Zgjedhjet lokale të mbahen njëkohësisht dhe kryetari i komunës të zgjidhet drejtpërdrejt

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka vlerësuar se Mali i Zi ka nevojë për nxjerrjen e Ligjit të ri për vetëqeverisjen lokale.
Në një postim në rrjetin shoqëror X, ai ka thënë se subjekti të cilin e përfaqëson angazhohet për miratimin sa më parë të këtij ligji, të cilin Ministria e Administratës Publike tashmë e ka përgatitur.
Sipas tij, kjo përbën edhe një thirrje ndaj Kuvendit të Malit të Zi që t’i pranojë nismat e tyre që zgjedhjet lokale në të gjitha komunat të mbahen në një ditë dhe që kryetari i komunës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Është koha që të dëshmojmë në vepër se sundimi i ligjit në komuna është para interesave politike”, ka thënë ai.
Kërkesa e ministrit Dukaj vjen pas krizës së pushtetit në disa komuna të Malit të Zi, ku përkundër zgjedhjeve të reja të parakohshme, nuk është arritur të formohet shumica qeverisëse. Kështu formimi i pushteteve lokale në tre qytete – kryeqytetin Podgoricë, Kotorr dhe Budvë është e pasigurt për shkak të mos arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës nga partitë që kanë siguruar vende në kuvend.
Gjatë dy-tre viteve të fundit, Ministria e Administratës Publike ka qenë e detyruar të ndërhyjë për vendosjen e ligjshmërisë në disa komuna si pasojë e shkeljeve dhe e mosfunksionimit të pushteteve vendore.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat