Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë miratuar të premten ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisjen lokale, me të cilat parashikohet që zgjedhjet lokale në 14 komuna të mbahen të njëjtën ditë.
Nga 57 deputetë, për kanë votuar 46, kurse kundër 11. Për propozimin kanë votuar deputetët e opozitës dhe koalicionit “E zeza mbi të bardhë” (Lëvizja Qytetare URA dhe Civis), të cilët edhe e kanë dorëzuar iniciativën, kurse kundër kanë votuar deputetët e Demokratëve të Malit të Zi, Malit të Zi të Bashkuar dhe Prava Crna Gora.
Me ndryshimet e miratuara parashikohet që zgjedhjet e ardhshme për këshilltarë në kuvendet e komunave Ulqin dhe Beran të mbahen në vitin 2022, njëkohësisht me zgjedhjet e rregullta lokale në Podgoricë dhe Gollubovc, si dhe në komunat Tivar, Bijello Pole, Danillovgrad, Kollashin, Plavë, Plluzhinë, Plevle, Rozhajë, Zhablak dhe Shavnik. Me këtë vendim, këshilltarëve të kuvendeve në Ulqin dhe Beran iu është zgjatur mandati deri në zgjedhjet e reja lokale.
Më herët, kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kishte vendosur që zgjedhjet lokale në Ulqin dhe Beran të mbahen më 27 mars të këtij viti. Megjithatë, pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për vetëqeverisjen lokale, ato pritet të mbahen në muajin maj.
(Kohapress)
