Podgoricë – Enti për Statistika i Malit të Zi (Monstat) ka dalë me të dhëna shqetësuese lidhur me shtimin natyror të popullsisë në vend.
Të dhënat tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti, numri i lindjeve në Mal të Zi është për 1526 më i vogël se numri i vdekjeve. Për nëntë muaj kanë lindur 5182, ndërsa kanë vdekur 6708 persona.
Nga të dhënat e publikuara rezulton se vetëm katër komuna (Budva, Podgorica, Rozhaja dhe Tuzi) kanë shtim natyror pozitiv, kurse shumica e tyre ose njëzet komuna kanë shtim natyror negativ. Ndër komunat ku jetojnë shqiptarët, në Ulqin në këtë periudhë kanë lindur 161 ndërsa kanë vdekur 303 persona, në Tivar kanë lindur 320 ndërsa kanë vdekur 463, në Guci kanë lindur 25 ndërsa kanë vdekur 51, në Plavë kanë lindur 85 ndërsa kanë vdekur 105, në Rozhajë kanë lindur 195 ndërsa kanë vdekur 168 dhe në Tuz kanë lindur 119 ndërsa kanë vdekur 109 persona.
Pyetja që shtrohet është se sa ka ndikuar pandemia Covid-19 në shtimin natyror të popullsisë në Malin e Zi? Megjithëse askush nuk mund të japë një përgjigje të saktë, pandemia sigurisht që ka ndikuar në rënien e indeksit të shtimit natyror. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, nga 1 janari deri më 30 shtator të këtij viti në Mal të Zi kanë vdekur gjithsej 1244 persona si pasojë e infektimit me Sars-Cov2.
(Kohapress)
