Vlerësim për kontributin e tyre të çmuar

Tuz – Në 110-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë, Institucioni i Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Insituti “Albanica” dhe Komuna e Tuzit kanë organizuar ceremoninë solemne të ndarjes së dekoratave për disa personalitete të shquara nga Malësia dhe Ana e Malit, të cilët kanë dhënë ndër vite kontribut të çmuar për lirinë e kombit, për krijimin e shtetit shqiptar, për pajtimin e gjaqeve, për ruajtjen e dinjitetit dhe vlerave kombëtare jashtë territorit të Shqipërisë.
Këto dekorata i ka dorëzuar këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, z. Flamur Gashi dhe ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi.
Në prani të një numri të kufizuar të të pranishmëve, të klerikëve, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, dekoratat i kanë pranuar të afërmit e të dekoruarve dhe z. Rexhep Lika personalisht.
Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” u vlerësua z. Rexhep Lika. Me të njëjtin titull u dekoruan, Smajl Martini (bajraktar i Grudës) dhe Baca Kurti.
Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” u dekoruan Trimat e Kojës dhe Zef Miliqi Lulgjuraj.
Me titullin, “Naim Frashëri” u dekorua Gjergj Gjokaj.
Ndërkohë, gjatë fjalës përshëndetëse, këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, z. Flamur Gashi ka theksuar se këto dekorata ndahen në vijën e dekoratave që Republika e Shqipërisë u ndan figurave të ndritura të kombit të vet.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj falënderoi Institucionin e Presidencës së Shqipërisë, për ruajtjen e vlerave kombëtare për shqiptarët që janë jashtë kufirit të Republikës së Shqipërisë, duke nderuar dhe kujtuar me dekorata këto figura të shquara, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat