Zgjedhjet e reja lokale, rrugëdalje nga situata

Ulqin – Forca e Re Demokratike ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Socialistëve për kryetar të ri të Komunës së Ulqinit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, i ka mbushur 67 vjeç në fund të muajit janar, duke i plotësuar kushtet për pension. Përkundër kësaj, akoma nuk është zgjedhur kryetari i ri i Komunës së Ulqinit.
Klubi i Këshilltarëve të Forcës së Re Demokratike e ka cilësuar si akt të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për Ulqinin dhe qytetarët e tij zvarritjen e përfundimit të mandatit të kryetarit të komunës së Ulqinit.
“Që nga informata e vonuar e Sekretariatit për Adminstratë dhe Veprimtari Shoqërore se kryetari i Komunës ka mbushur 67 vjeç dhe i ka plotësuar kushtet ligjore për pensionim, pazaret e tejzgjatura politike për përkrahjen e listës së dëshirave me kandidatë për kryetar Komune, e ka çuar Komunën e Ulqinit në një gjendje të status quo-së dhe e vetmja rrugëzgjidhje është që mandati t’i kthehet popullit”, thuhet në kumtesën për media.
Forca e Re Demokratike vlerëson se për tre vite të pushtetit, me përkrahjen dhe ndihmën e gjerë të të gjitha strukturave të pushtetit në Podgoricë nuk është realizuar premtimi politik i zgjedhjeve lokale të vitit 2018 se pa PDS-në në krye të Komunës së Ulqinit nuk ka zhvillim të saj.
Për këtë arsye, “çdo kandidat për kryetar Komune nga kjo parti (PDS) është i papranueshëm për qytetarët e Ulqinit dhe për Forcën e Re Demokratike”, derisa rrugëdaljen nga kjo situatë e shohin në mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale.
Ndërkaq, nga Këshilli Komunal i PDS-së kanë njoftuar së fundmi se kandidat i saj për postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit është Aleksandar Daboviq, i cili aktualisht është kryearkitekti i Komunës së Ulqinit.
Koalicionin qeverisës në Komunën e Ulqinit e përbëjnë 30 këshilltarë të PDS-së, Forcës së Re Demokratike, koalicionit “Zgjohu” (Partia Demokratike, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ), Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Socialdemokratëve të Malit të Zi dhe Partisë Boshnjake, nga 33 këshilltarë sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat