Verifikohen mandatet e këshilltarëve

Ulqin – Në seancën konstitutive të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të mbajtur të hënën, janë verifikuar mandatet e këshilltarëve të përbërjes së re të dalë nga zgjedhjet lokale që janë zhvilluar më 4 dhe 18 shkurt.
Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Pjetër Lulgjuraj, ka paraqitur raportin mbi rezultatet e votimit për këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Seanca është drejtuar nga këshilltari më i moshuar i përbërjes së re të Kuvendit, Selim Resulbegoviq, nga Socialdemokratët e Malit të Zi.
Megjithëse në rendin e ditës ka qenë edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Komunës, për këtë nuk është diskutuar pasi që akoma nuk është arritur marrëveshja për formimin e shumicës qeverisëse, gjë që pritet të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale më 15 prill.
Në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit përfaqësohen gjithsej tetë subjekte politike. PDS dhe Forca e Re Demokratike do të kenë nga tetë këshilltarë, Koalicioni “Zgjohu Ulqin” (PD, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ) shtatë këshilltarë, UDSH dhe Socialdemokratët e Malit të Zi nga tre këshilltarë, Lëvizja Qytetare URA dy këshilltarë, kurse PSD dhe Partia Boshnjake nga një këshilltar. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat