqet ai për t’u përballur me jetën.
Shkrimtar i vërtetë është ai që shtron pyetje, të cilat, në përgjithësi njerëzit e tjerë kanë frikë t’i shtrojnë; është ai që kërkon aspekte të cilat njerëzit orvaten t’i mbajnë nën hije. Ai është si aventurieri i cili i shkon në fund botës që të kthehet plot tregime për t’ua rrëfyer të tjerëve.
Shkrimet më të bukura janë ato që ripërkufizojnë gjërat duke ua sjellë njerëzimit në një formë të plotë ose, më saktë, në formën e saj të vërtetë. Shumica e të vërtetave fshihen pas përkufizimeve, ashtu siç degdisen brenda kuptimeve të shumta të fjalëve. Shkrimtar i rrallë është ai që arrinë të qëndrojë mes përkufizimeve, edhe nëse ato janë shpërndarë pa rregull. Këtë ai e bën sepse më shumë i druhet shpërqëndrimit të shoqërisë, sesa vetë shoqërisë. Të shkruash do të thotë të rendësh pas së vërtetës. Kush nuk ka mbërritur akoma tek e vëreta, nuk ka përse ta shpikë atë, sepse e vërteta është e përjetshme, nuk mund të grabitet dhe as të riprodhohet.
Shkrimtari vë jetën e tij në librin që shkruan, ndërsa lexuesi kërkon jetën e vet në librin që lexon. Kush orvatet t’i mbajë sekretet e jetës së vet në zemër, thjesht po përpiqet ta shtyjë publikimin e tyre për ca kohë, sepse letra është më e tejdukshme se zemra.
Disa tekste që lexojmë na lënë përshtypje për një kohë të gjatë, na i mbushin zemrat me shpresë dhe na inkurajojnë për më shumë punë. Tekstet që nuk ia arrijnë kësaj, janë të mangëta, ato sikur marrin prej nesh sa më shumë që i lexojmë.
Misioni i shkrimtarit qëndron në pleqërimin e asaj që duhet të jetë e jo të asaj që është, sepse shkrimtari është përgjegjës për hapjen e rrugëve të reja, jo për mirëmbajtjen e tyre. Mu për këtë ai s’ka përse harxhon kohë dhe energji për të reformuar zakonet e shoqërisë, pasi zakonet janë fenomene natyrale; njerëzit u nënshtrohen atyre, sepse nuk i nënshtrojnë dot. Prandaj dhe një shkrimtar mendjemprehtë është ai që restauron mendimet dhe debaton me to. Në fund të fundit, mendimi i duhur është në gjendje të prodhojë një shoqëri të re, me zakone të reja që i përngjajnë të ardhmës së dëshiruar.
Nuk ke nevojë të thellohesh tek rregullat e shkrimit që të shkruash; shkruaj tani dhe mëso me kohën. Është e rëndësishme të mësohesh t’i shpërthesh fjalët para vetes dhe jo pas. Mos kij frikë nga çfarë shkruan. Kush u frikësohet fjalëve të veta, nuk e meriton të mbajë në dorë penën. Kur ndonjë prej nesh fillon të shkruajë, teksti është pjesë e vetes së tij. Me ta përfunduar, ai tashmë është shndërruar në pjesë të atij teksti.
Kush shkruan i dhuron njerëzimit një pjesë të shpirtit të tij, prandaj ai që shkruan është i pavdekshëm. Kushdo që vjen pas tij dhe lexon nga veprat e tij, e risjell në jetë. Shkrimi është një akt i shenjtë, sepse zanafillën e ka në qiell, detyra jonë është të mos e ndotim atë në tokë.

Të fundit

më të lexuarat