Vitin e ardhshëm fillon ndërtimi i centraleve solare

Podgoricë – Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i centraleve solare në Malin e Brisë, në Komunën e Ulqinit, ndërsa vlera e punimeve do të jetë më shumë se 300 milionë euro.
Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se ekziston interesim i investitorëve për këtë projekt.
Më herët është theksuar se dy investitorë potencialë kanë dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë letrat për shprehjen e interesit, por pa saktësuar se për cilat kompani bëhet fjalë.
Ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekuliq, njëherazi edhe kryetare e Komisionit për valorizimin e tokës shtetërore në Mozhur, ka deklaruar më herët se kjo ministri është duke punuar në përgatitjen e tenderit, i cili, “nëse çdo gjë shkon në përputhje me planin, do të duhej të shpallet më së voni në muajin mars”.
Por në deklaratën më të re nga Ministria e Ekonomisë thuhet se tenderi do të shpallet në pranverë.
“Në bazë të versionit të punës së dokumentacionit të tenderit, bëhet fjalë për central të madh me fuqi të instaluar prej 200MW/h, me mundësi të lënies së hapësirës për ndërtimin e centralit me fuqi 300MW/h”, kanë theksuar nga kjo ministri.
Ata kanë theksuar se është herët të flitet për vlerën e përafërt të projektit dhe për atë se sa amvisëri do të furnizojë me energji centrali me panele diellore.
Ndërtimi i centraleve solare është në kompetencë të Komisionit për valorzimin e tokës në lokalitetin Mozhur në komunën e Ulqinit, të cilin Qeveria e Malit të Zi e ka formuar në janar, me detyrën që të koordinojë dhe të propozojë aktivitetet dhe modelet për valorizimin e tokës në pronësi shtetërore.
Në Mozhur tashmë është duke u ndërtuar parku energjetik i cetraleve me erë, me vlerë 87 milionë euro.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat