Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr, Dritan Abazoviq është takuar të mërkurën e kaluar (1 mars 2023) në Shkup me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku ndër të tjera është diskutuar për projektet infrastrukturore midis dy vendeve.
Në këtë takim, që është zhvilluar në margjinat e Forumit Ekonomik, dy kryeministrat kanë folur për projektet e përbashkëta dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Në komunikatën për shtyp të zyrës së kryeministrit të Kosovës thuhet se në veçanti është diskutuar për projektet infrastrukturore me interes për të dy vendet si ajo e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë, që i afrojnë edhe më shumë qytetarët dhe ekonomitë e Kosovës dhe Malit të Zi.
Gjatë qëndrimit në Shkup, kryeministri në detyrë i Malit të Zi është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Forumi Ekonomik në Shkup tuboi personalitetet më të njohura vendore dhe ndërkombëtare nga fusha e politikës, biznesit, shkencës, diplomacisë etj., të cilët kanë folur për sfidat aktuale në Maqedoninë e Veriut, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
(Kohapress)