Zgjedhjet lokale në Ulqin më 27 mars

Zgjedhjet lokale në komunat e Ulqinit dhe Beranit do të mbahen më 27 mars të këtij viti. Kështu ka vendosur Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Më herët ishte paralajmëruar se zgjedhjet lokale në Komunën e Ulqinit mund të mbahen në muajin maj, së bashku me zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të tjera në Mal të Zi.
Në zgjedhjet lokale për Kuvendin e komunës së Ulqinit, të mbajtura më 4 shkurt 2018, më së shumti vota ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve. Kjo parti ka siguruar tetë këshilltarë, aq sa edhe Forca e Re Demokratike. Shtatë këshilltarë ka fituar Koalicioni “Zgjohu Ulqin”, i përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja “Perspektiva” dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, nga tre këshilltarë Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Socialdemokratët e Malit të Zi, dy këshilltarë Lëvizja Qytetare “Ura”, kurse nga një këshilltar Partia Socialdemokrate dhe Partia Boshnjake. Pas zgjedhjeve lokale, shumicën qeverisëse në Kuvendin e komunës së Ulqinit e krijuan 30 këshilltarë, me përjashtim të tre këshilltarëve të Lëvizjes Qytetare “Ura” dhe PSD-së të cilët qëndruan në opozitë. Më pas edhe Forca e Re Demokratike u largua nga koalicioni qeverisës, duke kaluar në opozitë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka bërë të ditur se numri i votuesve me të drejtë vote në Komunën e Ulqinit është 20 434. Kështu pritet që përbërja e ardhshme e Kuvendit të komunës së Ulqinit, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 27 marsit, të ketë 34 këshilltarë apo një më shumë se përbërja aktuale.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat