Zyrtarët e BE-së bënë thirrje për tëpërshpejtuar procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministri i Malit të Zi Dr. Dritan Abazoviq, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukajn, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit së bashku me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Misar dhe me sekretaren shtetërore për Evropën të Francës, Laran Bun, firmosën marrëveshje për themelimin e Qendrës për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor me seli në Podgoricë

Tiranë – Javën e kaluar më 16 tetor 2023, u mbajt në Tiranë Samiti i Liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, në të cilin mes shumë zyrtarësh të lartë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, mori pjesë dhe kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq i cili gjatë sesionit të parë ka folur mbi temën “Integrimi i rajonit në tregun unik dhe përmirësimi i konvergjencës me BE-në”
Sipas njoftimit të qeverisë, duke folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, Abazoviq ka nënvizuar se vetëm bashkëpunimi i afërt i shteteve të Ballkanit Perëndimor mund të çojë deri në avancimin e rajonit dhe të afrimit të tij me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Abazoviq ka theksuar se Mali i Zi, me qëllim të lidhjes më të afërt rajonale, ka filluar projektet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore ndaj të gjitha shteteve fqinje, çfarë siç thuhet, do të kontribuojë në lëvizshmërinë reciproke më të madhe e kështu edhe në marrëdhëniet e shkëlqyeshme rajonale dhe fqinjësore.
“Duke komentuar sfidat e sigurisë globale, kryeministri ka përsëritur mbështetjen e Malit të Zi ndaj Ukrainës në mbrojtjen kundër agresionit rus. Në kontekstin gjeopolitik, ka përsëritur dënimin e Qeverisë së Malit të Zi ndaj sulmit të Hamasit në Izrael, duke bërë thirrje njëkohësisht në respektimin e të Drejtës Ndërkombëtare Humane, kursimin e civilëve në Rripin e Gazës dhe për ofrimin e ndihmës humanitare atyre që u nevojitet” njoftohet nga Qeveria e Malit të Zi.

Firmosja e Marrëveshjes për themelimin e Qendrës për Kapacitete Kibernetike
Kryeministri i Malit të Zi Dr. Dritan Abazoviq, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukajn, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit së bashku me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Misar dhe me sekretaren shtetërore për Evropën të Francës, Laran Bun, firmosën marrëveshje për themelimin e Qendrës për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor me seli në Podgoricë, u njoftua nga Qeveria e Malit të Zi. Kryeministri Dr. Dritan Abazoviq ka thënë se kjo është ditë e madhe për Malin e Zi.
“Qendra rajonale për siguri kibernetike do të jetë në Podgoricë. Faleminderit të gjithëve që kanë kontribuar për këtë moment për vendin tonë dhe për sektorin e Teknologjisë së Informacionit” është shprehur Abazoviq.
Ndërkohë, siç njoftohet, programet të cilat realizohen në kuadër të qendrës në mënyrë primare janë të destinuara në bartës të infrastrukturës kritike dhe janë të projektuar të tilla që, në mënyrë tematike të edukojnë përfaqësuesit e këtyre strukturave, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të jenë në gjendje që njohuritë e arritura t’i transmetojnë tek të punësuarit e tjerë në organizatat e tyre.
Ndërkaq, kryeministri Dr. Dritan Abazoviq gjithashtu është shprehur se me firmosjen e kësaj marrëveshjeje krijohen parakushtet për fuqizimin e sigurisë kibernetike në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Për avancimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë akterëve rajonalë në luftën kundër këtyre kërcënimeve dhe për krijimin e një qendre rajonale e cila do të inkurajojë programe të avancuara dhe relevante të trajnimit, si dhe bashkëpunim në zhvillimin e planit dhe programit kibernetik të mësimdhënies në fushën akademike rajonale”, theksohet në këtë njoftim.
Më tutje njoftohet se këtë dokument e kanë firmosur kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave e Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Firmosja e Marrëveshjes Rajonale për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale
Nga Qeveria e Malit të Zi njoftohet se gjatë samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit u firmos edhe Marrëveshja Rajonale për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Infermierëve, Veterinerëve, Farmacistëve dhe Mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, (CEFTA).
Në prani të kancelarit gjerman, Olaf Sholc, të kryetares së Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, këtë dokument e kanë firmosur kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovaçevski, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.
Në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit morën pjesë zyrtarë të lartë të Bashkimin Evropian si: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë, etj.
Kujtojmë se Gjermania është shteti që inicioi këtë nismë diplomatike të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, me synim nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo është hera e parë që ky Samit zhvillohet në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, ndërsa në të dyja anët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ishin vendosur flamuj kombëtar të vendeve anëtare të BE-së si dhe grupe folklorike dhe këngëtarë popullorë që shoqëruan me muzikë dhe valle liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian.
Kujtojmë që Mali i Zi i nisi negociatat me BE-në në vitin 2010, Serbia 2012, ndërsa në korrik të vitit 2022 i nisi negociatat edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnja dhe Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor të vitit 2022, kurse Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim- Asocimi (MSA).

t. u.

Të fundit

më të lexuarat