Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi më 19 mars

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, ka shpallur të hënën datën e zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 19 mars 2023.
Ajo e ka bërë këtë në përputhje me nenin 89 të Kushtetutës së Malit të Zi dhe nenin 2 të Ligjit mbi zgjedhjen e Presidentit të Malit të Zi, sipas të cilëve kryetari i Kuvendit është i autorizuar dhe i obliguar që t’i shpallë zgjedhjet për President të Malit të Zi jo më vonë se 120 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit të Malit të Zi.
“Duke marrë parasysh se prej ditës së shpalljes deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve për President të Malit të Zi nuk mund të kalojnë më pak se 60 ditë dhe as më shumë se 90 ditë, si dhe duke pasur parasysh se në prill 2023 janë festat fetare të tre religjioneve më të mëdha në Malin e Zi, është vlerësuar se data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve është 19 mars 2023.
Kështu më 9 prill janë Pashkët katolike, më 16 prill Pashkët ortodokse, kurse më 21, 22 dhe 23 prill Bajrami. Të tri festat fetare bien të dielën, e cila është dita e përcaktuar me ligj për mbajtjen e zgjedhjeve.
Po ashtu, duke pasur parasysh mundësinë që asnjëri nga kandidatët potencialë në zgjedhjet presidenciale të mos fitojë në rrethin e parë zgjedhor, pra të mos fitojë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të votuesve që kanë votuar, ka qenë e nevojshme të merret parasysh fakti se rrethi i dytë zgjedhor mbahet pas 14 ditësh, gjë që sërish nuk do të ishte në rregull nëse do të binte gjatë ditëve të festave fetare, prandaj për këtë arsye është caktuar 19 marsi, në mënyrë që në një rast të tillë rrethi i dytë zgjedhor të mbahet më 2 prill 2023”, thekson deklarata për shtyp e Kuvendit të Malit të Zi.
Në këtë mënyrë ka rënë poshtë çdo mundësi që zgjedhjet presidenciale dhe ato eventuale parlamentare të mbahen në të njëjtën ditë, siç është deklaruar disa herë nga përfaqësuesit e partive politike.
Menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve presidenciale, forcat politike kanë filluar me propozimet dhe iniciativat për kandidatët e mundshëm për president të Malit të Zi.
Mandati i Presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka filluar më 20 maj 2018 dhe përfundon më 19 maj 2023.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat