Zhvillimi i mëtejshëm ekonomik mbetet prioritet

Në një kumtesë për opinion, ish- kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, sot zv/kryeministër dhe ministër i zhvillimit ekonomik, ka thënë se data 1 Shtator përfaqëson një pikë kthese historike jo vetëm në aspektin e fitimit të statusit të plotë të komunës së pavarur, por edhe për fillimin e progresit ekonomik dhe social të të gjithë Malësisë

Tuz – Komuna e Tuzit, të diel mbrëma më 1 shtator 2024, shënoi 1 Shtatorin- Ditën e Komunës së Tuzit me një solemnitet, ku të pranishëm qenë përfaqësues të subjekteve politike lokale dhe qendrore, përfaqësues diplomatik, klerikë, personalitete të jetës publike, ekonomike, shkencore, artistike, etj.
Fillimisht, dy himnet kombëtare të Malit të Zi dhe Shqipërisë, i intonoi sopranoja nga Ulqini, Gjylie Pelingu.
Në emër të Kuvendit të Komunës së Tuzit përshëndeti, nënkryetari, Admir Nikaj i cili tha se vullneti i popullit, i shprehur në zgjedhje për ta udhëhequr Komunën e Tuzit në mandatin e dytë, ishte një besim i madh.
“Por një obligim edhe më i madh për të gjithë ne. Obligimi dhe sfida jonë është që t’a ruajmë bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare dhe ndërnacionale, dhe këtë, institucionet tona po e bëjnë me plot sukses. Organet e komunës tonë, që nga kuvendi e tutje, po i zbatojnë me përpikëri të drejtat e dala nga dispozitat e Kushtetutës së Malit të Zi, Konventat Ndërkombëtare e deri tek Ligjet shtetërore, posaçërisht ato që lidhen me të drejtat e pakicave” u shpreh në mes tjerash, nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Admir Nikaj.
Në të njëjtën kohë, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj bëri të ditur se veprimet e tyre gjatë kësaj periudhe kanë qenë të fokusuara në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në përmirësimin e shërbimeve komunale, në investimin në arsim, etj. Ai potencoi disa investime që Komuna e Tuzit i ka realizuar këtë vit.
“Rregullimi i infrastrukturës lokale me vlerë afro 2.8 milionë euro; ndërtimi i stadiumit “Deçiq” me vlerë rreth 3 milionë euro; rregullimi i infrastrukturës përreth stadiumit me vlerë rreth 860mijë euro, ujësjellësi në Drume- Bardhaj me vlerë rreth 640 mijë euro; ndërtimi dhe rregullimi i rrugës kryesore nëpër qendër të Tuzit me vlerë rreth 1.2 milionë euro; ndërtimi dhe rregullimi i rrugës pranë Gjimnazit “25 Maji”, me vlerë afro 450 mijë euro” u shpreh Gjelaj.
Ai duke shpalosur projektet që do të jenë prioritet në të ardhmen, tha se në vijim pritet të realizohet, ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Milesh, qendra sportive, adaptimi i qendrave kulturore, etj.
“Kjo ditë është një mundësi për të paraqitur vizionin tonë për të ardhmen, duke mos harruar sfidat që i kemi kaluar. Në rrugëtimin tonë të mëtejshëm do të përqendrohemi në përmirësimin e kushteve të jetës për të gjithë banorët e komunës tonë. Zhvillimi ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të reja dhe mbështetjes së ndërmarrjeve vendore, mbetet një prioritet për ne” u shpreh kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ndërkaq, në një kumtesë për opinion, ish- kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, sot zv/kryeministër dhe ministër i zhvillimit ekonomik, ka thënë se data 1 Shtator përfaqëson një pikë kthese historike jo vetëm në aspektin e fitimit të statusit të plotë të komunës së pavarur, por edhe për fillimin e progresit ekonomik dhe social të të gjithë Malësisë.
“Atë ditë u realizuan të gjitha përpjekjet, vizionet dhe planet tona shumëvjeçare, sepse ishim të sigurt se Komuna e Tuzit jo vetëm që do të jetë stabile dhe e qëndrueshme, por edhe do të jetë shembull i punës dhe mirë menaxhimit për të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Dhe, plotësisht kishim të drejtë, jo vetëm që e rritëm buxhetin e Komunës së Tuzit nga 1.6 milionë sa ishte në vitin 2019 në mbi 8 milionë sa është tani, por ndryshuam totalisht situatën ekonomike, infrastrukturore, investuese dhe shoqërore në Malësi” ka thënë ish-kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ai ka shtuar se, Komuna e Tuzit sot, është një nga komunat me nivelin më të lartë zhvillimor jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
“Projektet e mëdha infrastrukturore, ujore dhe zhvillimore dëshmojnë përkushtimin tonë për avancimin e të gjitha sferave të jetës së qytetarëve tanë. Hapja e vendeve të reja të punës, hapja e fabrikave dhe mbështetja e biznesit, investimi në sport dhe kulturë, ndërtimi i stadiumit të qytetit, janë vetëm disa nga projektet e shumta me të cilat jemi krenarë, ku kulmi i të gjitha aktiviteteve tona do të jetë 28 Nëntori, data kur do të përurohet përmendorja e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në sheshin me po të njëjtin emër në Tuz” ka thënë Gjeloshaj.

t. u.


Fitues, Dr. Safedin Beqaj dhe Mr. Lukë Junçaj

Në këtë solemnitet, u bë ndarja e Çmimit të Komunës së Tuzit, i cili këtë vit, me vendim të jurisë për ndarjen e këtij çmimi, iu dha, Dr. Safedin Beqajt dhe Mr. Lukë Junçajt, të dy aktivistë që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në emër të jurisë për ndarjen e Çmimit “1 Shtatori – Dita e Komunës”, foli Nikollë Berishaj, i cili prezantoi një jetëshkrim të shkurtër të dy fituesve të çmimit të sivjetmë, duke thënë se ata me veprimtarinë e tyre shumëvjeçare në shoqatat malësore në SHBA, kanë treguar angazhim të jashtëzakonshëm lidhur me vendlindjen e tyre.
Çmimin “1 Shtatori – Dita e Komunës” e ndau kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ndërkaq, të pranishmit në këtë solemnitet i kanë argëtuar këngëtarët, Venera dhe Lindi Islami.
Kujtojmë se, Data 1 shtator, si Dita e Komunës së Tuzit, korrespondon me datën kur sipas Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi në vitin 2018, Komuna e Tuzit fitoi zyrtarisht statusin e Komunës së pavarur.

Të fundit

më të lexuarat