Unifikimi i faktorit politik shqiptar lehtëson realizimin e të drejtave

Tiranë – Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, njëkohësisht kryetar i Komunës së Ulqinit, është pritur të hënën në Tiranë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së Presidentit të Shqipërisë thuhet se Presidenti Meta vlerësoi kontributin e dhënë nga shqiptarët e Malit të Zi në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe për pavarësinë, anëtarësimin në NATO dhe integrimet evropiane të Malit të Zi.
“Presidenti theksoi rëndësinë e përmirësimit dhe shtimin e pikave të kalimeve kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sidomos zgjerimin e kalimit kufitar Sukubinë – Muriqan, si dhe mundësinë për kalimin e mallrave në këtë pikë të kalimit kufitar, duke pasur parasysh që kjo pikë e kalimit kufitar është e projektuar për kalimin e 400 mijë personave dhe tani ka tejkaluar mbi 2 milionë persona në vit”, thuhet në deklaratë.
Meta po ashtu vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka përkrahja e shqiptarëve të Malit të Zi për partitë shqiptare, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato qendrore, si parti që mbrojnë drejtpërdrejt interesat e tyre.
“Unifikimi i qëndrimeve të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, do ta bënte më të lehtë realizimin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç janë në Kushtetutën e Malit të Zi”, theksoi Presidenti.
Nga ana tjetër, Cungu kërkoi ndihmë nga Presidenti Meta, që të ndikojë tek autoritetet qendrore të Malit të Zi, në përmirësimin e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, i cili do të përmirësonte dukshëm përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e vendit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat