Zgjidhje ligjore e papranueshme dhe e dëmshme

Ulqin – Komuna e Ulqinit e konsideron të papranueshme dhe të dëmshme zgjidhjen e re ligjore, e cila lejon ndërtimin e objekteve të banimit dhe turistike në prona më të mëdha se 0.1 hektar, me mendim pozitiv nga Ministria e Bujqësisë, të përcaktuar me plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për ullishtarinë dhe vajin e ullirit, të miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi, në mbledhjen e mbajtur të enjten, më 31 korrik 2025.
Sipas kësaj komune, “kjo hap rrugën për urbanizim në dëm të interesit publik, duke rrezikuar drejtpërdrejt ullishtat shekullore, ekosistemin e ndjeshëm, traditën ullishtare dhe autenticitetin e Ulqinit si një destinacion i kulturës mesdhetare”.
Përmes një deklarate për shtyp, Komuna e Ulqinit vlerëson se me amendamentet e miratuara, është mundësuar ndërtimi i objekteve në sipërfaqet me ullinj – qoftë për banim familjar apo për valorizim turistik – gjë që përbën një rrezik serioz për të ardhmen e zonës ullishtare të Ulqinit. “Ne konsiderojmë se dispozitat e tilla nuk duhet të zbatohen në mënyrë mekanike, pa një analizë gjithëpërfshirëse të kontekstit lokal dhe pa vlerësimin e pasojave afatgjata për hapësirën dhe komunitetin”, thuhet në deklaratë.
Nga Komuna e Ulqinit kanë përkujtuar se Ullishta e Ulqinit, së bashku me ullishtën në Valdanos, përfaqëson një nga tërësitë më të vlefshme ambientale në Mal të Zi – një hapësirë me rëndësi të jashtëzakonshme peizazhore, kulturore, ekologjike dhe historike.
“Trajtimi i këtyre zonave si potencial për ndërtim hap një precedent të rrezikshëm dhe çon drejt humbjes së pakthyeshme të autenticitetit dhe degradimit të ambientit që brez pas brezi është kultivuar nga ulqinakët. Ullishta e Ulqinit numëron rreth 87.000 pemë ulliri, rrënjët e të cilave datojnë nga periudha para erës sonë. Ajo nuk është vetëm një burim bujqësor, por një burim shëndeti, identiteti lokal, krenarie kombëtare dhe një themel për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ekonomisë rurale. Kjo zonë ka potencialin të nominohet për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për shkak të vlerës së saj universale dhe të pazëvendësueshme”, thekson deklarata.
Më tej në të thuhet se Komuna e Ulqinit dërgon një mesazh të qartë se Ullishta e Ulqinit duhet të ruhet në formën e saj origjinale.
“Është detyra jonë ta mbrojmë këtë hapësirë – jo vetëm në interes të komunitetit të sotëm, por edhe në emër të brezave që do të vijnë. Prandaj do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë që kjo zonë të mbrohet, deri në hartimin dhe miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që do të përcaktojë qartë kufijtë e zhvillimit të mundshëm, pa rrezikuar vlerat thelbësore të këtij peizazhi”, thuhet në deklaratë, duke konkluduar se “Ulqini nuk duhet ta humbasë ullishtën”.
Komuna e Ulqinit i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Malit të Zi që të rishqyrtojnë ndryshimet e miratuara, Ministrinë e Bujqësisë që të mbrojë interesin publik dhe të parandalojë shkatërrimin e ullishtave përmes ndërhyrjeve urbanistike, si dhe opinionin profesional dhe publikun e gjerë, organizatat joqeveritare dhe institucionet përkatëse që të përfshihen në mënyrë aktive në mbrojtjen e këtij peizazhi të çmuar.
Reagimi i Komunës së Ulqinit ka ardhur pas miratimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për ullishtarinë dhe vajin e ullirit, konkretisht miratimit të amendamentit të propozuar nga deputetët Angjela Vojinoviq, Gordan Stojoviq, Edina Deshiq, Velimir Gjokoviq dhe Jelena Klajeviq, në bazë të të cilit lejohet ndërtimi i objekteve të banimit dhe turistike në ullishta, në prona më të mëdha se 0.1 hektar, pas marrjes së mendimit pozitiv nga Ministria e Bujqësisë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat