Zgjerohet bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë

Mali i Zi dhe Shqipëria si dy vende fqinje po zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e përmirësimit dhe zgjerimit te infrastruturës së komunikimit. Në këtë kuadër Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri u prit të martën në Podgoricë nga Ministri i Transportit, Osman Nurkoviq dhe nga Ministrja e Ekonomisë, Dragana Sekuliq.
Ministrat nënvizuan faktin se tashmë ka filluar puna për kryerjen e një Studimi të Fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane.
“Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore, ku të dyja vendet kanë si projekt prioritar autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet infrastrukturore në Mal të Zi që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në lidhjen me Shqipërinë. “/ theksoi ministri Gjiknuri.
Më tej ministrat u ndalën tek përpjekjet për krijimin e pikës së përbashkët kufitare edhe në Han të Hotit, njësoj siç tashmë funksionon edhe në Muriqan-Sukubinë.
Vendkalimi kufitar Bozhaj-Hani i Hotit, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë do të rikonstruktohet dhe modernizohet deri në fund të vitit. Kështu ka paralajmëruar ministri malazez Osman Nurkoviq.
“Ndërtimi i vendkalimit të përbashkët kufitar është me një rëndësi shumë të madhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe ashtu të mira me Shqipërinë, por paraqet edhe kontribut në afrimin me BE-në” tha Nurkoviq.
Për rikonstruktimin e këtij vendkalimi kufitar, BE ka siguruar një milion euro.
Në takimin e përbashkët ministrat u ndalën tek angazhimi për projektin e përbashkët Jonian Adriatik Pipeline (IAP). Ata vendosen që nga faza e krijimit të një njësie të përbashkët të kalojnë në fazën për krijimin e një kompanie të përbashkët për projektin IAP.
Në këtë kuadër, ministrat e dy vendeve morën pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të stacionit të përbashkët hekurudhor mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Hapja e stacionit u vlerësua si një sukses i përbashkët dhe si modeli i vetëm në rajon, i cili duhet të ndiqet si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. a.s.

Të fundit

më të lexuarat